Millosheviq, Karaxhiq Mlladiq-Treshi kriminal serb i shekullit 20

Dec 11, 2017 | 11:48
SHPËRNDAJE

sami repishtiSAMI REPISHTI*

Me 29 nandor 2017, në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavinë, gjenerali kroat, Slobodan Praljak, komandant i forcave ushtarake kroate në Bosnje-Hercegovinë, porsa mori vendimin e Gjykatës së Apelit: dënim  me 20 vjet burg për krime të ushtrueme nga forcat nën komandën e tij kundër popullsisë boshnjake myslimane në qytetin Mostar posaçërisht, ku kanë mbetë të vdekun mijëra viktima të pafajshme, në prezencën e të gjithë të pranishëmve piu nji gotë helmi, përbuzi Trupin Gjykues dhe vdiq tue reklamue pafajësinë.

Ky akt “teatral”, me gjithë tragjiken e aktit të vdekjes-akoma ma i theksuem i vetëvrasjes-përmban edhe një element komik, që nuk i shpëton vrejtësve të botës mbarë. Akti u pa si nji “publicitet” për ndjekësit e tij. Akoma ma e randë ishte sjellja e disa autoriteteve kroate, që ngritën këtë akt në piedestalin e nderit të popullit kroat. Nji qëndrim i këtill më tronditi! Krimineli, sidomos ai që dënohet nga nji Gjykatë serioze ,siç ashtë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, nuk mund të transformohet artificialisht me nji gjest dramatik e publik, që nuk justifikon veten, as shërben si shembull pozitiv për breznitë e ardhme.

Vrasja, vetëvrasja e çdo formë tjetër që mund të marrë asgjasimi i pareparueshëm i nji jete njerëzore duhet dënue pa hezitim. Sot, në botën e qytetnueme ashtë eliminue me ligj “dënimi me vdekje”, si “nji ndëshkim i egër dhe i jashtëzakonshëm”. Dhe, për mendimin tim, ashtu duhet të jetë!

***

Bota shijoi fillimin e shekullit XX, sidomos Europa, me shpresën e hapjes së nji shekulli tëri, ma të mirë, ma paqësor dhe ma njerëzor. Fatkeqësisht, u vërtetue e kundërta. Për njiqind vjet me radhë, na dëshmuem zhvillime politike, që kthyen këtë shekull në shekullin ma barbar dhe ma të përgjakshëm në historinë botënore: konflikte të vazhdueshme lokale, dy lufta botërore shkatërrimtare, holokaustin e kampet e përqendrimit, lindjen dhe zhvillimin e tri diktaturavekomunizëm (1917), fashizëm (1922), nazizëm(1933)-që pothuajse fundosën qytetnimin tonë mijëvjeçar, kushtuen jetën e milionëve të pafajshëm dhe në kondita të paimagjinueshme, pleq e të rinj, gra e fëmijë të masakruem, të gazuem, të djegun për së gjalli në krematoriumet naziste, të ngrimë në akullnajat e gulagëve sovjetikë, ose të dërmuem në tortura të burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit “të Kampit të Madh Socialist”…..!

Që nga viti 1900, zbulime shkencore mahnitëse u banë me nji shpejtësi marramendse që na dhuruen nji përparim material të papamë; por fatkeqësisht, në kontrast “brutal”, sepse përjashtuen pjesën ma të madhe të popullsisë botënore: të pazhvilluemët, të paushqyemët. Si bekim apo si mallkim, zbërthimi i atomit dhe zhvillimi i energjisë nukleare na zbuloi nji aktualitet tragjik, që rrezikonte vetë ekzistencën tonë si racë njerë- zore: asgjasimin tonë fizik!

Kështu mund të kuptohet “ankthi” (Angst) që na ka mbërthye. Konceptet tona psikologjike, morale e metafizike zhvillohen me shpejtësi me qëllim të kapen zhvillimet shkencore moderne që vejnë në pyetje të gjitha këto koncepte tona. Bota ka nevojë për stabilitet, sepse pa stabilitet, nuk mund të themelojmë nji shoqëni të urtë dhe të përjetë- sojmë nji qytetnim që na përshtatet. Për fat të keq, pa sukses! Kështu, dashje ose pa dashje, gjindemi në detin e “ankthit” që na rrethon. Tmerret e Luftës I dhe të II Botënore provojnë se jemi në gjendje me krijue dhe me jetue në botën e barbarizmit, megjithëse deklarojmë se jemi “të qytetnuem”.

Jetojmë në pritje të “Apokalipsit”, frikësohemi se ka ardh fundi i botës, shpeshherë pa qenë plotësisht të ndërgjegjshëm për këtë finale; ose pa gjetë fuqi të mbrendshme e të mjaftueshme me tentue evitimin e katastrofës. Në letërsi, kjo pozitë e vështirë e dëshpruese tregohet me balancën tonë në mes “të qenies njeri me dinjitet” dhe “boshllëkut të plotë”! Le të kujtojmë fashizmin, nazizmin, komunizmin; le të kujtojmë ideologjitë kundërshtare: totalitarizmin e demokracinë. Sepse, ndiejmë lehtësim me shikue të kaluemen e me zbulue “gabimet” e historisë, me ridimensionue emocionet tona që kemi përjetue ma parë – tue i krahasue ata me ato të sotmet.

Nji histori, që nuk qetëson, por trazon e kërkon, ashtë histori e mirë. Ashtë kjo histori “e mirë” që na pajisë me vullnet dhe na forcon bindjen me dënue përsëritjen e terrorit të jetuem. Unë shikoj sot terrorin e agresionit kriminal të popujve të ish-Jugosllavisë kundër njeni-tjetrit dhe sidomos agresionin kriminel serb në hapësinën shqiptare në ishJugosllavinë si dhe agresionin kriminel serbo-kroat në Bosnje-Hercegovinë kundër popullsisë myslimane, me ndjenjën e çmendurisë së tyne dhe vrapimit mbas andrrës shekullore për krijimin e perandorive mesjetare të harrueme në kurriz të popujve autoktonë. Si qenie njerëzore me arsye dhe ndërgjegje, unë i dënoj!

***

1) Slobodan Millosheviq, i njohun publikisht si “kasapi i Ballkanit” konsiderohet si përgjegjësi i parë kryesor i shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, rezultat i politikës ekspansioniste në krijimin e nji “Serbie të Madhe”, dominuese e ish-Federatës Jugosllave.

I zhgënjyem nga paaftësia e tij, si president i Serbisë ma parë dhe i Jugosllavisë ma vonë, me gjetë nji zgjidhje paqësore problemit “nacional” për këtë shtet multinacional, që refuzoi supremacinë serbe mbi Federatën, ai luftoi kundër Kushtetutës së vitit 1974, që margjinalizoi pushtetin serb mbi Federatë dhe për paaftësinë e tij politike me “paqësue” trazimet e popullsisë shqiptare, sidomos në Krahinën e Kosovës, popullsi që kërkonte liri e barazi, në fillim, dhe pavarësi të plotë ma vonë, të fitueme në qershor 1999 dhe formalisht me 17 shkurt 2008, me proklamimin solemn të pavarësisë dhe njohjen ndërkombëtare të saj.

Ma në fund, Millosheviqi preferoi luftën e ngrohtë e shkatërrimtare, që kushtoi ma shumë se 100.000 viktima, nga të cilët ma shumë se 12.000 kanë qenë shqiptarë të pafajshëm të Kosovës dhe zonave të banueme nga shqiptarët në ish-Jugosllavi. Ma shumë se dy milionë refugjatë, gjysma e tyne shqiptarë, mijëra gra e vajza të dhunueme nga ushtarët barbarë, humbjen e thesareve kulturore, artistike e dokumentacionin shtetnor, përveç miliardave dollarë damesh ekonomike, vetëm në Kosovë…!

Qëllimi i tij? Komandanti i forcave aleate të Nato-s në vitin 1999, Gjenerali Wesley Clark, shkruen në kujtimet e tij takimin me Presidentin Millosheviq, para se të fillonte bombardimin aleat të trupave serbe në Kosovë:

“Gjatë takimit me Presidentin Millosheviq për krimet në Kosovë, ai u përgjegj me nji pyetje:

-Ç’keni ju amerikanët? Pse përzieheni në problemin e Kosovës? Lëreni në duert tona… Ne dijmë si ta zgjidhim… E kemi ba edhe ma parë…

– Si e keni zgjidhë, Z.President?, pyeta unë.

– Fare lehtë! I vrasim të gjithë!” ishte përgjigjja!

-Z.President”, ndërhyna unë, “Ashtë pikërisht kjo zgjidhje, që na nuk do të lejojmë…!”

Historia përsëritet, shkruejnë shumë historianë. Megjithatë, edhe nëse nuk përsëritet, ajo na mëson, na jep shembuj që nuk duhen përsëritë. Nji ironi e historisë tregon se mësimi i “historisë” nga shovinizmi serb ashtë “përsëritja” si në të kaluemen. Në botimin e saj të datës 31 dhjetor 1912, gazeta amerikane “The New York Times”, nën titullin “A Trail of Blood” (Nji rrke gjaku) shkruen: “… Oficerët serbë, të dehun nga fitoret e tyne (mbi Turqit), deklarojnë se paqësimi ma efektiv i Shqipërisë do të ishte shfarosja totale e shqiptarëve myslimanë. Kjo parullë u adoptue nga Ushtria Serbe dhe u zbatue në praktikë”.

Tragjedia e luftës civile në ishJugosllavinë, lufta kundër pavarësisë së Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e kundër Kosovës së pambrojtur, ashtë krimi ma i madh i Europës së mbasluftës, përgjegjësia e të cilit bie katërçipërisht mbi kurrizin e kriminelit komunist serb Sllobodan Millosheviq. Si akt poshtënues i kësaj figure antinjerëzore, ashtë dokumentimi sekret i gjendjes së tij psikike. Në vitin 1990, ish-Presidenti i Jugosllavisë, Borislav Joviq, kërkoi nji raport nga ministri i Brendshëm i Serbisë, Radmilo Bogdanoviq, mbi gjendjen mendore të Millosheviqit.

Përgjegja: “probleme serioze psikopatike (psychosis schizophrenica 295 dhe diabet… Mjekët e vlerësojnë gjendjen shëndetësore të shokut Millosheviq si mjaft të randë, ndërsa aftësinë për punë mjaft të reduktuese.” (Illyriapress.com, 11 nandor 2017) (Vetëhelmimi i Millosheviqit në qelinë e burgut vulos këtë përfundim profesional. Babai i tij, prift i Kishës Ortodokse serbe, bani vetëvrasje në vitin 1962. Nana e Millosheviqit, Stanislava, vari veten në litar, në vitin 1974)

2) Dr.Radovan Karaxhiq, i denuem nga Gjykata Ndërkombëtare me 40 Vjet burgim vitin e kaluem e për akuza të ngjashme, vegjeton sot në qelitë e izolueme të burgut të Hagës. Ai u msheh për shumë vite në qendër të Beogradit të Ri, si nji psikiatër i panjohun, me emnin dr.Dragan Dabiq, por i mbrojtun nga shërbimet sekrete serbe. Posa filloi agresioni serb kundër boshnjakëve të paarmatosun dhe të papërgatitun për luftë, dr.Karaxhiq hyni në veprim si President i Republika Srpska dhe komandant i forcave të armatosuna serbe në Bosnje-Hercegovina.

Nji ditë para se të merrte arratinë, ai ishte i ftuem në nji celebrim të nji familjeje myslimane, kojshi i vjetër, ku edhe vallëzoi. Të nesërmen, artileria serbe filloi bombardimin sistematik të qytetit Sarajevo, që zgjati tre vjet e gjysmë; njeni nga objektivët e parë ka qenë shtëpia e fqiut mikpritës; bombardimi shkaktoi vdekjen e ma shumë se 12.000 qytetarëve të pafaj të qytetit. Më 24 mars 2016, Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, gjeti Dr. Karaxhiqin përgjegjës për krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, veçanërisht për masakrën e Srebrenicës, korrik 1995, dhe shqiptoi dënimin.

Dr. Karaxhiq ashtë shembull tipik i nji transformimi personal nga nji njeri i thjeshtë familjar, në nji monstër të fuqishëm kur mjetet e shkatërrimit dhe agresionit vihen në duert e tia. Mania e tij e transformoi në monster të pangopun me gjakun e viktimave, dhe në ndjekës fanatik në fushatën e tij për eliminimin e jo-serbëve-në këtë rast. boshnjakëve myslimanë- për hir të zgjanimit territorial të Serbisë së Madhe. Historianët e kanë përcaktue dr.Karaxhiqin si “arkitekti i gjenocidit të Bosnjës”, për vrasjen e ma shumë se 100.000 personave, shumica civilë të pafajshëm dhe pa mbrojtje.

3) Gjeneral Ratko Mlladiq, përcaktoi Gjykata Ndërkombëtare e Hagës më 22 nandor 2017, që nga viti 1992 deri në vitin 1995, për tri vjet e gjysmë me radhë, ka qenë kryetari ushtarak i organizimit të fushatës me dë- bue myslimanët e kroatët nga vatrat e tyne stërgjyshore, me qëllim të krijimit të nji shteti homogjen serb në Bosnjën e pushtueme – “vetëm serbë”….

Shtypi ndërkombëtar thekson se viti ma i përgjakshëm i kësaj fushate, ka qenë viti 1992, gjatë të cilit 45.000 jo-serbë, pleq gra e fëmijë kryesisht, u vranë në shtëpitë e tyne ose në kampet e përqendrimit, ndërtue me plan për këtë qëllim. Mijëra të tjerë vdiqën gjatë rrethimit të Sarajevos nga serbët, të vramë me artileri ose me pushkë snajper. Pika kulminante ka qenë ekzekutimi i ma shumë se 8.000 myslimanëve boshnjakë-burra e djelm tëri deri 14-vjeçar-në qytetin Srebrenica, me urdhën direkt dhe mbiqyrje të Gjeneralit Mlladiq.

Televizioni amerikan tregoi skenat kur prindët dhe fëmijtë ndaheshin nga njeni-tjetri. Gjenerali Mlladiq fërkonte kokën e fëmijëve të terrorizuem, ndërsa urdhënonte ekzekutimin e prindërve. Ka qenë ky akt terrorist qeveritar, që ka ngritë shqetësimin ma parë të botës së qytetnueme dhe ma vonë, revoltimin e tyne. Para Gjykatës, Gjenerali kriminel serb, Mlladiq, pa lëvizje të qerpikut, ndijoi sentencën: burg të përjetshëm. Ma në fund, ai shpërtheu: “Çdo gja që ju thoni, ashtë nji gënjeshtër”, bërtiti ai kundër gjykatësit që urdhënoi nxjerrjen jashtë me forcë të gjeneralit kriminel.

Gjatë shqiptimit të dënimit, kryegjykatë- si, Alphons Orie, tha: “Krimet e Gjeneralit Mlladiq rreshtohen në mes të krimeve ma të mëdha që njeh historia e njerëzimit!” Nji gjykim i këtill nga Gjykata Ndërkombëtare njollos përjetësisht politikën e shtetit serb dhe politikanët serbë, me rrjedhime që ashtë akoma herët me gjykue…! “Gjykimi i Gjeneralit Mlladiq,” shkruen “The New York Times” me 22 nandor 2017, “ashtë nji piketë çaluese dhe ambivalente në mesin e epokave të pasigurisë në Europë”; dhe vazhdon: “Larg nga skenat e qetësueme të konfliktit ballkanik, aksionet nacionaliste, thirrjet për ripërcaktimin e kufinjëve dhe përplasjet me karakter fetar, po ngrejnë kokën përsëri, jo me krizmat e mortajave dhe krikkraket e mitrolozeve, por në rihartimin e panoramës politike” (në Europë).

Në Serbi, thirrjet për nji kthim në politikat nacionaliste të viteve 1990-ta po rriten çdo ditë. Zyrtarët e naltë e të diskredituem nga bashkëpunimi i tyne me regjimin barbar të S.Millosheviqit – dhe jo pak kriminelë të denuem nga gjykatat- po rifitojnë postet e humbuna e prominente. Në Serbi, sot, njeriu ka përshtypjen se “misioni historik i popullit serb- ndërtimi i nji Serbie të Madhe, si ajo e Mesjetës së carëve serbë-nuk ka përfundue dhe pakënaqësitë e mëdha të krijueme nga “lufta” nuk janë pakësue”.

Në fakt, shkruen gazeta, “dënimet e Millosheviqit, Karaxhiqit dhe tash së fundi edhe Mlladiqit, ka mundësi të kanë rritë ndjenjën serbe të pakënaqësisë dhe perceptimin e shumë serbëve për padrejtësi të bame kundër serbëve” (“viktimizimin e Serbise” SR). Pavarësisht nga gjykimi i dhanun, që ne të gjithë e shohim si pjesë e nji fushate kundër Serbisë, Ratko Mlladiq mbetet për serbët nji legjendë e kombit serb, deklaroi udhëheqësi serb i Krahinës autonome serbe në shtetin e Bosnje-Hercegovinës, territori i spastruem etnikisht nga forcat e Gjeneralit Ratko Mlladiq.” (22.XI.2017)

Ajo që viktimat boshnjake shohin në trajtimin e tyne nga politika e Fuqive të Mëdha ashtë, “se serbët kanë pas sukses me avancue ambiciet e tyne territoriale me anë të agresionit dhe se asgja nuk ashtë ba me mundësue nji farë jetese të përbashkët në ditë të vështira….” (Sead Munanoviq) Perceptimi i shumë serbëve për “padrejtë- si kundër kombit serb” u çfaq në Bosnje dhe në luftimet e mavonëshme në Kosovë (1998- 99). Akoma sot parulla e pankarta janë të vendosuna para Parlamentit serb në Beograd që dënojnë Bill dhe Hillary Clintonin, përgjegjës për bombardimin 78-ditor të NATO-s dhe pavarësinë e Kosovës.

Akoma sot, serbët shkruejnë: “Kosova ashtë Serbi”…. Natasha Kandiq, leader serbe e lëvizjes për të drejtat e njeriut, e tronditun nga krimet serbe në ish-Jugosllavinë deklaroi: “Ne pushuem së qenuni pjesë e Europës së qytetnueme. Tashti, na kemi mundësi me kuptue pse përparimi i jonë u ndal, dhe pse jemi transformue në nji shoqëni pa solidaritet e pa mëshirë.” Nobelistja gjermane, Herte Mueller, tue folë në Teatrin Popullor Jugosllav, Beograd, kritikoi intelektualët serbë që nuk pranojnë të ballafaqohen me krimet.

“Askush nuk flet për krimet”, dhe “Serbia gjithmonë i ka shkaktue të këqijat vetes”,… “qytetarët e saj duhet të jetojnë me këtë të vërtetë se ata vetë kanë shkaktue vuejtjet që përjetojnë dhe bombardimet e NATO-s të vitit 1999.” Përfaqësuesi i OKB-së e quejti vendimin e Gjykatës “nji fitore të jashtëzakonshme për drejtësinë. Mlladiq ashtë personifikimi i së Keqes!”.

Nga 18 ditarët e mshehuna nga Gjenerali Mlladiq, lexohet: ” 1992-Kërkesë nga Simo Drljaca, shef i Policisë, qyteti Prijedor (Bosnje). Kërkon ndihmë nga Ushtria (serbe) me zhdukë afër 5.000 kufoma boshnjake në Tomaçica, “…tue i djegë ose tue i coptue me maqina… ose me nji mënyrë tjetër…”. Përgjegjja nga Mlladiq: “Ju i keni vra, ju i varrosni!”.

***

Në Editorialin e datës 25 nandor 2017, “The New York Times”, lexojmë: “Gjykata e Krimeve të Luftës, themelue në vitin 1993, ka denue ma shumë se 160 kriminelë. Tue dhanë dënimin për Mlladiqin, ajo përfundoi, mbasi ndigjoi dëshmitë e 5.000 personave që treguen hollësitë makabre të asaj që ngjau në ato ditë. “Por ky numër ashtë i vogël në krahasim me numrin e grave që u dhunuen, fshateve që u spastruen etnikisht, poshtënimin dhe agoninë e atyne që shohin se koha nuk ec për ata, ndërsa lufta vazhdon.

Ashtu si e pashë unë me sytë e mi, burrat, të cilët kryen këto akte kriminale-ata që ngrehen çarkun e pushkës vrastare mbi gra e fëmij, ata që hapen varrezat në Srebrenica, ata që morën pjesë në dhunime të femnave në Foca dhe qytetë tjera të Bosnjes-janë të lirë. Për mue, këta njerëz janë keqbërësit e vërtetë! Unë intervistova nana e bija që ishin dhunue së bashku dhe akoma shohin dhunuesit e tyne të lirë në qytet, mbas kthimit nga lufta…! “(Janine di Giovanni)

Krimet e kryeme nga luftat vëllavrasëse që shkatërruen ish-Jugosllavinë do të kalojnë në historinë universale si shembulli ma elokuent i mundësisë së zbritjes sonë në ferrin ku krimi dhe papërgjegjësia e plotë mbretnojnë! Për të gjithë ne, që të shqetësuem kërkojmë këshilla, historia e shpërbamjes së ish-Jugosllavisë në fundshekullin 20, ashtë mësuesi ma i mirë! Sot, na duhet shumë kujdes dhe fryma për iniciativë!

* Aktivist për të drejtat e njeriut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura