Mimi Kodheli takim të ngrohtë me Fatmir Mehdiun, deputetët e PS çuditen

Feb 24, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Në foto: Mimi Kodheli dhe Fatmir Mehdiu
Vazhdimisht e kemi thënë, ajo që shihni në sallën e Parlamentit është shumë larg asaj që ndodh sapo deputetët e lënë atë sallë. Dhe, për ta vërtetuar këtë, shërbejnë fotot që sjell çdo të enjte paparaci ynë. Meqenëse ajo është një ditë e ngarkuar me miratime të shumta ligjesh, deputetët në përgjithëse kalojnë pak kohë edhe në oborrin e Parlamentit. Aty është një moment shumë i mirë për të parë se me kë shoqërohet secili prej tyre. Dhe natyrisht surprizat nuk mungojnë. Ja p.sh., a e kishit menduar ndonjëherë që Mimi Kodheli teksa takon njërin nga paraadhësit e saj në Ministrinë e Mbrojtjes, Fatmir Mehdiu, të gëzohet dhe të qeshë aq shumë? Sa akuza e kundërakuza ka bërë ministrja aktuale e Mbrojtjes në Parlament në adresë të parardhësve të saj! Madje, Arben Imamit iu bë edhe një dosje, e cila u dërgua në Prokurori. E megjithatë, takimi i Kodhelit me Mehdiun është shumë miqësor. Madje, sipas gazetarëve të pranishëm aty, ata kanë bërë batuta për Berishën dhe për çështje të tjera të nxehta politike. Ndërkohë, ky takim i ngrohtë Kodheli-Mehdiu nuk ka lënë indiferentë kolegët e tyre, të cilët e kanë ndjekur bisedën mes tyre me habi dhe me një buzëqeshje të gjatë. Në fakt, e parë në këtë këndvështrim, duket sikur politika ngjan më tepër me një skenë teatri, ku secili ka një rol për të aktruar. Në momente të veçanta dikush bën të mirin e dikush të keqin, e më pas mund të ndërrohen rolet. Ndërkohë spektatorët janë të njëjtët, ata presin nëse do bëjnë ndonjë punë këta njerëz apo jo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura