“MetroFest”, nis sot festivali, i dedikohet komedisë shqiptare

Oct 3, 2019 | 14:00
SHPËRNDAJE

Teatri Metropol sjell për të tretin vit me radhë festivalin e veprës shqiptare të arkivit “Metrofest”. Ky edicion i është dedikuar komedisë shqiptare të viteve 1920-1930 dhe do të mbahet në datat 3-27 tetor. Janë katër vepra shqiptare të pavëna më parë në skenë, të cilat do të kenë premierën gjatë muajit tetor.

51037675_121450825591074_3893100949416004252_n

“Kolltuku”, komedi satirike, vepër e një autori të panjohur vetëm me iniciale P. K, e shtypshkronjës së Vlorës, e gjetur në arkivin e Bibliotekës Kombëtare do të vihet në skenë në datën 3 tetor. Vepra bën fjalë për një ish-drejtor teatri, dy aktorë të dashuruar dhe një sufler, që përfundojnë në një ishull të pabanuar në mes të detit pasi u përmbytet anija. Kjo botë e re kërkon një sistem të ri shtetëror. Monarki apo Republikë? Kush do t’i fitojë zgjedhjet? Kush do të fitojë “kolltukun”? Me regji nga Sonila Kapidani dhe interpretim të aktorëve, Bledar Naska, Griseld Kapllanaj, Ismail Shino, Mirela Naska, Amarildo Bala dhe Hygerta Bushpreni, kjo shfaqje do vihet në skenë në datat 3, 4 dhe 5 tetor.

Një tjetër komedi me dy akte e autorit Josip Rela do të vij në skenë në javën e dytë të tetorit. Komedia “Sot tetë ditë”, me regji nga Elona Hyseni bën fjalë për një djalë dhe një vajzë të dashuruar, të cilët janë në mes të një dileme. A duhet të fitojë dashuria e tyre për njëri-tjetrin apo mblesëria e përcaktuar nga familjet e tyre? Po sikur dashuria dhe mblesëria ta kishin syrin në të njëjtin vend? Një komedi keqkuptimesh e sqarimesh ku do të interpretojnë: Alba Shtembari, Erin Kujofsa, Ermir Hoxhaj, Ermir Jonka, Iris Karaxha, Klea Konomi, Paola Xhafa, dhe Xhino Musolla. Shfaqja vihet në skenë në datat 10, 11, 12 dhe 13 tetor.

“Karagjozi” është një tjetër komedi e shkruar nga Skënder Guri, me regji nga Rexhina Mollaymeri, ka premierë javën e tretë të muajit tetor. Tinger Beu feston ditëlindjen e vajzës dhe vendos të sjellë në fshat kafshë ekzotike nga xhunglat e largëta. Beu ngarkon karagjozin e fshatit që t’ia zbutë kafshët nëpër kafaze, përpara se të habisë dynjanë me shfaqjen e tyre. Por karagjozi dembel dhe qejfli i ther kafshët për t’i ngrënë. Çfarë do të bëjë ai kur të vijë Beu për të parë kafshët? E zbuloni në datat 17, 18, 19, 20 tetor nën interpretimin e Aleksandër Kondi, Amarildo Bala, Engjëll Hoxha, Griseld Kapllanaj, Hygerta Bushpeni, Juxhin Plovishti, Noel Kokomani, dhe Urim Aliaj.

“NjëMi.com” është komedia e radhës e autorit Hivzi Sulejmani me regji nga Aldi Hysotoci. Komedia me tri akte bën fjalë për Skercon, një nëpunës shtetëror, që ka aspirata për t’u bërë ministër. Në fund të fundit, pse të mos bëhet? Edhe gruaja e tij është dakord që ai e meriton. Ditët e Skercos janë të ngarkuara me hallet e këtij populli që nuk kënaqet kurrë dhe s’ta di as për faleminderit. Ndërkohë që ëndrrat për përfitime të reja vazhdojnë, portieri i sjell Skercos një vendim nga lart. A do të ngrihet Skerco në përgjegjësi, apo do të rrëzohet fare? Kjo është vepra që do të ketë premierën në datat 24, 25, 26 dhe 27 tetor nën interpretimin e Arjon Osmanit, Dritan Boriçit, Enisa Hysas, Eriona Kakelit, Gëzim Rudit, Pamela Rexhepit, dhe Theodhora Dhimos.

-640-0-5cadcea4109f2

Dy net kushtuar Lasgush Poradecit. Pjesë e “Metrofest 3” është edhe organizimi i mbrëmjes poetike kushtuar krijimtarisë së Lasgush Poradecit me titull “Ndrit vash’ e kulluar, në flakë e pushtuar”. Poezitë do të interpretohen në skenë nga aktori Ligoraq Riza, nën regjinë e Kastriot Ramollarit. Gjatë mbrëmjes, do të ketë edhe interpretim live nga muzikantët Margret Radovani dhe Ejona Nako. Po ashtu, nuk do të mungojnë as pjesët koreografike. Publiku do të mund të shijojë edhe një ekspozitë me portrete të lirikut, si dhe motive nga poezitë e tij. Performanca do të shoqërohet nga Anastas Kostandini, i cili do të jetë i pranishëm në datat 9 dhe 16 tetor.

Nën interpretimin e Ermir Jonkës, vjen një monodramë origjinale që dëshmon mbi eksperiencat dhe vështirësitë e një djali të ri emigrant, që lundron drejt Italisë. “Besa”, e autorit Terry Paternoster, do të shfaqet në datat 22 dhe 23 tetor. “Imazhi Jazz i Gjon Milit”, ky koncert i cili drejtohet nga Andi Kongo, ka për qëllim të promovojë figurën e Gjon Milit, si pjesë e Trashëgimisë Kulturore dhe Artistike nëpërmjet rrymës muzikore Jazz. “Artisti Mili, si mjeshtër dhe novator i fotografisë, ka kontribuar në të gjitha fushat sociale dhe kulturore në Shtetet e Bashkuara, por shumë e veçantë ka qenë lidhja dhe dashuria që ai ka pasur për muzikën Jazz. Këtë e ka dëshmuar me filmat artistikë të realizuara në vitet ’40-’60 si: “Jammin the blues”, “Stompin for Mili” dhe “Improvisation”. Me filmin “Jammin the Blues”, ai arriti të bëhej një nga pionierët e videoklipit muzikor. Koncerti do të përmbajë pjesë muzikore të zgjedhura nga filmat e Gjon Milit, por, gjithashtu, edhe krijimtari dhe përpunime të muzikës shqiptare, në vazhdimësi të “imazhit” Jazz, që Mili na ka lënë si trashëgimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura