Mandija: Do qëndrojmë në detyrë. Ministrat teknikë u penguan, marrëveshja Rama-Basha s’u zbatua

Aug 20, 2017 | 10:09
SHPËRNDAJE

Zëvendëskryeministrja teknike e propozuar nga Partia Demokratike, Ledina Mandija, shprehet se do të largohet nga detyra pas dekretimit të qeverisë së re. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Mandija, e cila bashkë me gjashtë ministrat e tjerë të propozuar nga PD depozituan në Kryeministri dorëheqjet e tyre, thotë se do t’i përmbahet përcaktimit kushtetues për largimin nga detyra.

Duke iu përgjigjur etiketimeve që Kryeministri Rama i bëri raportit të Task-Forcës, Mandija shprehet se nuk ka bërë asnjë ndërhyrje në informacionin e monitorimit që kanë sjellë pranë Task-Forcës edhe ministrat e Partisë Socialiste në qeveri, por edhe institucionet që detyronte marrëveshja.

Duke analizuar punën e Task-Forcës për monitorimin e zgjedhjeve, Mandija shprehet se nga materiali përmbledhës del shumë qartë se puna e ministrave teknikë u pengua dhe detyrimet që rridhnin nga marrëveshja nuk u zbatuan nga nivelet zbatuese, për shkak të mungesës së një vullneti politik në nivelet më të larta.

Zv.kryeministrja, Ledina Mandija
Zv.kryeministrja, Ledina Mandija

Raporti juaj është cilësuar ilegjitim nga ana e Kryeministrit, duke mos kursyer as fjalën “gafa”. Si e vlerësoni këtë qëndrim?

Qëllimi i emërimit të ministrave teknikë ishte të asistonin për zbatimin e një procesi zgjedhor sipas ligjit dhe standardeve dhe të ofronin transparencë lidhur me mbarëvajtjen e këtij procesi. Në përmbushje të detyrave të caktuara me VKM 473/2017, ministrat, sipas sferës së përgjegjësisë shtetërore që mbulonin, kanë mbledhur informacione dhe përgatitur raporte, të cilat i kanë përcjellë periodikisht në Task-Forcë. Materiali përmbledhës i shoqëruar me të dhënat tabelore dhe anekset përkatëse është pasqyrim i saktë, i plotë dhe sistematik i informacioneve dhe raportimeve në kohë, të kryera nga të gjitha institucionet shtetërore dhe të diskutuara vazhdimisht në mbledhjet e Task-Forcës. Të gjithë ministrat, qoftë teknikë apo ministrat e tjerë, kanë dërguar informacionet dhe raportet e tyre të monitorimit dhe për këtë i falënderoj për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë. Rrjedhimisht, përmbajtja e tyre është fakt dhe nuk mund të ndryshohet dhe as nuk ka asnjë kërkesë ligjore t’i nënshtrohet ndonjë procedure diskutimi dhe miratimi.

Raporti i Task-Forcës kishte akuza si shitblerje të votës apo angazhim të elementëve kriminalë që ndihmuan qeverinë. Me këto konkluzione, delegjitimohet rezultati dhe standardi i zgjedhjeve?

Detyra e Task-Forcës ka qenë koordinimi dhe monitorimi i sjelljes së administratës dhe përdorimit të fondeve publike gjatë fushatës elektorale dhe ministrat teknikë u emëruan për të garantuar këtë proces. Materiali përmbledhës i monitorimit, bazuar në informacionet dhe raportimet e të gjithë ministrive, u është vënë në dispozicion subjekteve elektorale, partnerëve ndërkombëtarë, si dhe të gjithë aktorëve të tjerë të përfshirë në procesin zgjedhor dhe pritet që organet e drejtësisë apo autoritetet e tjera shtetërore të ndërmarrin masa në investigimin e mëtejshëm dhe trajtimin e rasteve të evidentuara. Delegjitimimi apo standardi i zgjedhjeve janë qëndrime politike, të cilat u takojnë vlerësimeve të forcave politike.

Si e vlerësoni faktin që Kryeministri Rama, i cili ishte iniciatori i marrëveshjes së 18 majit, nuk e mblodhi asnjëherë qeverinë e tij dhe ministrat teknikë? Ishte reale kjo marrëveshje?

Sipas ligjit, në kushte normale, Qeveria duhet të mblidhet për të arritur në një vendimmarrje të caktuar, ku ministrat të kenë mundësi të njihen me aktet dhe materialet shoqëruese para se të shprehin qëndrimin e tyre. Gjithsesi, qeveria mund të funksionojë edhe pa u mbledhur në raste të caktuara, por jo për një kohë të gjatë. Kryeministri zgjodhi një mënyrë të tillë. Emërimi i ministrave teknike u bë në përputhje të plotë me procedurat kushtetuese dhe parlamentare, pavarësisht etiketimit të tyre si ministra “teknikë”. Këta ministra, në aspekt kushtetues dhe ligjor, gëzojnë të gjitha të drejtat kushtetuese dhe ligjore. Gjithsesi, ministrat kanë qenë të ndërgjegjshëm për qëllimin e emërimit të tyre dhe i kanë ushtruar detyrat e tyre vetëm për këtë qëllim, pa ndërhyrë në zbatimin e politikave të shumicës qeverisëse të përcaktuara në programin qeverisës. Për sa i përket pyetjes së dytë, nga materiali përmbledhës del shumë qartë se puna e ministrave teknikë u pengua dhe detyrimet që rridhnin nga marrëveshja nuk u zbatuan nga nivelet zbatuese për shkak të mungesës së një vullneti politik në nivelet më të larta.

Ju keni dhënë dorëheqjet, por sipas Kushtetutës ju duhet të qëndroni në detyrë deri në ardhjen e ministrave të rinj të qeverisë së re. Do të qëndroni në zyrë deri në ardhjen e qeverisë së re, apo jeni larguar që ditën e dhënies së dorëheqjes?

Kushtetuta kërkon që të qëndroj në detyrë deri në momentin që plotësohen të gjitha formalitet e parashikuara në të për largim. Ministrat dhe zv.kryeministri kanë përgjegjësi në lidhje me funksionet dhe detyrat që ato ushtrojnë dhe nuk mund të braktisin zyrat apo detyrat. Do të qëndrojmë në detyrë deri kur të plotësohen kërkesat procedurale, sipas Kushtetutës. Kjo do të thotë që duhet të bëhet propozimi nga Kryeministri, të dekretohet dhe më pas të votohet në Parlament.

Si e vlerësoni urimin e Kryeministrit që, pasi e cilëson të njëanshëm dhe joprofesional raportin tuaj, ju thotë edhe suksese në jetë?

Siç thashë edhe më sipër, materiali përmbledhës është pasqyrim i plotë, i saktë dhe sistematik i informacionit dhe raportimeve të dërguara në kohë pranë Task-Forcës nga të gjitha institucionet shtetërore dhe të diskutuara në mbledhjet e saj. Jo pa qëllim është quajtur material përmbledhës, pasi nga zyra e zëvendëskryeministrit nuk është ndryshuar apo shtuar asgjë që nuk është referuar apo raportuar, qoftë nga ministrat teknikë, apo ministrat e tjerë. Fakti që informacionet apo raportimet e vetë institucioneve shtetërore, apo edhe zhvillimet e përditshme të situatave gjatë përmbushjes së misionit të Task-Forcës, mund të mos u pëlqejnë forcave të caktuara politike, nuk e bën raportin të njëanshëm apo joprofesional. Jam udhëhequr vazhdimisht nga bërja e transparencës së plotë kundrejt opinionit publik dhe aktorëve të përfshirë në këtë proces, pasqyrimi me paanshmëri i të dhënave dhe fakteve që më janë raportuar, si dhe nga përmbushja me profesionalizëm i detyrave që më janë ngarkuar, duke konsideruar se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i një shteti demokratik, që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura