Milot-Morinë, si e vlerësoi IFC

Apr 13, 2012 | 10:41
SHPËRNDAJE

Raporti para koncesionit: Qytetarët, në pjesën më të madhe, të gatshëm të paguajnë për rrugën.

Risk për “rrjedhje” trafiku në Segmentin I, Milot-Rrëshen.

Personat që përdorin sot Rrugën e Kombit si alternativë qarkullimi janë shprehur në pjesën më të madhe të rasteve të gatshëm të paguajnë për këtë shërbim. Studimi i Korporatës Financiare Ndërkombëtare ka dalë në përfundimin se niveli i qytetarëve që u janë nënshtruar intervistave dhe janë treguar të gatshëm për të paguar ka qenë relativisht i lartë.
Anketat
IFC nuk e hartoi e vetme studimin. Për këtë bashkëpunoi me konsorciumin Egnatia (Greqi), Halcrow (Britani e Madhe) dhe Planet (Greqi), të cilët ishin edhe konsulentët teknikë. Për përgatitjen e studimit për Milot-Morinë u shfrytëzuan informacionet e marra gjatë viteve 2009-2010 përmes intervistave të zhvilluara nga vetë institucionet shtetërore, por edhe në pikat doganore. Informacioni më i rëndësishëm u mor nga intervistat e zhvilluara në muajin qershor dhe korrik. Respektivisht, për muajin qershor nga ana e Halcrow u zhvilluan 4300 intervista në rrugë, kurse në muajin korrik 1800 intervista në rrugë. Por kjo nuk mbeti me kaq. Gjithashtu u zhvilluan intervista për gatishmërinë për të paguar, ku në muajin qershor numri i tyre ishte 600 dhe në muajin korrik 340. Të gjitha këto intervista, sipas IFC, në pjesën më të madhe të tyre reflektuan një gatishmëri të lartë të qytetarëve për të paguar.
Trafiku
Rruga e Kombit, e cila është në proces dhënieje me koncesion, nga raporti i IFC rezulton të jetë me karakteristika të ndryshime trafiku në segmente të ndryshme të saj. Kështu, sipas IFC-së, Segmenti i parë, Milot-Rrëshen, është edhe segmenti që ka pjesën më të madhe të trafikut, por ka edhe më shumë risk që të ketë humbje të tij nëse kalimi bëhet me pagesë. “Segmenti i parë i autostradës ka edhe nivelin më të lartë të trafikut, me një mesatare vjetore prej 6400 makinash në ditë. Edhe pse teknikisht fizible, ndërtimi i një stacioni pagese në këtë segment do të sillte humbje të madhe apo ndryshime në trafik për shkak të rrugëve të tjera alternative dhe me cilësi të mirë”, thuhet në raportin e IFC. Segmenti i dytë është edhe ai që vlerësohet me një trafik më të qëndrueshëm, sepse përfshin tunelin e Thirrës, i cili i shton vlerën këtij segmenti. Ky segment kap 100 për qind të trafikut që niset nga Tirana e Durrësi drejt Kukësit dhe Kosovës, dhe kjo vlerë trafiku nuk pritet të ndryshojë edhe pas vendosjes së stacionit të pagesës për shkak të kursimit të lartë të kohës dhe të kostos që gjeneron ky segment për makinat qarkulluese. Parashikimi i trafikut në këtë aks është bërë nga ana e kompanive përmes një analize të hollësishme duke përdorur softuerin “Saturn” dhe duke përfshirë në listë çdo impakt që mund të vijë nga zhvillimet në vende si Kosova, Greqia, Maqedonia dhe Mali i Zi. Ndërkohë, IFC parashikon një rritje të mesatares së makinave në raport me popullsinë. Nëse për vitin 2010 kjo mesatare ishte 93 makina për 1000 banorë, nga ana e IFC pritet që shifra të jetë në rritje për shkak të rritjes ekonomike si dhe trendit që shfaqet në Europën Lindore, ku mesatarja për 1000 banorë është 235 makina.

Ofertat
Aktualisht Korporata Financiare Ndërkombëtare është duke rishikuar edhe një herë raportin e saj fillestar që ia dorëzoi qeverisë vitin e kaluar. Aktualisht, për në fazën finale të tenderit për dhënien me koncesion të operimit, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-morinë, kanë kaluar pesë komani. Atyre u është vënë në dispozicion informacioni i përpunuar nga IFC dhe nga qeveria për të bërë përllogaritjet e tyre paraprake përpara se të bëjnë ofertat e tyre ekonomike. Në fakt, qeveria synonte që të kalonte operimin dhe mirëmbajtjen te privati në mes të këtij viti, por me shumë mundësi ky afat do të jetë muaji gusht.

Raporti i IFC
.    Segmenti Milot-Rrëshen, risk për rrjedhje trafiku nëse bëhet me pagesë

.    Segmenti Rrëshen-Kalimash, më i qëndrueshëm edhe pas futjes së pagesës

.    Në qershor dhe korrik u zhvilluan 4300 dhe 1800 intervista “buzë rruge”

.    Në qershor dhe korrik u zhvilluan 600 dhe 340 intervista për gatishmërinë për të paguar

.    Qytetarët janë shprehur në pjesën më të madhe pro pagesës

.    Segmenti i parë ka një mesatare vjetore prej 6400 makinash në ditë

.    Tuneli i Thirrës ka aktualisht si mesatare vjetore nivelin prej 4100 makinash në ditë

.    Raporti i makinave për 1000 banorë në vitin 2010 në Shqipëri ishte 93 makina

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura