Emrat shqiptarë që po dëgjohen në skenat më të mëdha të teatrove nëpër botë po shtohen vazhdimisht. Më e fundit, ajo që prej dy vitesh punon në Vjenë, është mexosopranoja gjakovare Flaka Goranci. Në Teatrin e Operës së Tiranës ka kënduar vetëm një herë, te “Berberi i Seviljes” për t’u zhvendosur më pas në Izrael e Austri.
Në stacionin e fundit duket se do të qëndrojë gjatë, por, për mo- mentin, është shkëputur pak ditë, gjatë të cilave ka ndaluar në Berat. Festivali Multikulturor i Beratit ka nisur pikërisht me zërin e Flakës. “Isha bashkë me dy muzikantë nga Austria, Michael Tiefenbacher dhe Andi Tausch. Koncerti ynë hapi natën e parë të festivalit dhe për dallim nga herët e tjera, programi i këtij koncerti ishte një kombinim me muzikë xhaz dhe muzikë klasike. Pati edhe këngë shqiptare dhe austriake të përpunuara, si dhe këngë nga repertori xhaz”. Kudo që të mbërrijë, skenat shqiptare do të mbeten gjithnjë të preferuara për Flakën. Do të rikthehet gjithnjë me dëshirë, por deri në ardhjen e radhës, le të na tregojë pak për jetën e një vajze të re, në një nga skenat më të vjetra të muzikës klasike, në Teatrin Ndërkombëtar të Vjenës (Theater an der Wien.)
Si është jeta e një mexosopranoje të re në skenën e Vjenës?
Pas studimeve në Akademinë e Arteve në Shqipëri dhe studimeve master në Izrael, kam dy vite që jam vendosur në Vjenë.
Duke qenë mexosoprano e re, përveç këndimit nëpër skenat e Austrisë dhe më gjerë, kjo nënkupton edhe shumë audicione dhe konkurse nëpër shtete të ndryshme!
Është një eksperiencë e bukur, por ka edhe stresin e saj, sepse është një profesion që kërkon përkujdesje në çdo çast.
A është e lehtë për këngëtarët e rinj të përfshihen në skena kaq të mëdha?
Pavarësisht meritave e vlerave, jo gjithmonë rruga është e hapur, si ka qenë për ju? Po të bëjmë një krahasim me kohët e më- parshme, tani është më e gjerë përfshirja e këngëtarëve nga të gjitha vendet e botës. Vjena është një kryeqendër botërore, sidomos për muzikën klasike dhe duke qenë e tillë, mbledh këngëtarë dhe muzikantë shumë të mirë nga e gjithë bota. Prandaj edhe konkurrenca është jashtëzakonisht e madhe por, nga ana tjetër, edhe mundësitë janë më të mëdha në këtë rast.
Pas sa kohësh riktheheni në Shqipëri për koncert?
Kthehem pas 4 vitesh. Koncerti i fundit ka qenë me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, me arie nga repertori shqiptar dhe ai i huaj.
Si është aktualisht axhenda juaj? Ku do t’ju shohim e dëgjojmë në muajt e ardhshëm?
Axhenda ime përfshin konkurse, koncerte dhe audicione në Lucern, Vjenë dhe Innsbruck, kurse në Tiranë, Prishtinë dhe Gjakovë do të jem me koncertet promovuese për CD time internacionale, “Albanian Flowers”, bashkë me ansamblin “Dielli” (që përfshin edhe instrumentistë nga Filarmonia e Vjenës). CD-ja është një prodhim austriak, që përmbledh këngë shqiptare të përpunuara në stilin e muzikës klasike, dhe deri më tani ka marrë vlerësime shumë pozitive nga kritika austriake, gjermane, amerikane dhe australiane.
Kështu si ka nisur rruga në këto vite të para të karrierës, duket se së shpejti do të jeni një zë më shumë, nga ata të shqiptarëve të famshëm nëpër botë. E shihni veten në vazhdim pjesë të skenave të huaja?
Për momentin jam e angazhuar në skenat e huaja dhe nuk e mohoj që do të doja të vijonte gjatë ky bashkëpunim, por nuk e mohoj as dëshirën e madhe për të mos humbur edhe lidhjet me vendin tim. DO doja shumë të isha vazhdimisht prezente edhe në skenën shqiptare.
A planifikohet ndonjë bashkëpunim, në sezonin e ri, me Teatrin e Operës në Tiranë?
Që kur kam debutuar në Operën e Tiranës me rolin e Rozinës, në operën “Berberi i Seviljes”, nuk më është dhënë ndonjë rast tjetër për t’u ngjitur në atë skenë. Besoj se në të ardhmen do të kemi raste të tjera, të cilat do të më gëzonin. Kthimi aty është gjithnjë i bukur.