Zbulohen detajet/ Mik i Franc Konomit, Kasmi mori hak për vrasjen e tij

Feb 1, 2018 | 16:37
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Atentati i së hënës, ku mbeti i vrarë Devi Kasmi, riktheu edhe një herë në vëmendje historitë e krimeve, që bëheshin për llogari të bandës së viteve ’90, atë të “Rrugës Bardhyl”, shkruan “Panorama”.

atentatii-kasmi

Riktheu në vëmendje vrasjen e Franc Konomit, që deri të hënën konsiderohej e fundit në sagën e hakmarrjeve për llogari të përplasjeve mes dy grupimeve, që më parë kishin qenë miq.

Edhe pse sipas Policisë, vrasja e Kasmit nuk ka të bëjë me atë histori hakmarrjeje, edhe pse i dyshuari kryesor është Domart Konjaru, miku i mikut të tij. Ndonëse emri i Devi apo Dëfrim Kasmit nuk ishte përmendur asnjëherë apo të ishte renditur publikisht ndër miqtë e Franc Konomit, për Policinë, Prokurorinë, por edhe persona të afërm që e njihnin, miqësia mes tyre ishte e njohur nga të gjithë.

Franc Konomi/ Vendi ku u ekzekutua Devi Kasmi
Franc Konomi/ Vendi ku u ekzekutua Devi Kasmi

Mbrëmjen e së hënës, pas vrasjes së Kasmit, burimet thanë se një ndër pistat që po verifikohej, edhe pse jo parësore, kishte të bënte me vrasjen e Franc Konomit, në vitin 2010, në Tiranë. Devi Kasmi u verifikua në atë kohë për ndonjë lidhje të mundshme me ngjarjen, edhe pse nuk pati asnjëherë prova të mjaftueshme, që të sillnin qoftë edhe shoqërimin e tij në Polici.

Ndonëse Kasmi më tepër njihej si mik i Konomit, Policia pati dyshime edhe për personat që i qëndronin afër në atë kohë. Por më vonë, këto dyshime ranë poshtë, pas një vrasjeje që ndodhi në Spanjë, që u konsiderua si hakmarrje për vrasjen e Konomit dhe që u dyshua se ishte përfshirë edhe Kasmi. E megjithatë, 41-vjeçari nuk u ndalua asnjëherë në lidhje me atë ngjarje, edhe pse vazhdonte jetonte në Spanjë deri pak ditë më parë kur u kthye në Shqipëri.

KONFLIKTET E KONOMIT

Përplasjet e Franc Konomit me grupet rivale, para se ai të ekzekutohej më 8 korrik 2010, në mes të Tiranës, kanë qenë mjaft të hershme. Vrasja e Fatjon Naxhakut, më 3 gusht 2005, në afërsi të “Shkollës së Kuqe”, duket se është dhe pika e ndezjes fort të gjakrave mes Konomit dhe kundërshtarëve të tij.

Naxhaku, në atë kohë 33 vjeç, kishte mundur të arratisej në mënyrë spektakolare nga burgu i Marsejës në Francë, ishte nisur për të ekzekutuar Domart Konjarin, mikun e ngushtë të Franc Konomit. Me maskë në kokë dhe pistoletë silenciator në duar, Naxhaku ka mbërritur pranë “Shkollës së Kuqe”, zonë në të cilën banonte Konjari dhe Konomi. Naxhaku, një kontingjent mjaft i njohur për Policinë shqiptare, pasi dyshohej për trafik droge, nuk mundi ta ekzekutonte shënjestrën e tij.

Konjari mundi t’ia marrë pistoletën atij dhe ta qëllojë me 4 plumba. Atëherë u tha se vrasja e Fatjon Naxhakut kishte ardhur për shkak të larjes së hesapeve për pazaret e drogës. Skeda e tij ishte mjaft e errët. Ai dyshohej se kishte marrë pjesë në rrëmbimin e shqiptaro-kanadezit, Pluton Diko, më 7 nëntor 2005, në një lokal në rrugën “Taulantia”, në Durrës.

Vrasja e Naxhakut do të ashpërsonte luftën mes grupit kriminal, në të cilin ai bënte pjesë dhe miqve të Konomit. Konfliktet nisën të bëheshin edhe më të ashpra, madje, edhe mes miqsh. Kështu ndodhi edhe mes dy miqve të Franc Konomit, Domart Konjarit dhe Devi (Dëfrim) Kasmit. Në vitin 2009, Domart Konjari i shpëtoi një atentati në Madrid, ku mbeti i vrarë shoferi i tij. Konjari pati dyshime se kjo ngjarje ishte organizuar nga Kasmi.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura