Mina më telekomandë drejt Malit të Zi, mbyllet dosja për trafikantët! Dy të arrestuarit nuk pranojnë akuzën: Bashkudhëtarit iu prish makina, na dha çantën ku…

Sep 23, 2021 | 17:20
SHPËRNDAJE

Elvis Hila/ Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen në ngarkim të dy personave nga Durrësi, të cilët u arrestuan në muajin dhjetor të vitit 2020 me dy bomba me telekomandë. Ndaj Erol Çiçit, 33 vjeç dhe Maringlen Grudës, 30 vjeç, të cilët vijojnë të jenë në masën e sigurisë “Arrest në burg”, është ngritur akuza “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit” në bashkëpunim.

Mina më telekomandë drejt Malit të Zi

Gjatë hetimeve, organi i akuzës nuk ka arritur të zbulojë bazën e prodhimit të bombave dhe destinacionin final të tyre, ndërsa dyshimet janë se dy të akuzuarit janë vetëm transportues të lëndës shpërthyese. Dy të arrestuarit kanë deklaruar para hetuesve se kanë pasur një bashkudhëtar të tretë, por këtij të fundit i ishte prishur makina dhe u kishte lënë atyre çantën duke u kërkuar ta prisnin në Lezhë.

ARRESTIMET

Dy të rinjtë u arrestuan mesditën e 3 dhjetorit të vitit 2020 në hyrje të qytetit të Lezhës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në çantën e shtetasit Maringlen Gruda janë gjetur dy bomba me mekanizëm shpërthimi në distancë nëpërmjet aparatit telefonik celular. Njëra nga bombat ishte me lëndë plasëse të llojit tritol dhe tjetra me dinamit. Bombat me telekomandë do të trafikoheshin në drejtim të Malit të Zi. “Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Policinë e Lezhës, nën drejtimin e Prokurorisë, kishin marrë informacion për veprimtarinë e këtyre shtetasve dhe prej 1 muaji ishin vënë në vëzhgim dhe ndjekur me metoda proaktive”, njoftoi Policia në atë kohë.

Nga hetimet ka rezultuar se ata janë transportues të lëndës shpërthyese në distancë. Në zonën e Lezhës është e disata herë që kapen persona me bomba me telekomandë gjatë katër viteve të fundit. Në të gjitha rastet, Policia ka arrestuar vetëm transportuesit, ndërsa nuk është arritur të zbulohet baza e prodhimit të tyre dhe as porositësit, të cilët i blejnë kundrejt shumave të ndryshme parash.

Kush është Maringlen Gruda

Mariglen Gruda nuk është një emër i panjohur për Policinë. Rreth gjashtë vite më parë ai është arrestuar për grabitjen e rreth 7 milionë e 400 mijë lekë të vjetër te zyrat e një prej kompanive telefonike në qytetin e Durrësit. Gruda i mori çelësin bashkëshortes, e cila ishte punonjëse në zyrat e kompanisë dhe bashkë me shtetasin Fabian Luku kryen grabitjen e shumës së konsiderueshme të parave.

“Shtetasi Maringlen Gruda ka mundur që t’i vjedhë çelësin e godinës bashkëshortes së tij, punonjëse në dyqanin e Albtelecom dhe gjithashtu ka bërë të mundur çaktivizimin e alarmit. Në bashkëpunim me shtetasin Fabjan Luku kanë marrë nga kasaforta 740.000 lekë”, bënte me dije Policia në atë kohë. Por brenda pak ditësh ata u vunë në prangat e Policisë lokale pas kryerjes së vjedhjes. Policia sekuestroi edhe një automjet tip “BMW”, të cilin e kishte blerë me paratë e vjedhura.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura