Milani gjen njeriun “antikrizë”, kuqezinjtë në sulm për lojtarin e Barcelonës

Oct 30, 2019 | 9:00
SHPËRNDAJE

“Nuk më pëlqen të jem aktiv në merkaton e janarit, por në disa raste është jetike. Dhe, madje, kemi mundësinë dhe burimet e duhura për të investuar për ndonjë lojtar ekspert, siç bëmë vjet me Higuainin”.

Rakitic.Barcellona.braccio.alto.2019.750x450

Ivan Gazidhis, administratori i deleguar i Milanit, ishte i qartë në daljen e dy ditëve më parë, kur provoi që të ngrohte disi zemrat e kuqezinjve, ndonëse aktualiteti është vërtet i shëmtuar, me vetëm 10 pikë në 9 javët e para të Serisë A. Vërtet strategjia e sivjetshme e Milanit ishte që t’u besonin të rinjve, por duke parë se skuadra ka ngecur në vend dhe mbi të gjitha po has vështirësi që të prodhojë lojë, duket se një afrim i një lojtari ekspert, sidomos në mesfushë, është jetik për këtë skuadër.

Nëse media italiane flet për një listë të gjatë me 15 emra të përpiluar nga Maldini dhe Boban, në të cilën bëjnë pjesë Ibrahimoviç, Elneni, Torreira, Mutinjo, Paredes, Pedro apo edhe Ozil e Draksler, futbollistë që nuk po gjejnë hapësirë në skuadrat respektive, duket se mbi të gjithë këta ai që i nevojitet më shumë “Djallit” është Ivan Rakitiç.

ivan-rakitic

Mesfushori i Barcelonës, pas 5 vitesh si titullar i padiskutueshëm, sivjet është shndërruar në një rezervë luksi dhe në janar është i vendosur të largohet. Milani mund të lëvizë falë edhe kroatit Boban, që e njeh shumë mirë lojtarin, madje edhe vlera e kartonit mes 35-40 milionë eurove nuk është ajo që tremb, por paga prej 8 milionë eurosh neto, “po”.

Gjithsesi, fakti që në radhët e katalanasve punon edhe një ish-milanist si Ariedo Braida, ish-drejtori sportiv i “Djallit” në epokën “Berluskoni”, pa dyshim që ky fakt mund të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje për një huazim deri në fund të sezonit, me të drejtë apo detyrim blerjeje. Fundja, Rakitiç ka mbi të gjitha nevojë që të luajë nga janari e në vazhdim, duke vënë paratë në rend të dytë, por edhe Milani ka nevojë shumë të madhe për një futbollist me cilësitë e tij në mesfushë, ndoshta ndër të paktit që mund të bëjë që “rrota” e lojës kuqezi të vihet në lëvizje.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura