Ministri i habit të gjithë: Sali të dua shumë! Çfarë nuk u dëgjua në Kuvend

Dec 3, 2016 | 9:33
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama dhe paraardhësi i tij, Sali Berisha, pavarësisht se debati kryesor ishte projektbuxheti i vitit 2017, janë përplasur për ligjin e vetingut. Kryeministri Rama akuzoi opozitën se me qëndrimin që po mban do ta paguajë shtrenjtë në zgjedhjet e ardhshme, si frëngu pulën, siç tha ai. Kryeministri akuzoi pakicën se po bën një gjest antikombëtar me bllokimin e Reformës në Drejtësi, duke penguar hapjen e negociatave.

20161201_183701_01121629-3_lQdTEKE

Por ish- kryeministri Berisha e ka quajtur Ramën si mashtrues dhe se qëllimi i tij i vetëm është kapja e Drejtësisë. Berisha tha se negociatat nuk do të hapen me këtë qeveri të korruptuar. Ish-kreu i PD-së tha dje se shkak i moshapjes së negociatave ishte fakti se Rama prishi marrëveshjen me Metën dhe Bashën për 7 ligjet dhe këtë fakt, sipas tij, ia bëri të ditur edhe Merkeli. Por Rama garantoi se Gjermania do të jetë në krah të Shqipërisë kur të diskutohet hapja e negociatave.

(Pas replikës së Ditmir Bushatit, Berisha i merr sërish foltoren Ramës, duke penguar Kryeministrin)

Sali Berisha: E kam unë fjalën. Unë e shtypa njëzet herë butonin, por nuk punon.

Edi Rama: S’ke faj, s’ke faj, ka kohë që s’të punon..

Sali Berisha: Nastradini deklaroi këtu se po rrisim rrogat me 100 milionë USD. Pançoja i Nastradinit ka deklaruar me dhjetëra herë se janë 7 miliardë lekë! Në një kohë kur librat, që këta s’dinë t’i lexojnë, se këtë nuk e lejon anglishtja të lexojë financat…

Arben Ahmetaj: Të dua shumë!

Sali Berisha: Atë tjetrin (Ramën) s’e lejojnë zhgarravinat të kuptojë se çfarë flet…

Arben Ahmetaj: Të dua shumë të thashë…

Sali Berisha: Sot këtu Nastradini i zhgarravinave që nuk di ç’është GDP-ja, nuk di ç’është përqindja e GDP-së, u thotë shqiptarëve se këtë vit do të investojmë 3% të GDP-së në shëndetësi dhe pastaj sa ishte 3-përqindëshi? 50 milionë dollarë ishte. Kaq është për injorantin xhahil, elifmatrak 3%-shi i GDP-së. O padije, o injorancë, emrin e ke Edi Rama. Ma jepni atë I-padin…

(Berisha shkon të marrë I-padin në tavolinën e tij, I-padin e kishte në foltoren e Kuvendit)

Saimir Tahiri: Çfarë ipadi kërkon ore, e ke marrë me vete, çfarë kërkon?!

(deputetët e Kuvendit qeshin me të madhe)

Sali Berisha: Vijmë tani te kompleksi. Po ngordh nga kompleksi i rrugëve. Sëmuret në çdo udhëtim që bën, e zë rruga nga problemet psikike. Sëmuret se e di që rrugët nuk i ka të tijat. Njeriu që e hanë rrugët është ky (Rama).

Milena Harito: Pse ti i ke të tuat rrugët?

Erjon Braçe: Lerë pashë Zotin, mos i fol…

Sali Berisha: O injorancë, o padije, që emrin s’mund ta kesh ndryshe përveçse Edvin… Pse nuk u hapën negociatat? Shkaku më themelor ta dini ju është varrosja e konsensusit nga Edi Rama. Zonja që e priti ia tha në fytyrë para kombit gjerman dhe kombit shqiptar, se marrëdhëniet politike brenda vendit dhe fryma e konsensusit duhet të ishin garancia absolute për hapjen e negociatave. Dhe dijeni mirë, se janë jo një, por disa ministri të brendshme të vendeve anëtare të BE-së që kanë nxjerrë kartonin e kuq. Juve ju rroftë Saimir Tahiri! Mbajeni, ta keni me shëndet! Por këtë që ju them unë, ta dini mirë.

(Berisha i drejtohet deputetes së PS, Blerina Gjylameti).

Sali Berisha: Ju lutem shumë, mos më ndërhyni. Se ti ke firmos për bixhozin. Jam çudit me ty (Gjylameti). Ke vënë firmën për ligjin e bixhozit. Je gruaja e parë që e ka bërë në histori. Së fundi, dua ta falënderoj përzemërsisht Kancelaren Merkel, e cila u ndal te zgjedhjet dhe kushtet e përcaktuara nga Komisioni si të domosdoshme. Hiq dorë nga kërcënimi i Europës se Shqipëria mund të bjerë në kthetrat e ISIS-it apo Putinit. Ti mund të përfundosh në llumin e plehrave të historisë, por Shqipëria nuk lëkundet kurrë nga rruga europiane e saj. U përpoq Enver Hoxha dhe shkoi atje ku e meritonte, do të shkosh dhe ti atje ku e meriton. Mos e trash këtë bisedë, sepse mund të marrësh siç mori tjetërkush kartonin e kuq, mos mendo se me kërcënime gjunjëzon Europën.

Edi Rama: Nuk ka turp më të madh, sesa këtë proces ta merrni peng, siç e keni marrë, duke u justifikuar tani me përkthimin. “Është përkthimi gabim”! Në qoftë se ju doni datën, datën hajde ta vendosim ne bashkë! Doni ta vendosim datën e hapjes së negociatave? E vendosim ne bashkë, duke zhbllokuar vetingun. Ta zhbllokojmë vetingun! Të fillojë zbatimi i vetingut. E nëse pastaj do të thonë Komisioni Europian dhe Këshilli Europian, që “jo, se janë dhe këto të tjerat”, atëherë përgjegjësinë e mbaj unë. Meqë ju thoni: “ne duam reformën, po ti s’e do reformën”. Shumë mirë! Hajde e zbatojmë reformën. Pse shkoni e bllokoni atje? “Jo po është vetingu, sipas Edi Ramës.” Unë paskam kapur edhe SHBA-të, edhe BE-në, edhe Komisionin e Venecias, edhe gjithë botën?! Vetëm ju jeni këtu shpirtrat e lirë që po luftoni për Drejtësinë?! Ti Sali e ke thënë në fakt një herë, kur dole në konferencë shtypi bashkë me Fatos Nanon: “Ç’faj kam unë që ju i merrni seriozisht fjalët e mia! Ajo ka qenë fushatë. Fushata ka mbaruar. Ajo ishte loja!” Je tallur shumë me këtë milet dhe vazhdon të tallesh…

Sali Berisha: U them qytetarëve që në histori ka ndodhur rëndom që të sëmurë me probleme psikike të hipin në postet më të larta. Nuk jemi ne të parët. Por problemi është këtu, se këta njerëz kanë një problem të madh. Këta nuk njohin keqardhje, nuk njohin mirënjohje, nuk njohin pendesë. Por këta gjithçka bëjnë ndaj dhe ky s’korrigjohet. Po pse ç’mendon ti se bën opozita këtu? Mendon se do të të lejojë ty të gënjesh nga mëngjesi deri në darkë se u hapën negociatat dhe pastaj t’u thuash jo po do të dalë dhe një raport tjetër? Sigurisht shqiptarët do të flasin, po me ty negociata nuk hapen.

Edi Rama: Ne as e kemi kërkuar, as e kërkojmë datën e hapjes së negociatave në dhjetor, sepse nuk duam asgjë që nuk na takon. Ne duam që Këshilli të mirëpresë rekomandimin pozitiv të Komisionit dhe të thotë: “Po, ne e mirëpresim! Sapo të fillojë zbatimin ligji i vetingut, ne jemi gati ta konsiderojmë vendosjen e datës”. Prapë po jua them edhe një herë tjetër: ju nuk e ndaloni dot zbatimin e Reformës në Drejtësi. Nuk keni shans ta ndaloni dot. Thjesht ju do ta vononi dhe do ta paguani si frëngu pulën” vonesën në zgjedhjet e ardhshme. Problemi është që kjo që bëni me Reformën në Drejtësi është thellësisht antishqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura