Milo zbulon dokumentet e reja: Si erdhi Enver Hoxha në krye të PKSH

Nov 11, 2014 | 12:45
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha, 1941
Historiani Paskal Milo, me një libër për ish-udhëheqësin komunist

Letra e Popoviçit për Titon: Hoxha i aftë për drejtues, i rritur shpejt, luftëtari më i fortë për pastrimin e partisë.

Koço Tashko preferoi Enverin, para Ymer Dishnicës dhe Nako Spirut.

Shënimet e Enverit: Ai nuk kishte besim tek asnjeri, veç meje.

PJESË NGA LIBRI “SHQIPTARËT NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE”
ROLI I ENVER HOXHËS
Konsolidimi i pozitave të Enver Hoxhës në krye të PKSH ka qenë një proces dhe jo një akt i menjëhershëm. Ai u konfirmua plotësisht si udhëheqës kryesor i saj në Konferencën e Parë të Vendit të PKSH në mars 1943, për të cilën do të flitet në vijim e ku ai u zgjodh sekretar politik i saj. Kur diskutohet e shkruhet për themelimin e PKSH, sidomos në këtë çerekshekullin e fundit, në demokracinë e brishtë shqiptare, por gjithsesi me liri mendimi, janë vendosur mjaft pikëpyetje me ose pa të drejtë nga njerëz e grupime të caktuara politike, sociale, historianë e amatorë të historisë, shkrimtarë, gazetarë e analistë, madje edhe nga ish-shokë e bashkëpunëtorë të Enver Hoxhës për krijimin e partisë e ardhjen e tij në krye të saj, si dhe për autorësinë e themelimit. Historia ka një numër të madh rastesh, ku individë të caktuar e të panjohur në kthesa e zhvillime të rëndësishme janë shfaqur e kanë luajtur rolin e udhëheqësve, kanë krijuar monarki e kanë vendosur republika parlamentare, kanë udhëhequr lëvizje kombëtare e sociale, kanë themeluar doktrina e kanë zhvilluar ideologji të skajshme. Në histori nuk funksionon fati i paracaktuar,

Enver Hoxha me Dushan Mugoshën dhe Miladin Popoviç
rastësia çan përmes konvergjimit të faktorëve objektivë e subjektivë në një situatë konkrete. Ligjësia e zhvillimit historik nuk përcaktohet nga kapriciot përjashtimore, por nga rezultantja e veprimit të një tërësie veprimesh e fenomenesh. Emri i Enver Hoxhës në historinë moderne të Shqipërisë është një fenomen që nuk mund të shpjegohet jashtë kontekstit të ligjësisë së zhvillimit historik të vendit. Në mos Enver Hoxha, një emër tjetër do të bëhej udhëheqësi i PKSH. Do të ishte më i mirë apo më i keq se ai, këtu supozimet kanë një fushë të madhe lirie. Enver Hoxha si personazh historik ka marrë vlerësime kontradiktore, ekstreme dhe spekulative për rolin e tij në themelimin e PKSH. Është quajtur iniciatori, themeluesi dhe organizatori i PKSH. Nga të tjerë është quajtur një gjetje rastësore për të respektuar balancën e përfaqësimit të pjesëmarrësve të mbledhjes themeluese të PKSH nga pikëpamja fetare. Mjaft të tjerë zgjedhjen e tij në krye të PKSH e kanë cilësuar si një vullnet e diktim të Miladin Popoviçit, që pa te Enver Hoxha një stalinist, siç ishte edhe ai vetë. Ky vlerësim është ushqyer edhe nga çfarë ka deklaruar vetë Enver Hoxha në Plenumin II të KQ të PKSH, në nëntor 1944, në Berat, në një nga momentet më të vështira e më dramatike të jetës së tij politike. Enver Hoxha nuk ka qenë as iniciator dhe as i vetmi themelues i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Ai ka qenë njëri nga 15 pjesëmarrësit shqiptarë në Konferencën themeluese të saj. Vonë, me pëlqimin e imponimin tij e me zellin e njerëzve që e rrethonin, madje edhe bashkëpjesëmarrës në ngjarjen e 8-14 nëntorit 1941 u ngrit miti i iniciatorit, themeluesit e organizatorit të PKSH. Nuk ka diskutim që ka qenë një shtrembërim flagrant i realitetit historik. Teza e shumëpërfolur për ndodhjen e rastësishme të Enver Hoxhës në mbledhjen themeluese nuk është logjike dhe e mbështetur në fakte. Le t’i marrim me radhë ato e t’i shqyrtojmë për të parë se ku është ngritur i gjithë ky konstruksion ahistorik e jorealist. Nuk do të bëjmë biografinë e Enver Hoxhës dhe as do të gërmojmë në jetën e tij private e rinore për të shpjeguar atë çfarë ndodhi në nëntor 1941. Enver Hoxha nuk ishte një “i panjohur”, sidomos pas vitit 1939. Ai kishte marrë pjesë aktive në demonstratat e organizuara në Korçë kundër pushtimit fashist të Shqipërisë, dhe kjo është e dëshmuar në dokumente të padiskutueshme të regjimit fashist, aq sa u pushua nga puna edhe u vendos në
Paskal Milo
Tiranë. Po kështu, është e njohur se ai në Korçë e në Tiranë në fillim ka qenë afër grupit komunist të Korçës për t’u bërë pastaj një anëtar aktiv i tij. Ndryshe, ai nuk do të ndodhej në krye të demonstratës më 28 tetor 1941, ku u përlesh me karabinierët dhe goditi me grusht edhe kapitenin e tyre. Edhe për këtë ngjarje ka dëshmi të pastër dokumentare të policisë fashiste dhe pas të cilës Enver Hoxha kaloi në ilegalitet. Ai mori pjesë në bisedimet me emisarët jugosllavë në krah të Koço Tashkos, së bashku me Koçi Xoxen, Pandi Kriston e të tjerë për bashkimin e grupeve komuniste. A mund të thuhet pas këtyre fakteve të padiskutueshme se ai ishte “i panjohur” dhe se Koço Tashko e mori atë rastësisht e në momentin e fundit në mbledhjen themeluese të PKSH? Një thënie e tillë që i atribuohet Koço Tashkos në ditët fatkeqe të burgosjes së tij nga ish-miku e shefi i tij dhe e përcjellë përmes një tjetri nuk është argument. Koço Tashko nuk ka lënë gjurmë të tilla dokumentare, qoftë edhe në formën e kujtimeve. Përkundrazi, ai ka lënë kujtime të shumta që ndodhen në AQSH e në arkivin e familjes së tij dhe që në këtë libër shfrytëzohen për herë të parë, në të cilat ai jep vlerësime me shkrim, ndryshe nga “argumentet” që citohen nga të tretë në emrin e tij. Në vitin 1949, Koço Tashko ka shkruar mbi 5 faqe kujtime për Enver Hoxhën me titull “Nga jeta dhe lufta e Enverit” (përpara 8 nëntorit 1941), ku ka dëshmuar qartë aktivitetin e tij para themelimit të PKSH, kur “Enveri ish në krye të punës në Tiranë”. Madje ai kujton se “ndodhesha në dyqanin ‘Flora’ kur hafijet e fashizmit hynë për të arrestuar Enverin”. Në një raport mbi krijimin e grupeve komuniste në Shqipëri prej 58 faqesh, Koço Tashko në faqen 30 shkruan: “Nga fundi i vitit 1939 dhe fillim 1940, grupi (i Korçës-P.M) mori edhe disa masa organizative, me qëllim që të forcojw punën e tij në Tiranë e gjetkë. Kështu, në Tiranë ardhën për të qëndruar definitivisht Pilo Peristeri, Sotir Vullkani, Enver Hoxha, i cili qe pushuar nga autoritetet si element antifashist…” Po në këtë raport, në faqen 31 ai kujton se “në fillim të vitit 1941, në Tiranë filloi shpërndarja e trakteve kundër okupatorit. Këto redaktoheshin nga shokët e grupit të Korçës, Enver Hoxha, Sotir Vullkani e të tjerë, shtypeshin ilegalisht në shtypshkronjën nga shoku Mihal Duri dhe shpërndaheshin në të gjitha drejtimet”. Enver Hoxha mori pjesë si përfaqësues i grupit të Korçës në mbledhjen themeluese, jo se ishte mysliman. Pa e përjashtuar rëndësinë e këtij fakti, kur katër përfaqësuesit e tjerë ishin të besimit ortodoks, ai u përzgjodh edhe se ishte intelektual e të tjerët ishin punëtorë, se dinte të fliste e të shkruante me kulturë. Pra, Enver Hoxha në nëntor 1941 nuk ishte një “i panjohur”, por anëtar i grupit të Korçës, aktiv dhe përfaqësues i elitës së tij. Madje, Koço Tashko në kujtimet e tij ka pohuar që jo vetëm nuk e zgjodhi rastësisht Enver Hoxhën, por thotë se e parapëlqeu me ndërgjegje edhe para Ymer Dishnicës, të cilin e kishte pagëzuar me nofkën “bejlurçinë” dhe Nako Spirut. Dishnica, sipas tij, “ish i pakënaqur me mua, sepse nuk e kisha caktuar të marrë pjesë në mbledhjen e grupeve që formoi partinë. Si më i vjetër komunist që ish, i takonte atij dhe jo Enver Hoxhës të bënte pjesë në delegacionin e grupit të Korçës (Një pakënaqësi tanimë të këtillë e kish pasur me mua edhe Nako Spiru). Mirwpo, unë kisha arsye të forta të mos caktonja as njërin e as tjetrin për të marrë pjesë në mbledhjen e grupeve”. Ata që kanë zhvilluar tezën e “të panjohurit” për Enver Hoxhën, më tepër janë nisur nga predispozita politike për ta denigruar si ish-kreun e regjimit komunist. Mjaft prej tyre nuk duan të marrin në konsideratë një nga parimet bazë të shkencës historike në të gjithë botën: vendosjen dhe gjykimin e ngjarjes e të personalitetit historik në kohën kur ajo ka ndodhur dhe ai ka vepruar. Çështja e dytë e lidhur me Enver Hoxhën në mbledhjen themeluese të PKSH është teza se ai u zgjodh në Komitetin Qendror të përkohshëm e më vonë si sekretar politik nga Miladin Popoviçi. Për këtë, ndër të tjera, shfrytëzohen edhe fjala dhe diskutimi i Enver Hoxhës në Plenumin II të KQ të PKSH më 23-27 nëntor 1944 në Berat. Ky qëndrim është interpretuar si “e para autokritikë e sinqertë” e Enver Hoxhës. E vërteta është se aty ka mjaft pohime për rolin dhe ndikimin e PKJ e të emisarëve të saj në Shqipëri. Enver Hoxha, më tepër se çfarë mund të mendohet, se ka qenë i sinqertë, ka manovruar taktikisht për t’u shpëtuar goditjeve e për të ruajtur pozitën drejtuese në PKSH në pragun e çlirimit të Shqipërisë, kur dukej qartë që pushteti do të binte në duart e saj. Zbulimi i dokumenteve të reja, veçanërisht ato të mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të PKSH, dhjetë ditë para Plenumit, më 12 nëntor, tregojnë se Enver Hoxha nuk ishte i papërgatitur. Ato çfarë ai dëgjoi më 23-27 nëntor, i kishte dëgjuar ditë më parë, prandaj ai jo me sinqeritet, por taktikisht pranoi disa gabime, hodhi edhe gurë kundër Miladin Popoviçit e Dushan Mugoshës vetëm për të zbutur goditjen e shokëve të tij, të ndërsyer kundër nga i deleguari i ri jugosllav, Velimir Stojniçi. Enver Hoxha ka pranuar se në fillim nuk ka qenë anëtar i grupit të Korçës, por thjesht një simpatizant dhe se në Komitetin Qendror të përkohshëm kishte hyrë me propozimin e Koço Tashkos. Kjo ishte e vërtetë. Ai u emërua profesor në Liceun francez të Korçës në vitin 1937, ndërkohë që grupi komunist në këtë qytet ishte krijuar që në vitin 1928. Ai u afrua gradualisht në grup, siç thotë vetë në fillim si simpatizant e më vonë si anëtar. Por, kur erdhi në Tiranë, siç shkruan edhe Koço Tashko, ai ishte anëtar i grupit komunist të Korçës. Nuk ka dyshim që Enver Hoxha është ndihmuar e mbështetur nga Miladin Popoviçi. Vetë ai ka deklaruar në Berat: “Si u bë që unë qëndrova pranë Aliut?(pseudonimi i M.Popoviçit-P.M.) Këtë s’e di. Por fakti është që unë qëndrova. Erdhëm në Konferencën e Vendit. Unë këtu dukesha si më i preferuari i Aliut. Ai kishte besim të madh tek unë. Unë gjithashtu tek ai… Ai s’kishte besim tek asnjeri veç meje… di që Aliu mbrojti tezën që unë të isha sekretar politik”. Përzgjedhja e Enver Hoxhës për t’u mbështetur nga Miladin Popoviçi mund të ketë mjaft arsye, disa prej të cilave i ka përmendur edhe Dushan Mugosha. Pas vrasjes së Qemal Stafës, në KQ të përkohshëm mbizotëronin si anëtarë elementët punëtorë. Ishte normale që në drejtim të PKSH do të vendoseshin njerëz që kishin një nivel më të lartë politik e kulturor, sepse kudo, në të gjitha punët, ky kriter është kryesor. Nga kjo pikëpamje, me gjithë respektin për profesionet e metalpunuesit, të zdrukthëtarit apo të furrxhiut, nuk mund që ata të vlerësoheshin më tepër sesa një intelektual, profesor, që dinte të artikulonte qartë idetë e qëndrimet e që shkruante lehtë e shpejt, siç thoshte Dushan Mugosha. Një argument tjetër në favor të kandidaturës së Enver Hoxhës ka qenë se ai ishte zgjedhur që në fillim sekretar politik i PKSH për qarkun e Tiranës, qarku më i rëndësishëm dhe kryeqyteti i vendit. Enver Hoxha, pas krijimit të PKSH, u tregua aktiv në luftën kundër fraksionistëve dhe e rriti autoritetin e tij në parti. Ndonëse në dukje pa rëndësi, Miladin Popoviçi, me aq sa dinte, komunikonte në gjuhën frënge me Enver Hoxhën. Anëtarë të tjerë të KQ të përkohshëm që mund ta rivalizonin si Koçi Xoxe, ishte në burg, Gjin Marku ishte mbyllur në Berat, atje ku ishte caktuar me detyrë. Më vonë, në 1942- shin, është thënë se në KQ të përkohshëm u kooptuan edhe Ymer Dishnica, Liri Gega, Bedri Spahiu e Nako Spiru. Udhëheqja e PKSH mori një profil më tepër intelektual dhe në mënyrë të veçantë niveli dhe kultura profesionale e politike e Ymer Dishnicës dhe Nako Spirut përfaqësonin një rrezik për ambicien e Enver Hoxhës për të dalë në krye të saj. Ramadan Çitaku mohon që ata u kooptuan në këtë kohë, por pranon se Ymer Dishnica, Nako Spiru e Liri Gega thirreshin herë pas here në mbledhjet e KQ të përkohshëm. Në Konferencën e Vendit, Ymer Dishnica u propozua për sekretar i përgjithshëm i KQ të ri, por ai nuk pranoi. Në fillim nuk pranoi as edhe Enver Hoxha mbas propozimit të bërë nga Ymer Dishnica e të mbështetur nga Miladin Popoviçi. Ai vetë ka dëshmuar se propozimi “më ra si nga qielli, prandaj u thashë që nuk e bëja dot. E refuzova në fillim, pse m’u duk e zorshme detyra e sekretarit politik, pasi unë s’kisha bërë as më pak e as më shumë se shokët e tjerë”. Enver Hoxha, përfundimisht e zyrtarisht në mars të 1943- shit, u zgjodh në krye të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Patjetër, në radhë të parë për meritë të punës e të ambicies së tij, e pastaj edhe të mbështetjes që i dha Miladin Popoviçi. Në 19 prill 1943, Popoviçi i dërgoi një letër të gjatë Titos, ku e informonte për Konferencën I të Vendit të PKSH e në të cilën i dërgoi edhe nga një karakteristikë të shkurtër të anëtarëve të Byrosë Politike që u zgjodhën aty. Për Enver Hoxhën, që e quan sekretar i përgjithshëm, shkruante: “I aftë për drejtues, është rritur shpejt dhe është luftëtari më i fortë për pastrimin e partisë, organizator i mirë, i vendosur, i mungon ngritja teorike. Personaliteti më popullor në parti, anëtar i grupit ‘Korça’ para katër vitesh”.
vijon…

PASKAL MILO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura