Midis kortezisë për Shqipërinë dhe raportit për Qeverinë

Apr 19, 2016 | 12:45
SHPËRNDAJE

zogajPREÇ ZOGAJ

Vizita e Kryeministrit Edi Rama dhe shpurës shoqëruese në Shtëpinë e Bardhë është e rrallë në llojin e saj për nga mënyra si është zhvilluar, diçka as private, as zyrtare; diçka mes të dyjave dhe jashtë të dyjave, që nuk di kush si ta emërtojë. Zëvendëspresidenti Biden ishte ftuesi, por nuk zhvilloi bisedime sipas protokollit. Presidenti Obama nuk ishte ftuesi, por “iu bashkua takimit” dhe mori kohën e bisedës. Në këtë prerje, vizita humbi si vizitë pune.

Por u lartësua ndërkaq si vizitë kortezie dhe falënderimi ndaj Shqipërisë dhe qeverive të saj, përfshirë pa dyshim qeverinë aktuale “Rama”. Përse? Për angazhimet e tyre përkrah SHBA-ve në përgjithësi. Për pranimin e muxhahedinëve në veçanti. Për Shqipërinë ku amerikanët janë e do të jenë gjithnjë në shtëpinë e tyre. Nga një anë të vjen mirë që Rama me shokë janë pritur ashtu, pa përkujdesjen klasike protokollare, si tanët, në një takim relaksues për gjithë të pranishmit.

Nga ana tjetër, mungesa e solemnitetit dhe shenjave kombëtare të palës së ftuar të lë shijen e një qoke, siç themi në të folurën tonë popullore. Në fakt, kur merret e zbërthehet, së paku me çfarë është deklaruar nga njoftimi që nxori Shtëpia e Bardhë dhe nga vetë Kryeministri shqiptar, nga gjithë vizita mbetet vetëm një lajm: Rama u prit në Shtëpinë e Bardhë. Mirë për ëndrrën e tij. Mirë edhe për vendin tonë.

Partneriteti strategjik me SHBA-të kalon domosdoshmërisht përmes qeverive të radhës. Sado që është gjithnjë përtej tyre. Por qëndrimi zyrtar i SHBA-ve për zhvillimet në Shqipëri dhe në botë gjen shprehje në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit. Botimi i tij kësaj radhe përkoi në kohë me vizitën e Ramës në Uashington. Zhurma për vizitën e eklipsoi për momentin vëmendjen ndaj pjesëve kritike dhe shumë kritike të këtij raporti për gjendjen e korrupsionit në Shqipëri.

Por e shkruara mbetet. Raporti mbetet. Është e vërtetë se korrupsioni ka qenë gjithnjë në fokus të raporteve të Departamentit Amerikan për Shqipërinë, por raporti i fundit për gjendjen gjatë vitit 2015 ka të veçanta. Aty theksohet e zezë në të bardhë se korrupsioni, si problemi më i madh në Shqipëri, është përhapur në të gjitha degët e qeverisjes. Kjo nuk ka ndodhur më parë. Ka pasur adresime të shtrirjes së korrupsionit në pjesë të ndryshme të pushtetit, por jo në të gjitha degët e qeverisjes.

Kjo do të thotë se korrupsioni në qeverinë dhe qeverisjen e sotme është total, është kudo, nuk është përjashtim, por rregull, nuk është sëmundje e lokalizuar në një pjesë të korpusit qeveritar, por është gjendje, është kalbëzim nga majat e këmbëve në fijen e flokut, siç thotë populli. Kjo është e reja, ky është “zhvillimi” që ka sjellë qeveria e Ramës dhe Metës: e shtriu korrupsionin në të gjitha degët e saj. Raporti nominon degët më të zeza të pemës së zezë të korrupsionit.

Përmendet sistemi i Drejtësisë, problem i bartur, por sigurisht i përkeqësuar nën qeverisjen e sotme. Pas Drejtësisë, përmendet sistemi shëndetësor. Tenderët dhe koncesionet korruptive, pa të ngjashëm në botë, në shëndetësinë shqiptare kanë skandalizuar edhe aleatin strategjik. Kurba është vërtet tronditëse. Erdhën me premtimin e shëndetësisë falas dhe ndërtuan në harkun e dy vjetëve shëndetësinë më të korruptuar.

Të gjitha këto tregojnë se raporti i Departamentit të Shtetit nuk flet thjesht për të ashtuquajturin “korrupsion të përhershëm të sistemit”, por pikësëpari për korrupsionin e sotëm të përhapur në të gjitha degët e qeverisë së sotme. Në përpjekjen për të zhurmuar e relativizuar të vërtetën e rëndë, zoti Rama përdori gjuhëspërdredhjen. Nuk bëjmë magji, nuk kemi premtuar të bëjmë magji, tha.

Është e vjetër kjo. Të justifikohesh me mosmbajtjen e një premtimi magjik që nuk ta ka kërkuar kush dhe nuk e pret kush. Magji nuk ka bërë. As ka për të bërë. As pret kush të bëjë. Por e ka bërë më keq. Shumë më keq. Për këtë duhet të japë përgjigje para shtypit, qytetarëve, opozitës, partisë së tij. Me raportin e Departamentit të Shtetit në dorë. Unë nuk kam asgjë dhe nuk jam kundër që, kur flasim për marrëdhëniet me SHBAtë, të referojmë edhe fotot me politikanët e lartë amerikanë, edhe shtrëngimin e duarve me ta, edhe kortezinë diplomatike të miqve tanë.

Por duhet ta dimë se fjala e SHBA-ve për ne, busulla e SHBA-ve për ne është ajo që shkruhet në dokumentin e saj kryesor të vitit, që është raporti i Departamentit të Shtetit. Fotot dhe duarshtrëngimet janë kortezi. Raporti është notë për qeverinë. Në radhë të parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura