Mile: Akti i parë në krye të Bashkisë, unaza e Pogradecit

Apr 27, 2015 | 9:50
SHPËRNDAJE

Kandidatja e LSI e njëkohësisht e koalicionit qeverisës për Bashkinë e Pogradecit, Diana Mile, ishte përzgjedhja e momenteve të fundit për të majtën në këtë qytet. Arkitekte e njohur në këtë qytet, me një karrierë të konsoliduar, Mile tha për gazetën “Panorama” se e priti propozimin për të qenë kandidate për kryetare Bashkie në Pogradec “si sfidë dhe si një zhvillim pozitiv për qytetin e saj”.

Diana Mile gjatë fushatës

Ajo tregon lidhjet e hershme me qytetin e Pogradecit, veçanërisht lagjen ku është rritur dhe plot kujtime e ndërsa thotë se “jam lindur dhe rritur në një nga rrugët e vjetra e të bukura të qytetit të Pogradecit, ku mjafton të zgjasësh kokën dhe shikon liqenin plot jetë”. Arkitektja e njohur është projektuesja e monumentit të Teto Ollgës në fshatin Tushemisht, i cili është bërë vend pelegrinazhi për shumë turistë që mbërrijnë në Pogradec, vendës apo të huaj.

“Nuk mendoj që filmi me teto Ollgën ishte rastësi që u realizua aty. Por duhet të kujtoj që gjyshja ime është nga fshati i Tushemishtit dhe tregimet e fëmijërisë, kur më përkëdhelte dhe më tregonte histori nga Tushemishti, më shtuan ambicien për të krijuar diçka që do të sillte sa më shumë vizitorë në rrugicat e ngrohta të Tushemishtit, që mbahen të freskëta nga burimet në qendër të fshatit”, shprehet Mile.

Me syrin e arkitektes, Diana Mile shikon se qytetit të Pogradecit në këto vite tranzicioni i kanë humbur vilat e bukura dykatëshe me të cilat ky qytet prezantohej dhe evidentohej nga çdo turist, vendës apo i huaj, dhe premton se do të bëjë të pamundurën që të ruajë çfarë ka mbetur nga trashëgimia e këtij qyteti, për të cilin Diana tregon me shumë pasion.

“Atë që kanë humbur ndërtesat karakteristike të qytetit, e shohim dhe e prekim të gjithë, por do të jetë një nga angazhimet e mia parësore që, në bashkëpunim me gjithë banorët e Pogradecit, të ruajmë atë që ka ngelur dhe ta zhvillojmë më tepër duke ruajtur traditën dhe mjedisin”, shprehet kandidatja për Bashkinë e Pogradecit.

Sapo është shpallur publikisht si kandidate për këtë bashki, Diana ka nisur takimet me qytetarët e Pogradecit, por edhe të komunave përreth për të parë nga afër problematikat e zonës. Si një bashki e madhe tashmë, Mile shprehet se krahas përmirësimeve infrastrukturore, zhvillimi ekonomik në këtë bashki do të jetë prioritet i punës së saj nëse e fiton mandatin e kryetares.

“Duke vlerësuar që secila ka rëndësinë e vet, mendoj se vëmendje duhet t’i kushtohet gjithçkaje. Vëmendjen kryesore do ta kenë të gjithë pogradecarët që së bashku të largojmë betonin, të shtojmë gjelbërimin që të marrë frymë liqeni dhe banorët”, shprehet Mile.

Puna e parë që do të mbarojë si kryetare bashkie, për Dianën do të jetë unaza e qytetit. “Unaza e Pogradecit sot është problemi më emergjent i infrastrukturës së qytetit. Qyteti ynë ka shumë probleme, por një nga problemet që do zgjidh është ajo rrugë. Si arkitekte e kam ideuar vetë projektin, si kryebashkiake do ta realizoj, sepse ne ‘Ecim më shpejt për të rilindur Pogradecin’”, tha kandidatja për Bashkinë e Pogradecit, Diana Mile. 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura