Çifti çek, Michael e shëtiti Shqipërinë me motor në 2014-n

Jul 5, 2015 | 23:46
SHPËRNDAJE

Ai ishte pjesë e një grupi me motorë sportivë që vizitoi vendin, kryesisht veriun, ku mbresat kanë qenë të mëdha, aq sa vendosi që rikthimin ta bënte pikërisht pas një viti.

Michael në vitin 2014 në Shqipëri

Këtë herë, i riu mori me vete dhe të dashurën e tij, Anën, me të cilën do të shijonte mrekullitë e Alpeve shqiptare e bregdetin. Iniciativa ka qenë personale, pasi, siç dallohet edhe në fotografitë e çiftit, ata nuk kanë qenë të shoqëruar nga të tjerë.

Të vetëm, me makinën “Nissan” fuoristradë, ata kanë shëtitur nga bregdeti, diku në Velipojë, më pas në zonën malore të Dukagjinit, për të parë mrekullitë e Thethit.

Destinacioni i ardhshëm nuk dihet se cili do të ishte, pasi ëndrra iu pre në mes nga një krim ende i pazbuluar. Por ajo që dallohet nga përshkrimi i fotografive është se udhëtimi do të vazhdonte në zona të ndryshme të vendit.

Për çiftin e ri zona e Alpeve në Theth do të ishte vetëm një pjesë e turit të tyre ballkanik, pasi objektiv i kësaj vere ishte dhe eksplorimi në vende të tjera fqinje me Shqipërinë.

Deri ditën që ndërruan jetë, çifti kishte reklamuar vendet e bukura të Shqipërisë, duke i ndarë me miqtë e tyre që i ftonin t’i vizitonin së shpejti. Ashtu si edhe një vit më parë.

Në faqen personale në rrjetin social “Facebook”, Michael Svatos kishte publikuar në korrikun e shkuar fotografi gjatë udhëtimit me motor në veri të vendit, mbi male, mbi urën e vjetër të Zogut, në Milot, për të vazhduar më tej në vende të rralla në jug të vendit.

Zona që shumë shqiptarë nuk i kanë parë vetë, por turisti nga Çekia i kishte shëtitur hap pas hapi, duke kërkuar që bashkë me të t’i shijonte e dashura dhe më pas miqtë e tij.

Pikërisht në vendin që ai pëlqente aq shumë mbeti i vrarë, duke mbyllur sytë për herë të fundit në Alpet që e kishin mbushur me jetë për gati 1 vit, që nga vizita e parë.  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura