Ministri Kotzias ftet për takimin e Kretës me Bushatin: Në një rrugë të mirë, drejt…

Dec 4, 2017 | 14:30
SHPËRNDAJE

Disa ditë pas takimit dy palësh që zgjati me orë të tëra në Kretë mes ministrit për Evropën dhe Punë e Jashtme, Ditmir Bushati, dhe homologut të tij grek Niko Kotzias ka ardhur një deklaratë nga ky i fundit. Në një intervistë për mediat greke ku ka folur për vizitën e presidenti turk në Greqi, Kotzias u shpreh se marrëdhëniet me Shqipërinë janë të mira dhe mund të ketë një marrëveshje pozitive.

Bushati-Kotzias-krete-1-678x381

I pyetur nëse Greqia dhe Shqipëria janë afër zgjidhjes së çështjeve dypalëshe në pritje, ai tha se të dyja palët janë “në një rrugë të mirë drejt një marrëveshjeje që do të jetë pozitive për të dy palët”.

Intervista

Pas takimit të gjatë me homologun shqiptar në Kretë, jeni optimist për një zgjidhje-paketë të çështjeve dypalëshe të mbetura?
Përmes historisë së përbashkët të dy popujve tanë janë formuar varësi të shumta e të ndërthurura, vija përplasëse, mundësi miqësish. Kemi për detyrë të zgjidhim problemet e së kaluarës, të punojmë për të tashmen më të mirë të mundshme dhe të sigurojmë një axhendë pozitive bashkëpunimi për të ardhmen. Përsa i përket problemeve dhe mundësive të aksionit të përbashkët, të tjera kanë interes më të lartë për palën shqiptare, të tjera për atë greke. Trajtimi i përbashkët i tyre përbën atë që në teorinë e negociatave quhet “zgjidhja-paketë”, pasi në bazë të kësaj zgjidhjeje merret parasysh asimetria ekzistente e çdo rasti në interesat për tematika të ndryshme. Mendoj se jemi në rrugën e duhur për t’u drejtuar në një marrëveshje që do jetë pozitive për të dy palët.
Opozita greke kërkoi të përshkruanit negociatat me Ditmir Bushatin para se të fillonte takimi. Si e komentoni?
E konsideroj të paktën të mefshtë faktin që disa politikanë të opozitës kërkojnë para se të nisim një negociatë të flasim në publik, po në publik për propozimet dhe të rrëfejmë taktikën që do të ndjekim. Të njëjtën gjë bënë edhe në rastin e FYROM apo të Qipros. Ndoshta u mungon eksperienca e negociatave reale dhe kërkojnë të shpalosim tek të tretë strategjinë tonë negociatore, para kohe.
Ekzistojnë shenja ndryshimi në qëndrimin e qeverisë Rama ndaj Athinës zyrtare?
Kam vënë re se është bërë e qartë që perspektiva europiane e vendit është më e rëndësishme sesa çështje të tjera. Lexova dhe tekstet e fundit të tij që flasin për zhvillimin e një marrëdhënie strategjike Greqi-Shqipëri. Këto janë fakte pozitive. Kontribuojnë në zhvillimin e besimit dypalësh. Më lejoni, ama, të theksoj se opozita greke mori një lajm jo-ekzistent, domethënë fake-news që bazohej në një fjalim të Ramës para një viti, domethënë në kushtet e atëhershme. Në vazhdim e paraqiti sikur të ishte bërë pardje dhe më pas kanibalizonin Shqipërinë dhe mua për negociatat e fundit. Këto janë taktika të mefshta që nuk ndihmojnë për asgjë. Përveç rastit kur duan politikë të jashtme të ngathët dhe probleme të zvarritura pafund. Personalisht, refuzoj të bëj politikë të jashtme me sytë drejtuar mikropolitikës.
Greqia e mbështet perspektivën europiane të Turqisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor?
Nëse dikush përfiton nga integrimi i këtyre vendeve në BE, nga demokratizimi dhe europianizimi i tyre, ky vend është Greqia! Por duhet që këto vende të plotësojnë kushtet që janë vendosur për të kaluar në këtë fazë. Kushte që kanë interes të drejtpërdrejtë për Greqinë dhe shpesh herë janë dhe rezultat i propozimeve tona.
BE sot, në mes të krizës, ka mundësinë dhe vullnetin të mbështesë anëtarësimin e plotë në vendeve të reja?
E ka këtë mundësi, por duhet të bëhet më esencial, më demokratik dhe me më shumë vizione për drejtësi sociale, të thellojë procedurat për përfundimin e anëtarësimit. Të marrë vendimin se të gjitha vendet, të vjetra apo të reja, të vogla apo të mëdha do të jenë të barabarta mes tyre dhe se qytetari i cilitdo nga këto vende, shoqëria dhe grupet shoqërore me probleme madhore sot duhet të jenë zemra e një BE demokratike, të sensibilizuar dhe të drejtë. Kështu, BE e ka mundësinë, por rruga e realizimit të këtyre mundësive është e vështirë, e gjatë dhe plot beteja sociale.
Gjithashtu, në intervistë Nikos Kotzias është referuar në vizitën më 7-8 Dhjetor to Erdogan në Athinë, në çështjen e emrit të FYROM, bashkëpunimin rajonal Greqi-Qipro-Izrael dhe Greqi-Qipro-Egjipt për stabilizimin e Mesdheut lindor, për komunikimin e SHBA me Moskën dhe Teheranin si dhe për daljen e Greqisë nga Memorandumi në vitin 2018 dhe domethënënien e këtij hapi në politikën e jashtme të vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura