Ministri i përgjigjet kontabilistit: Sistemi i ri për kontrollin e faturave ul evazionin

Sep 8, 2018 | 14:19
SHPËRNDAJE

Aplikimi i sistemit të ri teknologjik te kasat fiskale ka hapur debate mes qeverisë dhe ekspertëve kontabilistë.

ahmetaj

Më herët, kontabilisti Agim Binaj, nëpërmjet një letre drejtuar Kryeministrit Edi Rama, ngre shqetësimin e kostos së lartë të projektit dhe ndërrimit të tij të shpeshtë. Në përgjigje të tij, dje, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, deklaroi se synimi i projektit, për të cilin do të çelet tenderi, është modernizimi i sistemit aktual të raportimit të transaksioneve, një sistem i cili nuk prek sistemin aktual tatimor.

“Në letrën tuaj, ju pyesni nëse jemi aq të pasur sa të ndryshojmë sistemet çdo tre-katër vjet. Për ta qartësuar edhe një herë, nuk po ndryshojmë sistemin, por po përmirësohet sistemi i raportimeve të transaksioneve (aktualisht ai i pajisjeve fiskale NEXUS) dhe synimi është rritja dhe përmirësimi i administrimit të taksave dhe tatimeve, një prioritet ky i Qeverisë shqiptare. Ne shpresojmë dhe besojmë se përfitimet nga ky përmirësim do të jenë më të mëdha se kostot e përmirësimit. Për sa u përket mendimeve tuaja për kostot e këtij projekti, ai është vlerësuar nga ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, agjencia me ekspertizën më të lartë për sistemet informatike në sektorin publik dhe po ndjek një procedurë tenderimi të hapur nga AKSHI. Por, besoj se rritja e kapaciteteve të organeve fiskale në luftën ndaj evazionit dhe informalitetit janë një investim jo thjesht i rëndësishëm, por i domosdoshëm”, shprehet në letrën drejtuar kontabilistit ministri Ahmetaj.

Kreu i Financave dhe Ekonomisë shprehet se modernizimi i projektit synon që çdo transaksion që kryen biznesi, të transmetohet në kohë reale te Tatimet. “Synimi i projektit është modernizimi dhe përmirësimi rrënjësor i sistemit aktual të raportimit të transaksioneve, një sistem i cili nuk prek sistemin tatimor c@ts me një investim prej 10 milionë euro. Aktualisht, i vetmi aspekt i automatizuar është ai që mbledh të dhënat e raportuara nga pajisjet fiskale në fund të ditës. Në këtë kuadër, me procedurën e re të shpallur, kërkojmë ndërtimin e një sistemi monitorimi transaksionesh, i cili do të ndërveprojë me sistemin c@ts, si dhe krijimit për herë të parë të komunikimit në kohë reale si të transaksioneve ndërmjet biznesit dhe konsumatorit, ashtu edhe të biznesit me biznesin”, shprehet Ahmetaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura