Ministri grek Kotzias takim me presidentin Thaçi në Kosovë

Apr 12, 2018 | 20:35
SHPËRNDAJE

Me dyer të mbyllura për media e ka zhvilluar vizitën në Prishtinë, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikolaos Kotzias.

Ishte planifikuar që me homologun e tij kosovar Behgjet Pacolli, të kishte konferencë për media, por kjo nuk ndodhi.

Para se të fillonin takimin, Kotzias është përgjigjur për arsyen e mosmbajtjes së konferencës, raporton KTV.

kotzias

“Nuk do të ketë konferencë për media. Prishtina është vend i mrekullueshëm. Tani do të bisedoj me homologun Pacolli, ngase kemi shumë për të diskutuar dhe se nuk kemi shumë kohë”, ka thënë Nikolaos Kotzias, ministër i Jashtëm i Greqisë.

Përmes një njoftimi për media, Ministria e Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se Greqia do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL.

Ndërsa, e ka ftuar ministrin Pacolli që ta vizitojë Athinën.

Diplomati grek është takuar gjatë ditës edhe me presidentin Hashim Thaçi.

Edhe ky takim ishte i mbyllur për media.

Vizita e ministrit grek në Prishtinë pason qëndrimin e tij në Beograd dhe Maqedoni.

Në Beograd kishte deklaruar se Greqia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se hapja e zyrës tregtare të Kosovës në Athinë, nuk është përfaqësi diplomatike.

Greqia është njëra nga pesë shtetet e BE-së, e cila nuk e ka njohur ende Kosovën./Koha.net

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura