Milot-Fier, ministrja Balluku i përgjigjet opozitës: E vërteta e pagesës

Jul 10, 2020 | 11:01
SHPËRNDAJE

Një javë pas shpalljes së procedurës, qeveria ka zyrtarizuar tenderin ndërkombëtar për koncesionin 1.2 miliardë euro të 42 kilometrave të rrugës Milot-Thumanë-Kashar-Fier.balluku

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, zgjodhi t’u përgjigjet akuzave të opozitës nga foltorja e Kuvendit, duke deklaruar se nuk ka të bëjë me një aferë korruptive. “Javën e fundit, 7 ditë të tëra, kam dëgjuar vrerin e hedhur sa i përket projektit më të madh të qeverisë në infrastrukturë, atë të korridorit blu në pjesën shqiptare, segmentit Milot-Fier. Vendimet merren pas një analize.

Dhe nëse kjo rrugë kushton 1.118 milionë sipas ekspertëve tanë, atëherë nuk na del që të kemi mundësi financiare për ta ndërtuar nga buxheti i shtetit. Qeveria merr përsipër për ta dhënë me koncesion, por nuk vendos asnjë qindarkë. I gjithë investimi do të vijë nga investitori privat, i cili, përmes një gare ndërkombëtare me të tjerët, duhet të garojë për të ardhur me investimin më të madh, cilësinë më të mirë dhe pagesën e rrugës më të ulët”.

KOSTOJA E INVESTIMIT

Balluku hodhi poshtë pretendimet e një pagese të lartë për kalimin në autostradë. Sipas ministres, do të jenë pikërisht ata që tanimë “po vjellin vrer”, që do të lëvdojnë punën e bërë në një kohë të dytë.

“Nga del ky 17.4 euro? Qëkur autostradat kanë dalë, paguhen me segmente. Xhenova-Bari paguhet 150 euro. Apo në autostradat në Greqi. Gjurma ekzistuese, nuk duam të hapim probleme me shpronësimet dhe bizneset. 0.075 euro për kilometër. 7.5 euro për 100 kilometra. Autostradat me pagesë janë autostradat e shpejtësisë. Qytetarët do të mund të zgjedhin rrugën me pagesë ose pa pagesë. Këtë do bëjmë ndryshe nga ju. Ne jemi qeveria e ndërtimit. Ju keni qenë qeveria e shkatërrimit. Dhe kur të kaloni me automjetet tuaja në këtë aks të ri, do thoni ‘e paskan qarë’, siç thoni kur kaloni tani në Bypassin e Fierit”.

Gara për ndërtimin e rrugës, pjesë e autostradës adriatiko-joniane, do të jetë ndërkombëtare dhe ofertat do të hapen më 28 shtator. Gjithashtu, Balluku ripërsëriti se aksi Milot-Fier do të ketë dy mundësi, me dhe pa pagesë. E gjithë gjurma e ndërtuar si pjesë e segmentit Milot-Fier do të shoqërohet nga rrugë ndihmëse pa pagesë. Sipas dokumenteve, qeveria është angazhuar që të garantojë maksimalisht 121 milionë euro për koncesionarin për shtatë vitet e para të operimit, që nisin nga viti 2024 deri në 2040.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura