Ministria e Financave: Ja e vërteta mbi të ardhurat në muajin Janar 2015

Feb 26, 2015 | 19:51
SHPËRNDAJE

Ministria e Financave

Ministria e Financave në një deklaratë për mediat ka dhënë sqarime për të ardhurat e realizuara në muajin Janar të vitit 2015. Pasi sipas saj, komentet e bëra në media ditët e fundit janë jokorrekte, jo reale dhe nuk i referohen shifrave zyrtare të Ministrisë së Financave.

Zyra e Shtypit e Ministrisë së Financave nënvizon se të ardhurat buxhetore për muajin Janar 2015 janë 26.4 miliardë lekë nga 25.4 të planifikuar për periudhën, duke u realizuar në masën 103.7% ose 950 milionë lekë më shumë.

“Të ardhurat tatimore” për periudhën janë 23.7 miliardë lekë, rreth 768 milionë më shumë se parashikimi për periudhën; krahasuar me një vit më parë “Të ardhurat tatimore” janë rreth 2.6% më pak ose rreth 638 milionë më pak.

1. Të ardhurat e mbledhura për muajin Janar nga administrata Tatimore dhe Doganore arritën në 16.6 miliardë lekë, 766 milionë lekë mbi parashikimin e periudhës dhe 5.4 për qind më pak se një vit më parë ose 946 milionë lekë më pak.

2. Të ardhurat e mbledhura nga administrata Doganore janë 8.9 miliardë lekë, 660 milionë lekë ose 7.9 për qind më shumë se plani.

3. Të ardhurat e mbledhura nga administrata Tatimore (pa kontributet) janë 7.6 miliardë lekë ose 1.4 për qind më shumë se plani.

4. Të ardhurat e mbledhura nga Fondet Speciale për janar 2015 janë rreth 6.5 miliardë lekë, 18 milionë më shume se parashikimi.

5. Të ardhurat e mbledhura nga pushteti vendor janë rreth 540 milionë ose 290 milionë më pak se parashikimi.

Krahasueshmëria e të ardhurave të muajit janar të këtij viti me janarin e vitit 2014 nuk është aspak profesionale, sepse vetë parashikimet për periudhën janar 2015 të Ministrisë së Financave kanë qenë më të ulta krahasuar me një vit më parë, duke marrë parasysh specifikat në sistemin e ri tatimor, i cili u vu në funksionim në fillim të këtij viti. Për këtë arsye për muajt e parë të këtij viti, planifikimi i Ministrisë së Financave për realizimin e të ardhurave ka qenë më i ulët se muajt e parë të vitit 2014.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura