Minë me telekomandë mjetit të drejtorit të Hekurudhave. Dyrmishi: Pako, poshtë vendit të shoferit

Nov 20, 2018 | 8:33
SHPËRNDAJE

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ/ Kërcënohet me lëndë plasëse drejtori i përgjithshëm i Hekurudhave Shqiptare, Ani Dyrmishi. Poshtë makinës së tij, e cila ndodhej e parkuar pranë pallatit ku jeton, në Lagjen Nr. 4 të Durrësit, ishte vendosur lëndë eksplozive, por fatmirësisht nuk ka shpërthyer. Lënda, e cila rezultoi se ishte imitim ngase i mungonin disa elementë shpërthimi, ishte vendosur pak pas mesnate dhe është pikasur mëngjesin e djeshëm.

makina1

“Dje rreth orës 08:30, në Lagjen nr.4, në një parking mjetesh u konstatua një pako e dyshuar si lëndë plasëse. Në vendin ku u gjet pako, ishte parkuar mjeti tip ‘Pasat’ me targa AA 070 TP, në përdorim nga shtetasi A.D. me detyrë drejtor i përgjithshëm i Hekurudhave. Në momentin që ka lëvizur mjetin, ai nuk e ka konstatuar pakon e dyshimtë. Nga konkluzionet e para të ekspertëve antieksploziv rezulton se pakos së dyshuar i mungonin disa elementë për të qenë lëndë plasëse”, bëri të ditur Policia e Durrësit nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Sipas të dhënave të para, është gjetur një bidon plastik gjysmë litërsh me një sasi të dyshuar tritoli, në vendparkimin e automjetit të drejtorit Dyrmishi, të ndodhur në Lagjen nr.4, afër stacionit të trenit. Lënda plasëse (pëlhurë) ishte futur në një bidon dhe ishte e lidhur me një telekomandë, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse ka qenë e fiksuar në mjet. Dyrmishi ishte nisur me shefin e Infrastrukturës drejt Greqisë, ku kishin një takim me drejtuesit e Hekurudhës helene dhe nuk e ka pikasur lëndën e dyshimtë kur ka hipur në makinë.

Pasi ka lëvizur mjetin, ai është lajmëruar nga fqinjët për lëndën plasëse. Menjëherë, ai është kthyer në vendin ku kishte parkuar makinën gjatë natës dhe ka konstatuar së lënda artizanale ishte vendosur pikërisht në vendin e parë në krahun e shoferit. Në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta policie dhe pak me pas edhe skuadra xheniere, e cila lokalizoi dhe çmontoi instrumentin artizanal, që pas ekspertizës rezultoi se i mungonin disa elementë që do të mundësonin shpërthimin.

Policia dhe grupi hetimor nisën menjëherë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes. Nga hetimet paraprake rezulton se kemi të bëjmë me një kërcënim kundrejt drejtorit të Hekurudhave, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e drejtorit të Hipotekës së Durrësit. Vetë Dyrmishi ka deklaruar se nuk ka konflikte personale me asnjë person dhe dyshon se kërcënimi ka ardhur për shkak të punës. Ai thotë se nuk është kërcënuar asnjëherë drejtpërdrejt dhe as në mënyra të ndryshme, si dhe nuk ka asnjë konflikt të hapur apo përplasje me ndonjë person.

Duke marrë parasysh pozicionet drejtuese të Dyrmishit, autori dyshohet të jetë ndonjë person që mund të jetë shkarkuar nga puna. Por fakti që ai më herët ka pasur postin e drejtorit të Zyrës së Pasurive të Paluajtshme (Hipoteka Durrës) dyshohet se ngjarja mund të ketë lidhje me ish-detyrën e tij.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura