Migjeni i vogël dhe grushti i një vetëflijimi

Nov 22, 2021 | 13:04
SHPËRNDAJE

2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer

NGA LUÇIANO BOÇI

U trondita nga gjesti vetësakrifikues i 13-vjeçarit nga Golemi i Lushnjës. U përpoqa të gjeja arsyet brenda rreshtave të mediave me shqetësimin e natyrshëm të një prindi. Lajmet e përçarta më ngatërruan më shumë, derisa lexova vargjet shënim të një shpirti të ndjeshëm të një djaloshi të rrallë, brenda të cilave kishte shumë domethënie.

Në disa prej tyre dukej qartë një filizë migjeniane, një fëmijë i pjekur para kohe me gjykimin e shqetësimin e një të rrituri, i cili në vend të godiste topin e lojës me shokët e klasës a lagjes, godiste në zemër politikën, shoqërinë, realitetin e hidhur:

“jetë pa lidhje, probleme pa zgjidhje, botë me shumë ngjyra, njerëz me dy fytyra”. Mjaftojnë këto vargje, të shkruara apo të huazuara nuk ka pikë rëndësie, për të shprehur dramën e fëmijëve dhe fëmijërisë sot në vendin tonë, gati më “të lumturin” në planet sipas sondazheve hipokrite të Ramës.

Brishtësia dhe sinqeriteti i djaloshit ishin te pafuqishëm për ta përballë luftën e egër dhe të pabarabartë që ai kishte kuptuar para kohe. E vetmja armë e tij ishte refuzimi i jetës. 13-vjecari megjithatë nuk u dorëzua! Mos e mendoni këtë.

Ai thjesht donte të na bërtiste kështu fort revoltën e tij, mesazhin e tij, ne të shurdhuarve dhe të verbuarve. Mospranimin tim fillestar për aktin e vetësakrifikimit të jetës e tejkaloi një ndjenjë faji e mbartur nga vitet politike mbi supe. Shumë kollaj këtë ndjenjë faji mund ta kisha bërë top revolte ndaj qeverisë, arsimit, inekzistencës së institucioneve përkujdesëse dhe aspak s’do isha gabuar.

Në çdo rast tragjik të ndodhur në këtë hark kohor ato as kanë ekzistuar dhe as ekzistojnë, sepse e mira që duhet të burojë prej tyre është një iluzion që duhet ta shembim njëherë e mirë. Përgjegjësia e shtetit është aty dhe nuk lëviz, por dhe nuk i bën ata të lëvizin. Ai ka kohë që ka humbur pamjen e ndjesinë njerëzore.

Ndërkohë djaloshi i vogël “grushtin” e tij të revoltës e “gishtin” e fajit na e ka drejtuar ne të gjithëve, si politikë dhe si shoqëri. Po, po ne të gjithëve, secilit sipas përgjegjësisë në pozicionin që është.

Me ikjen e tij vullnetare drejt qiellit, ai kërkon të na ulërasë: “Ejani në vete! Po humbni fëmijët!!!!!” Po është e vërtetë!  Zgjohuni!  Në po humbasim fëmijët tanë.

Nuk është vetëm largimi i paduruar diku larg sa më larg, që ata duan sapo të rriten. Më së pari i humbim brenda nesh dhe brenda tyre, pak nga pak, ende pa ikur. Sepse “Ne” kemi vrarë dalngadalë tek ata fëmijërinë, gëzimin, lojën e bukur, garën e vërtetë.  I kemi zhytur ato brenda një sistemi edukues (arsimor) pa shtylla, pa vlera, madje të lustruar brenda me ves.

Një pjesë e madhe e tyre e kalojnë fëmijërinë në një skamje, e cila bëhet me e dukshme në kontrast me fashën e vogël të atyre që kanë gjithçka dhe qumësht dallëndyshe, por që dhe ata kjo s’i bën aq të gëzuar.  Shumë hyjnë e dalin në shkolla me kushte mizerabël, pa mbështetje nga shteti e institucionet, në një ambient ku mbizotëron bullizimi i çdo niveli dhe paaftësia moskokëçarse e stimuluar nga banaliteti arrivist politik. I kemi mbushur atyre mendjen se masa e lumturisë është paraja, se suksesi fshihet tek “shkathtësia”, aftësia për t’ia hedhur tjetrit dhe jo tek dija dhe tek të qënurit i vërtetë dhe i mirë.

Ai që ka dy mijë lekë në xhep në pushimin e gjatë është më i lumtur (superior më saktë) si ai që s’ka asnjë qindarkë. Ai që ka 5 mijë akoma më shumë e kështu me rradhë.  E çuditërisht ai që di më shumë është më i dëshpëruari e më pak i vlerësuari. I kemi bombarduar ato pa mëshirë në çdo cep e çdo sekondë me lajme tronditëse me vrasje live, me katastrofa të paimagjinueshme, pa asnjë kufi pa asnjë ndalesë. I kemi lënë pa mbrojtje të dorëzohen pa kufizim rrugës, krimit, drogës pavarësisht se në mbrëmje i kemi bërtitur fort, sepse polici është i lidhur me banditin, shpërndarësin, mësuesi s’ka fuqi, e ne s’marrim vesh çdo gjë.

I kemi mbushur hapësirat e lojës së tyre me betejat tona “heroike” shpeshherë neveritëse politike, për hir të pushtetit, pa e vrarë mendjen fare tek tronditja që ato prodhojnë në emocionet e tyre të brishta. I kemi ngushtuar çdo ditë atyre hapësirat jetike të fëmijërisë duke ngulur kulla, beton, zhurma, interesa, për hir të milionave që kanë pushtuar çdo cm mirësie. I kemi dorëzuar ato tek një botë krejt e rreme virtuale, nëpërmjet lirisë pa kufi dhe portave të shqyera të internetit.

Dhe kur dëgjoja Kryeministrin që lavdërohej që do investonte për sigurinë kibernetike të ministrive të tij, a thua aty janë gjithë sekretet e botës, më vinte të ulërija pa etikë: Po për sigurinë “kibernetike” të fëmijëve tanë pse nuk kujtohesh e pse nuk investon?! Pse duhet ata të kenë akses në faqe dhune, pornoje, rrjetesh përtej moshës?! Shteti është lejuesi dhe ndaluesi, pra përgjegjësi kryesor dhe s’mund të justifikohet sot me kohën e navigimit të fëmijëve në botën virtuale.

I kemi ngushtuar fëmijëve tanë dalëngadalë buzëqeshjet, solidaritetin, keqardhjen. I kemi transformuar atyre dashurinë, të vërtetën, të bukurën, sinqeritetin, virtytin. Dhe sot sipas tyre me të drejtë, mësuesi nuk është i njëjti si dikur, komshiu po ashtu, polici sigurisht, deri dhe tragjikisht ata që janë më afër. Ne i kemi mbyllur në vetvete fëmijët tanë, i kemi mbytur fëmijërinë e jemi duke i humbur atyre familjen e vendin.

E për të gjithë këtë ne të gjithë jemi përgjegjës. E para  pa asnjë ekuivok qeverisja. Andaj grushti i vetëflijimit të djaloshit duhet të na përmendë! Zgjohuni!!!!  Na duhet një sistemi i ri edukues dhe arsimor. Na duhet rikthimi tek njeriu dhe njerëzorja.

Na duhet një sistem referues vlerash të ringjallura të mbështetura mbi familjen, besimin, atdheun, të vërtetën, të mirën, të bukurën, të virtytshmen.  Jo nga ato hermafroditet të rilindura.

Grushti i rënë mbi këmbanë po gjëmon! I paqtë qoftë shpirti i djaloshit ëndërrimtar!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura