“Migjeni i Dritëro Agollit, as pararendës i socrealizmit, as bolshevik”

Oct 11, 2016 | 13:00
SHPËRNDAJE

Si një ogur i mirë, si një profeci e së ardhmes letrare, qe për Dritëro Agollin lindja në të njëjtën datë me Migjenin.

agolli-ne-kater-kohe
Nga ekspozita për Dritëro Agollin në Bibliotekën Kombëtare

E mund të ketë qenë kjo një shtysë, sado e vogël, që Agolli zgjodhi të mbrojë diplomën në Universitetin e Petersburgut, pikërisht me studimin e veprës së Migjenit, më specifikisht: “Skicat e tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni”.

Dje, në aktivitetin “Ekspozita agolliane dhe ligjërata” në Bibliotekën Kombëtare, studiuesi, prof. dr. Shaban Sinani, ndau me të pranishmit një faqe të panjohur të jetës studimore të Dritëro Agollit. Ishte pikërisht kjo temë diplome, e mbrojtur më 1957-n në Universitetin e Petersburgut, kur autori ishte 26 vjeç, një vit para se të botonte vëllimin e parë me poezi “Në rrugë dolla”.

Sipas studiuesit Sinani, arsyeja pse Agolli zgjodhi Migjenin, në vend të një autori tjetër, p.sh. Naimit, lidhej me faktin se punimi u mbrojt në një katedër të gazetarisë, por edhe sepse “Vargjet e lira” të Migjenit dhe prozat e tij ishin botuar rusisht më 1954-n, përkthyer nga David Samoilov e Roza Koçi.

Studiuesi Shaban Sinani gjatë ligjëratës
Studiuesi Shaban Sinani gjatë ligjëratës

“Interesimi i shkencës ruse për Migjenin, i shprehur qysh gjatë vizitës së Ilija Ehrenburgut në Shqipëri më 1945-n, rishfaqet edhe më vonë, veçmas në studimin e Gertrude Ejntrej-t “Krijimtaria e Migjenit”. Në vendimin për zgjedhjen e temës së punimit ka ndikuar edhe fakti që poezia dhe prozat e Migjenit, mbledhur në vëllimin me titull “Izbrannoje/ Përzgjedhje” njiheshin prej disa vitesh në gjuhën ruse.

Përkthimi i David Samoilov-it ishte i vetmi botim i deriatëhershëm i veprës së Migjenit, shqip e në gjuhë të huaja, që s’ishte ndaluar, siç kishte ndodhur me tri botime të mëparshme: të Migjenit vetë (1936), të familjes (1944) e të Gjovalin Lukës (1954)”, sqaron Sinani.

Sipas tij, punimi i diplomës i Dritëro Agollit është “studimi më i hershëm dhe më i plotë për Migjenin deri në kohën kur u mbrojt, në strukturë e në vëllim, me pesë kapituj e 115 fletë. Ai kishte të drejtë kur shkruante në hyrje të punimit se, në tërësinë e tyre, artikujt e shkruar për Migjenin deri atëherë në shtypin shqiptar s’i kalojnë së bashku 15 faqet”. Punimi i diplomës së Agollit përbën një objekt interesant studimi, jo thjesht sepse tregon një etapë në rritjen e një autori me rëndësi, por sepse sjell një mendim origjinal për kohën kur e realizoi këtë punim.

Sot e kësaj dite, vepra e Migjenit hap debat. Gjatë viteve të realizimit socialist ai është keqlexuar dhe keqinterpretuar. Migjeni është konsideruar si “pararendës i realizmit socialist” dhe pikërisht këtu, ndalet Agolli dhe studimi i Sinanit.

“Me rëndësi për dijen e sotme dhe për një relativizim prapavajtës së cilësimeve për Migjenin janë gjithashtu pohimet e Dritëro Agollit se në veprën e tij paraqiten idetë e përparuara të inteligjencës shqiptare të viteve 1930, që në krijimtarinë e tij ka qëndrime antimilitariste e antifashiste, që vepra e Migjenit i përket realizmit kritik, që ndonjëherë shkon dhe përtej kërkesave të realizmit kritik.

Dritëro Agolli ka qenë i vëmendshëm të veçojë fjalë-çelësa që mund ta afronin me drejtimin letrar që orientonte zyrtarisht artin dhe letërsinë në Bashkimin Sovjetik, si fashizëm e fashist, bolshevik etj., gjë që diku-diku e kishte bërë më parë dhe Gjovalin Luka. Por vetëm kaq. Teprime brohoritëse për t’i gjetur traditë të hershme realizmit socialist nuk ka dhe aq më pak prirje për ta bolshevizuar poezinë e tij në ideshmëri e motive”, nënvizon Sinani. Për këtë qëndrim, por edhe të tjera vlerësime që i bën veprës së Migjenit, por edhe autorëve që e kanë studiuar atë, siç thotë edhe Sinani, është e udhës që ky punim “t’u kthehet shqip bibliotekave shqiptare”.

EKSPOZOHEN DORËSHKRIME E FOTOGRAFI TË PANJOHURA

“Kemi marrë dy vjersha që na keni dërguar. Vjersha ‘Prej Tiranë gjer në det’ është e bukur dhe do ta botojmë”. Ishte viti 1948 dhe ai ishte në klasën e shtatë në Bilisht dhe priste me ankth përgjigjen që revista “Pionieri” do t’i kthente, atje në fshatin e tij të ftohtë. Asokohe nuk e dinte se do të bëhej një nga shkrimtarët e poetët më të mëdhenj në Shqipëri.

“Një shkrimtar i unitetit kombëtar, estetik dhe njerëzor”, siç do ta quante ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, dje në aktivitetin “Ekspozita agolliane dhe ligjërata” në Bibliotekën Kombëtare. Me rastin e 85-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli, mori udhë dje “Java e Dritëroit”, edhe pse festimet për ditëlindjen e tij kanë nisur tash, prej lexuesish të thjeshtë, nxënësish, të cilët në muajin e leximit kanë përzgjedhur të ndajnë me të tjerë pikërisht veprat e Dritëro Agollit.

Në ekspozitën e hapur në BK, veprave të Agollit iu shtuan edhe dorëshkrime të tij, me ato germat e dridhura, fotografi të rralla, nxjerrë nga albumet e familjes, kur ishte i ri, në udhëtimet në fshat, apo me shoqen e jetës, Sadijen…

Sipas drejtores së BK, Persida Asllani, gjejmë aty Dritëroin, që në botimet e para, në vitin 1948, deri në ditët tona, mes zhanresh të ndryshme, nga shkrimtari, te poeti, publicisti te studiuesi…, që diti të jetë i lexueshëm në të dyja periudhat. Për ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, Agolli është ndër të paktët që mund të konsiderohet shkrimtar i unitetit kombëtar.

“Rrallë qëllon të kesh një shkrimtar kaq të dashur për të gjithë brezat, për të gjitha dialektet, për të gjitha trojet dhe i dashur për të gjithë diasporën. Mua nuk më vjen ndërmend dikush tjetër”, tha Kumbaro.

E bija e Dritëro Agollit: Për tim atë nuk ka plakje mendore

Ajo është gjithnjë e pranishme në aktivitetet kushtuar të atit. Shpesh u përcjell pjesëmarrësve përshëndetjet e tij. Ajo është një bijë me fat, një ndër lexueset dhe kritiket e para…

elona agolli

“Përveç fatit që jam bija e tij, jam edhe një lexuese e veprës së tij, herëherë edhe lexuesja e parë kur vepra ende nuk ka parë dritën e botimit, e ndonjëherë së bashku me nënën dhe vëllain tim, edhe kritikët e parë të veprës. Ndihem me fat që, duke lexuar poezi të atit tim, të ndiej shprehjet e mimikën e tij, gjeste e lëvizje që shprehin shumë, të ndiej pyetje të artikuluara ndonjëherë edhe me dridhje të lehtë zëri, pyetje që kërkojnë përgjigje të dala nga zemra po edhe nga mendja, të sinqerta e të vërteta”, thotë Elona, e bija e shkrimtarit Dritëro Agolli.

Në këtë 85-vjetor të të atit ajo, ashtu si edhe ai, ndien se si vitet ikin, nuk do të donin t’i numëronin, sepse mendja nuk i përgjigjet lodhjes fizike. Ajo vrapon dhe është e etur të japë edhe më shumë.

“’Poetët janë si anije të bardha, qëndrojnë për një kohë të gjatë në det para syve tanë, duke na mahnitur me bukurinë e tyre, pastaj largohen dhe humbin në horizontin e paanë. Në çast na duket sikur i harruam. Pastaj, papritur, këto anije të bardha na shfaqen përmes horizontit dhe duke na sjellë mallin e parë, na mahnitin më shumë se dikur’. Citova Dritëroin në parathënien e Robert Bërns të përkthyer mjeshtërisht nga ai, jo pa qëllim. Paçka se botërisht është e njohur egoja dhe ‘kokëfortësia’ e poetit apo krijuesit për të mbrojtur veprën e tij, e cila është fryma, firoma, bija, ati, nëna për të, im atë dëgjon vëmendshëm mendime, vëzhgime edhe mendime ndryshe nga i tij.

Në këtë veprimtari kushtuar Dritëroit me rastin e 85-vjetorit, të gjithë do të dëshironim mjaft të mund të ishte edhe ai në sallë, por siç e thoshte një miku ynë para disa ditësh ‘Perëndia apo natyra nuk e ka menduar fazën e plakjes fizike’.

Ndërkohë që për njerëz si ati im, plakja mendore kurrë nuk do të mund të vijë. Siç thotë edhe vetë ai: Jam një kalë që i kanë dalë brinjët dhe i kanë rënë patkonjtë nga udhëtimi i gjatë, megjithatë, këtij kali patkonjtë e trurit ende i mbajnë.”

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura