Milo, përgjigje Schmittit: Pse lufta e Skënderbeut s’ishte hakmarrëse

Jan 15, 2018 | 16:00
SHPËRNDAJE

Edhe pse mbushen 550 vjet që nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, ende nuk kanë përfunduar debatet rreth figurës së tij, origjinës apo qëllimit të luftës së tij.

Madje, viteve të fundit duket sikur debatet janë bërë edhe më të zjarrta. Pas viteve ’90, me ndërrimin e sistemeve dhe të konfigurimit të figurave historike, por edhe me evoluimin e shkencës së historiografisë, pa dyshim, që do të “vinte radha” edhe te Skënderbeu.

PASKAL-MILO-678x381

Përveç linjës së kahershme zyrtare mbi figurën e heroit, filluan të hidhen edhe teza të reja mbi të. Nuk do të kalonte pa bërë bujë libri “Skënderbeu” i historianit Oliver J. Schmitt, i cili do të provokonte qarqet e historianëve, por do të trandte edhe gjithë shqiptarët me tezën e tij se lufta e Skënderbeut kishte karakter hakmarrës. Ai u hakmor ndaj sulltanit për vrasjen e të atit.

Kjo linjë që parashtron Shmitt, u mbështet nga një grup intelektualësh, të cilët e shihnin të udhës se edhe Skënderbeu duhet të kalonte përmes procesit të “çmitizimit”. Por, po ashtu, pati edhe shumë kundërshtarë, sidomos nga historianët e kësaj periudhe. Gjatë vitit që shkoi, Skënderbeu u vendos sërish në qendër të vëmendjes. Ishte analisti Mustafa Nano, që pas botimit të librit të tij “Sandwitch: A është mirë me qen shqiptar”, do të shprehej gjatë një bisede se nëna e Skënderbeut ishte sllave. Kaq u desh që të shpërthente një valë debati, që përfshiu intelektualë dhe shqiptarë, duke dëshmuar edhe njëherë ndjeshmërinë që kanë shqiptarët kundrejt figurës së Skënderbeut.

Një debat që degjeneroi deri në fyerje mes “palëve”. Sa u përket historianëve të periudhës, ata qëndruan pak të tërhequr, duke mos i dhënë shumë rëndësi një teze të hedhur jo nga një anëtar i radhëve të tyre. Por në vigjilje të 550-vjetorit të vdekjes së heroit, duke qenë që edhe qeveria e ka shpallur këtë vit si viti i Skënderbeut, historianët po përpiqen të hedhin dritë pikërisht në këto linja, ku figura e Skënderbeut është “sulmuar” më shumë. Një ndër ta është edhe historiani Paskal Milo, që u përgjigjet tezave apo debateve të bëra gjatë kësaj periudhe për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Ndërsa filozofi akademik Artan Fuga sjell një këndvështrim të ri mbi trajtimin e figurës së Skënderbeut.

PASKAL MILO

Çdo përvjetor i ngjarjeve apo i personaliteteve të mëdha kombëtare është gjithnjë një shtysë e mirë për të reflektuar e për t’u thelluar në studimin e mëtejshëm të tyre, për të nxjerrë nga këndvështrime të reja anët më pak të njohura e të ndriçuara të tyre. Përvjetori i 105-të i krijimit të shtetit të pavarur shqiptar si dhe 550-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut janë më shumë se një arsye madhore për të analizuar këtë binom historik kombëtar në retrospektivën e tij. Rezistenca çerekshekullore arbërore kundër pushtimit osman në shekullin XV dhe akti i shpalljes së Pavarësisë shqiptare më 28 nëntor 1912 në Vlorë, janë fillimi dhe fundi i një procesi të vështirë e shumëshekullor për mbijetesë e liri si komb. Nata e errët e sundimit osman, që ra në trojet e Arbërisë pas vdekjes së Skënderbeut, i shkëputi ato nga rrjedha natyrore e zhvillimit europian dhe i zhyti në humnerën e harresës si etni e si komb. Kuvendi Kombëtar i Vlorës me në krye Ismail Qemalin ringjallën lirinë dhe kombin dhe i dhanë udhë afirmimit dhe forcimit të identitetit e të shtetit kombëtar shqiptar. Skënderbeu dhe Ismail Qemali janë dy emblema në kurorën e historisë kombëtare dhe pika të patjetërsueshme reference të saj të lidhura pazgjidhshmërisht. Këtë lidhje plaku i Vlorës e ka skalitur përjetësisht në kujtesën historike me këto fjalë: “Menjëherë pas votimit, të gjithë dolën nga salla për të ngritur lart në shtëpinë time – në atë shtëpi ku kisha lindur e ku kishin jetuar stërgjyshërit e mi – mes brohoritjesh të mijëra njerëzve, flamurin lavdiplotë të Skënderbeut, i cili kishte fjetur i palosur gjatë këtyre 445 vjetëve të fundit. Ishte një çast i paharrueshëm për mua dhe ndjeva duart si më dridheshin emocionesh shprese e krenarie kur po ngulja në ballkonin e shtëpisë sime të hershme flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Dukej sikur shpirti i heroit të pavdekshëm ndriti atë çast si një dritë e shenjtë përmbi kokat e njerëzve”. Ndonëse vepruan në kohë e rrethana krejtësisht të ndryshme, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Ismail Qemali kishin ideale, aspirata e cilësi të përbashkëta. Ndër to, ata kishin të njëjtin vokacion europian, luftuan për Arbëri e Shqipëri europiane. Lufta e Skënderbeut kundër sulltanëve osmanë ka krijuar epokë në historinë shqiptare. Si e tillë ajo ka qenë objekt histori shkruarje, krijimtarie letrare e artistike që në shekullin e XVI nga shqiptarët, por më tepër nga të huajt.

Aq shumë është shkruar, saqë sot çdo krijues do ta kishte tepër të vështirë për të pretenduar se mund të sillte elemente të reja si kontribute realiste në vështrimin e Skënderbeut e të epokës së tij. Figura e Skënderbeut dhe lufta e shqiptarëve nën udhëheqjen e tij është trajtuar në shekuj nga historiografia, letërsia dhe artet europiane e botërore. Me rreth njëmijë vepra të gjinive të ndryshme në gjuhë të huaja ai mbetet emblema më e njohur historike shqiptare nëpër botë. Mijëra e mijëra vlerësime i janë bërë Skënderbeut dhe veprës së tij. Ndër të parat radhiten ato të poetit të njohur francez të shekullit të XVI, Pjer dë Ronsar (Pierre de Ronsard) që i zbuloi dhe i botoi Faik Konica në revistën e tij “Albania” në vitin 1900. Ronsari e cilësonte Gjergj Kastriotin si pasardhës të Akilit e të Pirros, si “shumë i madh i epirot”, si “nder i shekullit”. Një francez tjetër i shekullit të XIX, mes shumë të tjerëve, historiani, M.Camille Paganell, do të shkruante:”Për nga përmasat e natyrës së tij morale, për nga cilësitë e tij luftarake, për nga mrekullitë e një kurajoje që duken si përrallë, Skënderbeu i përket falangës së pavdekshme të burrave të mëdhenj të Pluturakut, por me besim në zemër dhe aureolën kristiane në ballë”.Jo më pak vlerësime do të shprehte në të njëjtën periudhë një historian gjerman, Jacob Fhilipp Fallmerayer, që e cilësonte Skënderbeun si “Ajaksi i Kontinentit Ilir”. Këtu nuk është vendi për të folur për bëmat e njohura të tij dhe të arbërorëve në shekullin e XV kundër osmanëve aziatikë. Historia e Skënderbeut është kaq shumë popullore aq sa është pjesë e qenies identitare të kombit shqiptar. Synimi është që në kontekstin aktual të bëhet një ballafaqim mes tezave të vjetra e të reja historiografike e publicistike, shqiptare e të huaja rreth figurës së Skënderbeut dhe karakterit të luftës së tij antiosmane në udhëheqje të shqiptarëve.

Pse është e nevojshme kjo? Sepse vitet e fundit, në respekt të lirisë së mendimit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, etj., kanë qarkulluar në formën e librave, artikujve apo edhe statuseve në rrjetet sociale interpretime nga më të ndryshmet e veçanërisht teza të huazuara nga autorë të ndryshëm të huaj. Sigurisht që nuk do të kishte asnjë të keqe riqarkullimi i vlerësimeve që kanë bërë të huajt në shekuj për Skënderbeun që në kohën e tij u kthye në mit. Shekujt vunë mbishtresa në substratin e interpretimeve e tregimeve historike rreth tij. Duke respektuar mitin njerëzit kanë të drejtë të tentojnë të njohin njeriun konkret e real historik.

Prandaj edhe rishikimi i disa tabuve në dritën e së vërtetës historike është i dobishëm dhe e bën më të besueshme dhe më tokësore të vërtetën historike. Por duhet pasur kujdes që “rizbulimi” në opinion i disa të vërtetave relative e të diskutueshme historike të mos bëhet qëllim në vetvete për konsumin opinionist të ditës. Mitizimi i historisë apo i personaliteteve historike nuk është fenomen shqiptar, por edhe i fqinjëve por edhe evropian. Debatet për origjinën e Skënderbeut apo të nënës së tij apo edhe për karakterin e luftës së tij nuk janë të reja dhe nuk i sjellin opinionit veçse lëndë për të ricikluar në rrethanat aktuale një histori të vjetër e shumë të njohur në historiografinë e vendeve fqinje e në atë europiane. Ato edhe pa dashje inkurajojnë qarqe ekstremiste me kulturë të ulët nën influencën e fondamentalizmit islamik dhe të ideologëve neootomanë, shqiptarë e të huaj që të fyejnë e të denigrojnë figurën e Skënderbeut, të tentojnë të vënë dorë në simbolet, statujat e ngritura në kujtim të tij dhe të shtrembërojnë historinë kombëtare në një moment lavdie e nderimi për të. Prekja e mitit është një thikë me dy presa.

Ai duhet të lihet të jetojë aty ku ka qenë në shekuj. Shqiptarëve u ka bërë veç mirë. Çështje madhore historiografike dhe jo vetëm e tillë ka qenë ajo e karakterit të luftës së arbërorëve nën udhëheqjen e Skënderbeut në shekullin e XV. Kronistët dhe historianët osmanë dhe pasardhësit e tyre turq e kanë parë e trajtuar këtë luftë si “tradhti”, rebelizëm e mosmirënjohje të Skënderbeut ndaj sulltanëve.

Mjafton të përmendet kronikani i Sulltan Mehmetit II, Tursun Beu, bashkëkohës i Skënderbeut që e cilësonte udhëheqësin e arbërorëve si “komandanti i një bande mëkatarësh të pafe” e “djall tundues”. Në karakterin e racës shqiptare, shkruante Tursun Beu, “kanë hedhur rrënjë mosbindja, këmbëngulja, rebelimi e arroganca”. Ky këndvështrim i njëanshëm e jo shkencor nuk u jep atyre kredibilitet si burime të besueshme e si referenca objektive historiografike. Ka edhe historianë që luftën e Skënderbeut e shohin të nxituar nga motive krejt personale, si një hakmarrje e “konflikt personal me derën e Osmanëve” për shkak të vrasjes së babait të tij, Gjon Kastriotit.

Vihet në pikëpyetje nëse Skënderbeu “do të kishte ngritur krye sikur Sulltani të mos ia kishte vrarë babanë”. Ka të tjerë që si shkak kryesor në përgatitjen e kryengritjes shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut nxjerrin refuzimin e Sulltanit për ta caktuar Gjergj Kastriotin si sanxhakbej në tokat e familjes së tij. Vështrime të tilla edhe kur nuk trajtohen si motiv kryesor i një lufte epokale kanë karakter subjektivist dhe janë të ndikuara nga modelet kalorsiake të letërsisë historike europiane. Thelbi i natyrës së luftës së arbërorëve, nën udhëheqjen e Skënderbeut, duhet kërkuar duke u vendosur në kohën kur u zhvillua dhe në rrethanat e brendshme dhe ndërkombëtare të saj. Për të përcaktuar karakterin e kësaj lufte u duhet dhënë përgjigje tri pyetjeve: A ishte luftë për liri apo për të fituar e zgjeruar zotërimet feudale? A ishte luftë në emër të mbrojtjes së krishterimit? A ishte një luftë në mbrojtje të identitetit politik e qytetërimit europian apo thjesht një detyrim në mirënjohje të mbështetjes europiane për rezistencën e tij antiosmane? Rezistenca e arbërorëve kundër pushtimit e sundimit osman kishte filluar disa dhjetëra vite para epokës së Skënderbeut. Fisnikëria arbërore sikurse edhe ajo ballkanase, në përgjithësi, nuk pati forca dhe organizim që t’u bënte ballë osmanëve.

Aktet e rezistencës lokale, por edhe të asaj ballkanike si beteja e Fushë- Kosovës e vitit 1389 nuk ishin në gjendje të ndalonin rrebeshin osman. Në fund të shekullit XIV osmanët thuajse zotëronin të gjithë tokën arbërore me përjashtim të disa territoreve bregdetare, që u vendosën nën administrimin e Venedikut. Përjashtim, deri para ardhjes së Skënderbeut, bënte gjithashtu një rrip i ngushtë bregdetar nga Vjosa deri në Gjirin e Artës, në të cilin Himara e vendet rreth Pargës e Sulit konsideroheshin, siç shkruan Fallmerayer, si “pikëmbështetje kryesore të pavarësisë shqiptare”. Fisnikët shqiptarë u bën vasalë të Sulltanit, paguanin haraç vjetor dhe plotë- sonin detyrime të tjera të imponuara nga osmanët.

Revoltat e tyre nuk munguan edhe më vonë, por të përçarë e pa mbështetje ato përfundonin me rrjedhoja edhe më shkatërruese për popullsinë e mbetur arbërore. Lufta arbërore nën udhëheqjen e Skënderbeut në thelbin e saj ishte luftë për liri për sa kohë ajo në radhë të parë u drejtua kundër pushtuesve osmanë të ardhur nga Azia. Në 28 nëntor 1443 në Krujë kur Skënderbeu u shpall zot i principatës së trashëguar të Kastriotëve, ai ngriti aty flamurin e kuq me shkabën dykrerëshe në mes. Sipas bashkëkohësit të tij, historiografit humanist retorik, Marin Barleti nga Shkodra, zoti i ri i Krujës u shqiptoi krutanëve e bashkëluftëtarëve të tij fjalët tashmë të njohura e proverbiale se “Lirinë nuk e solla, por e gjeta unë këtu… Armët nuk jua solla unë, por ju gjeta të armatosur. Lirinë e pashë se e kini kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat…”. Edhe sikur këto fjalë të jenë në traditën e në stilin panegjirist të historiografisë humaniste retorike, Barleti ka reflektuar mesazhin që Skënderbeu i përcolli atë fund nëntori popullit të Krujës dhe thirrjen e tij për bashkim e për çlirim të trojeve të tjera arbërore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura