Ministri i Jashtëm grek takon në Tiranë Fredi Belerin, ish-të akuzuarin për masakrën e Peshkëpisë!

May 23, 2022 | 21:11
SHPËRNDAJE

Gazeta Shqiptare/ Ministri i punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias është takuar paraditen e kësaj të hënë në Tiranë me kreun e degës së Omonias në Himarë, Fredi Beleri.

WhatsApp-Image-2022-05-23-at-7.42.38-PM-1-770x433

Në një postim në Twitter, Dendias ka ndarë foto nga takimi, ndërsa shprehet se me Belerin kanë diskutuar sa i takon problematikave të minoritetit grek në Shqipëri.

“Në nisjen e vizitës time në Tiranë, u takova me Presidentin e degës së Omonias në Himarë, Fredi Beleri, i cili më informoi mbi çështjet dhe problematikat e minoritetit grek në Shqipëri”, shkruan ai.

Megjithëse duket si një takim mëse I zakonshëm midis dy zyrtarëve dhe diplomatëve, ky takim ka një “kleçkë”, pikërisht faktin se Beleri është një ish-I akuzuar për masakrën e Peshkëpisë, si pasojë e të cilës humbën jetën dy ushtarakë shqiptarë dhe u plagosën tre të tjerë.

Beleri paraqitet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Më 30 maj 2019, Kreu i OMONIA-s Fredi Bejleri u paraqit herë në Prokurorinë për Krime të Rënda ku dha sqarime në lidhje me “Masakrën e Peshkëpisë”, në vitin 1994.

Bejleri nuk pranoi qe të jepte asnjë sqarim për mediat, lidhur me deponimin e tij në Prokurori para kamerave në lidhje me ato që ishte pyetur nga oficeri i policisë gjyqësore.

Kreu i OMONIA-s u pyet në këtë proces nën cilësin e personit nën hetim. Prokurori Eugen Beci kishte thirrur edhe Mihallaq Kokoveshin, për ta pyetur lidhur me raportin e tij me Belerin, pranin e tij ditën e masakrës në vitin 1994 dhe lidhjet me organizatën “Mavi”.

Burime nga grupi i hetimit zbuluan se Bejleri kishte mohuar sërish që kishte lidhje me ngjarjen dhe vazhdoi t’iu qëndrojë deklarimeve të dhëna më herët ku ishte shprehur se në atë kohë nuk ka qenë në Shqipëri, por në Qipro. Për këtë masakër ishin nën hetim 25 persona për akte terroriste.

Letërporosia dhe skualifikimi nga kandidatura për “Qytetarin e parë”

Po lidhur me këtë dosje Prokuroria dërgoi një letër-porosi në Greqi ku kërkonte që të merreshin në pyetje disa persona që kishin dijeni për ngjarjen. Beleri nuk u kualifikua nga KQZ për të kandiduar për t’u bërë qytetari i parë i Himarës, pasi prekej nga ligji i dekriminalizimit.

Sipas informacioneve të bëra publike, sulmi ndodhi ndaj një reparti kufitar pranë fshatit Peshkëpi të Dropullit, katër kilometra brenda kufirit shqiptar. Ai nisi herët në mëngjesin e 10 prillit 1994 dhe u mor përsipër nga formacioni paraushtarak i një grupi nacionalist grek që kërkonte bashkimin e një pjese të Shqipërisë së Jugut me Greqinë. Pika kufitare e Peshkëpisë kishte në ato kohë 130 rekrutë të rinj dhe të paarmatosur.

Ai formacion paraushtarak, i vetëquajtur Komandoja “Pirro I”, e quante veten krah i armatosur i lëvizjes për çlirimin e Vorio Epirit (MAVI). Ajo kishte zgjedhur si moment të duhur për të sulmuar, kohën kur i gjithë reparti kishte rënë në gjumë.

Në ora 02ː40 të mëngjesit, grupi i armatosur, tetë vetë me uniforma të ushtrisë greke dhe me maska, hynë në repart dhe vrasin ushtarin e rojes Arsen Gjini nga Semani. Pastaj dy persona me uniformë dhe maska hynë në korridorin e kazermës. Komandanti i stërvitjes, Fatmir Shehu, u foli të panjohurve, duke u kërkuar të kursenin ushtarët, por ata e qëlluan me armë duke e lënë të vdekur. Ajo njësi plagosi edhe tre ushtarë shqiptarë. I mbyllën 130 ushtarët në një dhomë, ndërsa dy oficerë të tjerë i izoluan në një zyrë tjetër. Flisnin greqisht. “Këto i keni për Vorio Epirin”, kanë thirrur ndërsa gjuanin. Ky ishte versioni zyrtar i shtetit shqiptar.

“Elefterotipia”: Vrasja u mor përsipër nga MAVI.

Në traktin e organizatës “MAVI” i botuar nga shtypi grek, shkruhej: “Në janar 1994, organizata patriotike MAVI, pasi studioi me kujdes kushtet dhe operacionin që do të kryente , i dha urdhër njërës prej skuadrave të saj të armatosura që të godiste një repart ushtarak shqiptar pranë vijës kufitare. Në orët e para të datës 10 prill, ditë e diel, në bazë të informatave të dhëna nga “Seksioni i mbledhjes së informatave”, skuadra Pirro, e përbërë nga një grusht luftëtarësh, gjendjej në pozicionin e vrojtimit të objektit, në një kodër aty pranë. Sulmi filloi me kapjen e rojes dhe brenda dy minutash, godina dykatëshe e stërvitjes në Peshkëpi ishte në duart e luftëtarëve tanë. Skuadra e mbajti repartin për 20 minuta. Duke ikur, mori me vete 15 automatikë tip Kallashnikov të prodhimit kinez, dy arka me municion, si dhe oficerin e SHIK-ut, të cilin pak më vonë dhe të lidhur me pranga, e la të lirë. Sulmi ynë, si dhe të tjerët që do të pasojnë, ishte një veprim luftarak.”

Masakra e Peshkëpisë u pasua me një ngritje të marrëdhënieve diplomatike mes Greqisdë dhe vendit tonë. Qeveria shqiptare protestoi në Këshillin e Kombeve të Bashkuara, ndërsa pala greke u mundua ta kalonte në qetësi. Përveç luftës diplomatike, policia greke arrestoi dy nga të dyshuarit, mirëpo ata morën dënime të vogla nga gjykata.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura