Svatos ishte zjarrfikës. Flasin kolegët: Pëlqente aventurat. Na premtoi se do kthehej

Jul 5, 2015 | 12:35
SHPËRNDAJE

I riu çek 27-vjeçar, Michael Svatos ishte zjarrfikës në Sushicë, qytezë në Çeki. Ai kishte ardhur në Shqipëri për pushime me partneren e tij. Kolegët dhe miqtë e tij kanë folur për mediat çeke duke shprehur pikëllimin e tyre për humbjen e njeriut të afërt.

Turistët çekë

“Brigada Rajonale e Zjarrfikësve e ka marrë me hidhërim lajmin për vdekjen tragjike të dy turistëve çekë në Shqipëri. Shprehim keqardhje për humbjen e njerëzve tanë të dashur”, tha zëdhënësja e brigadës, Pavla Jakoubkova.

Sipas kolegëve, Micheal ishte një njeri shpirtmirë dhe sakrifikues, jo vetëm në detyrën e vështirë që ai ushtronte, por edhe jashtë saj, me miqtë e tij.

Ai përshkruhet si njeri tepër aventurier dhe dashurues i sporteve ekstreme. Kolegët tregojnë se ai pëlqente shumë të udhëtonte.

Vitin e shkuar kishte qenë në Mongoli dhe i kishte rënë kryq e tërthor vendit me motoçikletë përpara se të udhëtonte në Ukrainë, ku dihet se gjendja atje nuk është e favorshme.

“Kishim pesë vjet që punonim bashkë. Kemi qenë në aksione të ndryshme dhe Michael e ka treguar veten, se edhe pse i ri në moshë kishte dëshirë dhe eksperiencë për t’u përballur me rreziqet”, tregon komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Sushicë, Petr Jezek.

“Gjithmonë më ka pëlqyer puna me të. Akoma e mbaj mend momentin kur mori lejen. Po më qëndronte përballë si i ndrojtur dhe më tha mirupafshim. Do të kthehem shpejt. Është e tmerrshme ajo që ndodhi.

Artikulli në median çeke

Micheal ishte në vendin e gabuar në kohën e gabuar”, vijon më tej komandanti. Kolegët e tjerë shprehen se vdekja e Micheal-it është një humbje e madhe. Për ta kolegët janë si një familje dhe të gjithë i besojnë njëri-tjetrit.

“Do të na mungojë jashtë mase. Ai ishte një zjarrfikës i zoti, partner i shkëlqyer dhe shok i gjindshëm”, shton Pavla Jakoubkova. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura