Ministri Kulture brenda një shteti vjedhës të trashëgimisë kulturore

May 9, 2022 | 9:09
SHPËRNDAJE

GJERGJI FRASHËRINGA GJERGJ KRISTO FRASHËRI/ Para disa ditësh (29.04.2022) kam dhënë një intervistë në Televizionin ORA me gazetaren Besmira Pelushaj, e cila mund të gjendet në “Youtube” e titulluar “Butrinti”, Frashëri: Menaxhimi nga një kompani e huaj mund të manipulojë historinë”.

Fjala ishte për “Marrëveshjen”, që Këshilli i Ministrave miratoi më 6 prill 2022, të emërtuar Plani i Integruar i Menaxhimit për Parkun Arkeologjik të Butrintit, me anë të së cilës një Fondacion privat shqiptaroamerikan merr të drejtën ligjore për të administruar, qeverisur (menaxhuar) Parkun Kombëtar të Butrintit. Pra, kemi qeverisje (menaxhim) për dokumente kombëtare, të cilat janë absolutisht në pronësi të shtetit. Në këtë mënyrë po synohet që monumentet të “mbrohen” jo prej institucioneve shtetërore, pra, jo direkt prej shtetit, prej Ministrisë së Kulturës, por prej një subjekti privat.

Mbetesh pa gojë në këtë vend. Qysh dhjetë vjet më parë (2012) kam filluar të botoj në media kritika mbi këtë çështje, të shoqëruara herë pas here edhe me intervista televizive të miat. Është tërësisht antiligjore t’i japësh në dorë një subjekti privat vendas apo të huaj, një të ashtuquajtur “plan për menaxhimin (qeverisjen)” e një monumenti kulture. Në veçanti me katastrofën ligjore në Shqipëri, është dhjetë herë më shumë çmenduri. Butrinti nuk duhet t’u lihet në dorë të huajve. Butrinti ka qenë një herë në duart e të huajve, në duart e misioneve arkeologjike italiane (1924-1939), të cilët e masakruan historinë e vërtetë të tij nga interpretimet e zbulimeve arkeologjike të manipuluara.

Ajo që më habit në këtë mes është këmbëngulja e qeverisë për “menaxhim të privatizuar”, duke rënë ndesh me themelin ligjor në mbrojtjen e pasurisë së trashëgimisë kombëtare historike. Ndërkohë, as nuk pyetemi dhe as nuk ftohemi ndonjëherë nga Ministria e Kulturës të japim mendimin tonë rreth kësaj çështjeje, as nga segmentet e shtetit, të qeverisë apo të Parlamentit. Por vërejmë të “pyeten” dhe të ligjërojnë në kësi rastesh “kompetentë shqiptarë biznesi” apo ca zëdhënës të pakualifikuar (paarsimuar) për kësi punësh të pushtetit të zi të këtij vendi, për të cilët nuk e kam për nder t’ua përmend emrin. Kjo Republikë ka krijuar një tufë rekrutësh në shërbim të pushtetit, që sa herë gjendet përpara ndonjë detyre (dileme) për të privatizuar pasurinë kombëtare (kupto: dëshirë apo ideje për të vjedhur) që nuk i ka shkuar mendja askujt dhe i duhet të gënjejë masën popullore për të realizuar këtë, thërret “oficerët” besnikë prej disa dekadash, për të bërë gjuajtje me tanke në ekranet televizive, apo për të treguar hipokrizi në faqet e gazetave.

1. Nga e mësova që Parku i Butrintit do menaxhohet nga fondacioni shqiptaroamerikan? Pa dyshim dhe si gjithmonë të tilla lajme i mësoj prej mediave. Edhe kjo është një dukuri në vetvete e “sinqeritetit” dhe e “respektit” që tregon qeveria me né specialistët, që kemi mbi gjysmë shekulli që ushtrojmë profesionin brenda dhe jashtë vendit. Ndoshta, sepse ajo nuk ka nevojë sot të pyesë dikë për punë profesionale, as edhe atë, që e do vendin si patriot.

2. Si arkeolog keni pasur dijeni për këtë marrëveshje dhe si e shihni atë?

Dua të kujtoj, se projekti për marrjen e qeverisjes së Mjedisit (parkut) Arkeologjik të Butrintit në duart e një Fondacioni privat dhe më keq akoma, një fondacioni të huaj (në rastin konkret të Fondacionit shqiptaro-amerikan të lartpërmendur) nuk është aspak një temë e ré, por tashmë e vjetër, madje e vjetërsuar … Prej vitit 2012 vetë kam reaguar disa herë deri më sot posaçërisht në Mediat, qoftë me shkrime në shtyp, ashtu edhe intervista televizive mbi “Privatizimin e Monumenteve apo Dhënien me koncesion të tyre” në duart e privatit. Jo vetëm unë, por edhe arkeologë, historianë dhe restauratorë brenda vendit dhe të tjerë jashtë tij, janë në dijeni tashmë prej më se një dekade të kësaj përpjekjeje foshnjore antiligjore të qeverisë sonë. Janë përpjekje të saj për të themeluar një Shtrigë të Bukur (Fondacion), që të arrijë privatizimin me forma të korruptuara të një dokumenti historik kombëtar të njohur botërisht, të tillë si Mjedisi arkeologjik i qytetit prehistorik, antik dhe mesjetar të Butrintit. Mjerisht, shumica e bashkatdhetarëve në udhëheqje të këtij vendi nuk e kanë idenë se në çfarë sistemi jetojmë sot. Përkundrazi, me gjithë argumentet dhe thirrjet tona vërej dukshëm këmbënguljen e qeverisë sonë për thellimin e kësaj tendence, për privatizimin apo qoftë edhe dhënien me koncesion të tyre, të cilat të çojnë si i thonë fjalës në të njëjtin mulli … E përsëris, kaluan tashmë më shumë se dhjetë vjet dhe kjo këmbëngulje e qeverive tona për të realizuar me çdo kusht një gjë të tillë në kundërshtim ligjor. Nuk të tremb kjo?

Po cilat janë këto fondacione private, kush i fton dhe i hap derën atyre, kush i pret dhe përse vijnë kësi fondacionesh të huaja për marrjen në duart e tyre të qeverisjes së monumenteve të kulturës së kombit shqiptar në viset e veta të stërlashta historike, pjesë e pronës sonë kombëtare? Sa shumë dashuri kanë këta amerikanët, anglezët, francezët, italianët, grekët, etj. për monumentet dhe dokumentet tona kombëtare!. Sa të gatshëm që tregohen për të dhënë para për të ndriçuar historinë e shqiptarëve, qysh prej Pellazgjisë, Ilirisë dhe Shqipërisë! Nuk i ndahen Butrintit! Fillimisht shfaqet një fondacion anglez, tani fondacion amerikan, nesër fondacion Rumi-Bumi, e kështu me radhë … Sa shumë është zhvilluar Republika jonë me doza “demokracie” në këto 30 vjet!

Dikur, para pak më tepër se tri dekadash kujdesej shteti shqiptar për ruajtjen, zbulimin, dokumentimin, mirëmbajtjen, konservimin dhe restaurimin e monumenteve. Nuk lejonte kurrfarë Fondacioni apo institucione private të huaja të ushtronte aktivitet në Shqipëri. Prej punës që bëmë atëherë nën udhëheqjen e institucioneve shtetërore merituam ftesa si specialistë nëpër universitet e botës së qytetëruar. Ndërsa tashmë me këtë detyre shtetërore kombëtare merren në Shqipërinë e shitur dhe të pakualifikuar profesionalisht, segmente private të huaja që kanë shtrirë zarfet deri në qeveri për ta imponuar atë të dorëzojë dokumentet të historisë kombëtare dhe të korruptohemi para syve të tyre?! Duket si Shqipëri pa mbathje! Fondacione të huaja të qeverisin Butrintin në Republikën e Hajdutërisë së Monumenteve të Kulturës dhe të Pasurisë Arkeologjike!

3. A ka transparencë në këtë dhuratë të qeverisjes (menaxhimit) së Butrintit nga të huajt? A i shërben kjo interesit të Shqipërisë?

Në këtë akt, pjesa transparente është vetëm fakti se Këshilli i Ministrave miratoi më 6 prill 2022, marrëveshjen e menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, të quajtur Plani i Integruar i Menaxhimit për Parkun Arkeologjik të Butrintit. (Ndërsa Marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit pritet të kalojë në parlament për t’u miratuar). Deri këtu akti është formalisht transparent. Por pyetja është – Pse Këshilli i Ministrave, Kryeministri dhe Ministresha e Kulturës për të kryer këtë qeverisje të Mjedisit të Butrintit ka kërkuar një Fondacion të huaj dhe jo një strukturë shtetërore vendase? Përgjigjja nuk është aspak transparente. Pikë! Mjafton të dihet se në Kushtetutën e Republikës sonë (të Ré dhe të Vjetër) është e ndaluar qeverisja e një monumenti kulture brenda këtij vendi, nga një subjekt privat i huaj, qoftë institucion, qoftë fondacion, apo një format tjetër i përngjashëm.

Gjithashtu, këtë e ndalon edhe kushtetuta e Konventa e Trashëgimisë Kulturorë të Parisit, anëtar e së cilës është edhe vendi ynë (Neni 4 i Konventës së Parisit e bën të qartë se “detyra për të siguruar identifikimin, mbrojtjen, ruajtjen, prezantimin dhe transmetimin brezave të ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, të vendosura në territorin e vet i përket shtetit”. Si mund të zbatohet kjo detyrë nga Shteti, nëse ai ia dhuron këtë rol një pale private?) Këto ligje dhe rregulla ndërkombëtare janë bërë thjesht për të parandaluar vjedhjen dhe keqinterpretimin dokumentar të kulturës dhe të historisë në një vend nga spekulantët e huaj në dëm të së vërtetës. Ky rregull ka efekt të dyanshëm, që do të thotë se edhe shtetit amerikan nuk i lejohet të sipërmarrë një rol të tillë. Pse atëherë, Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Kulturës sonë ka kërkuar një Fondacion të huaj për të kryer këtë qeverisje të Mjedisit të Butrintit? Kur edhe Neni 4 i Konventës së Parisit e bën të qartë se “detyra për të siguruar identifikimin, mbrojtjen, ruajtjen, prezantimin dhe transmetimin brezave të ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të vendosura në territorin e vet i përket shtetit”.

4. Çfarë parashikon ligji për qendrat (site) arkeologjike, a mund të jepen ato me koncesion.

Shqetësimi i publikut tonë mbi planin për dhënien e mjedisit arkeologjik dhe monumental të Butrintit nën qeverisjen (menaxhimin) e një fondacioni të huaj privat, është i drejtë. Gjithashtu, me të drejtë ndihemi të prekur edhe për nga ndjesia kombëtare. Është një shqetësim i ligjshëm, pasi shkelja e Ligjit Shqiptar mbi mbrojtjen kombëtare të monumenteve të kulturës, rezulton edhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Botërore të Parisit. Për né që kemi mbi tri dekada që drejtojmë në qendër të Europës, fondacione dhe firma private është qesharake çfarë shohim dhe dëgjojmë sot këtu në vendin tonë. Ka një sërë ligjesh të parashkruara në mjedisin europian mbi të drejtën e përkatësisë së qeverisjes (1991), të cilat i ka ratifikuar edhe vendi ynë (për dijeni qysh në vitin 2008). Po kush dëshiron të dëgjojë? Fondacionet private, përfshirë edhe këtë shqiptaro-amerikanin në diskutim, mund dhe kanë të drejtë vetëm të japin donacione.

Asgjë më tepër! Veprimtaritë e tjera të tyre rrezatojnë konflikt interesi. Citoj edhe një ekspert, i cili e ka formuluar më së miri në shqip, se “Konventa e Trashëgimisë Botërore nuk përmend askund se fondacionet vendase (të huajat jo se jo), të angazhohen në çfarëdolloj mënyre për qëllime drejtimi, menaxhimi, administrimi, të dhënies së asistencës për hartim legjislacioni etj.”. Pra, një partneritet i tillë publik privat kurrsesi nuk mund të zbatohet brenda territorit dhe perimetrit të mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit, që është në pronësi të shtetit shqiptar (përcaktuar kjo shumë qartë edhe nga juristët tanë…). Struktura e propozuar është po ashtu në shkelje të Nenit 17 të Konventës së Trashëgimisë Botërore, që përcakton se roli i “fondacioneve” është për të “lëvruar donacione” dhe kurrsesi për qëllime drejtimi, menaxhimi apo administrimi.

5. Sipas kësaj marrëveshjeje kush do ta ketë kontrollin e Butrintit?

Përpara se të jap mendimin tim për këtë pyetje, dëshiroja shumë të kisha një përgjigje nga ministresha e Kulturës dhe deri tek faqekuqet apo dallëndyshet e paditura që punojnë përkrah saj – pse në vend të themelimit të fondacionit famëkeq shqiptaroamerikan, nuk krijohet një ekip shtetëror brenda ministrisë për qeverisjen (menaxhimin) e Butrintit? Pse ato kanë zgjedhur shkeljen e kushteve të nënvizuara nga Konventat Ndërkombëtare ku ne vetë jemi anëtarë të tyre për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore? Pse ato shkelin kushtet e Kushtetutës sonë për këtë qëllim? Lexojmë deklaratat e ministreshës së Kulturës, se Butrinti, megjithëse do të qeveriset (menaxhohet) nga një fondacion i huaj privat, ai do t’i mbetet shtetit shqiptar.

Po çfarë do t’i mbetet shtetit shqiptar, e nderuar ministreshë, – mbetjet e një mjedisi arkeologjik pa brekë pasi të shpartallohet nga “qëllimet dhe strategjia” e një fondacioni lavire me veprimtari të palejuar ligjore? Këtu bëhet fjalë për ruajtjen dhe mbrojtjen ligjore të pasurisë kulturore historike në territorin e Atdheut tonë, jo se kush jam unë dhe kush është ministër i kulturës sot apo nesër. Nëse nuk e përballoni dot problematikën e qeverisjes së disa sektorëve në mbrojtje të mjediseve të mëdha arkeologjike dhe të historisë së arkitekturë, formoni ekipe përkatëse drejtuese me profesionistë të ditur, jo me këta punonjës fondacioni, të cilët personalisht nuk i marr në punë, në asnjë rast në aktivitetin tim jashtë vendit, por edhe as brenda tij.

Krijoni nëpërmjet organizimit të brendshëm të ministrisë apo të Institutit të Monumenteve të Kulturës që drejtoni, sektorë shtetërorë nën drejtimin ministror për qeverisjen profesionale të vlerave historike të Lezhës, Krujës, Shkodrës, e të tjerë – dhe sidomos për Dyrrahun. Asnjë mjedis qytetar në Ballkan dhe më tej nuk ka vlerën e pasurisë historike, arkeologjike dhe arkitektonike që ruan ka mbetur pa u dhunuar në nëntokën e Dyrrahut. Ne kemi lënë Europën për të mbrojtur trashëgiminë kulturore historike të Mëmëdheut tonë të stërlashtë, po punojmë këtu me paratë tona, kurse ju ndërtoni fondacione të huaja private me mëkatarë të profesionit, që ata të drejtojnë, qeverisin (menaxhojnë, domethënë privatizojnë), vjedhin pasurinë e Butrintit!

* * *

Ana tjetër e medaljes, meqë ra fjala: Në vitin 2010 kam aprovuar si autor në Ministrinë e Kulturës një projekt madhor (Masterplan) mbi zbulimin dhe restaurimin e Amfiteatrit të Durrësit. Natyrisht, projektin e mori Ministria e Kulturës për ta qeverisur dhe për të nxjerrë fondet (në Word Monuments Fund pranë UNESCO-s). Projekti ka mbetur deri më sot në letër për shkak të zvarritjeve, por jo vetëm kjo. Në vitin 2016 paraqita një pjesë të këtij projekti për ta realizuar atë me fondet e Fondacionit tim, “Qendra Frashëri”, në Tiranë. U ktheva në viktimë të xhelozisë së Institutit Shtetëror Arkeologjik, të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore pranë Institutit të Historisë në UT, e Akademisë së Shkencave dhe në veçanti në Këshillat që drejtonte ministresha e Kulturës së asaj kohe, Zonja Kumbaro. Çështjen e kalova për zgjidhje në Gjykatën e Rrethit Tiranë, të cilën e fitova. Tashmë ka që në 2018 që qëndron për thirrje në Gjykatën e Apelit … Duhet të pres! Këtë nuk e tregova për rrokopujën apo gallatën që na ka sjellë sistemi mender “demokratik” në Republikën e Shqipërisë. E solla këtu për të thënë, se ndërkohë ky Fondacioni Shqiptaro-Amerikan në fjalë, përveç Butrintit, e ka marrë për menaxhim edhe Amfiteatrin e Durrësit. Projekti im nuk figuron gjëkundi, ose më e mira do të ishte që të deklarohej i përvetësuar, sepse të paktën, personi i kualifikuar nga Fondacioni që do ta menaxhonte”, mund të ndihmohej që të mos shkatërrohet tërësisht monumenti në fjalë. Përfundimi im: Kjo është strategjia e të ashtuquajturave “Fondacione” private të huaja në Republikën tonë të ligjit 7501! Doni shembuj të tjerë? Besoj se kësaj radhe mjafton.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura