MeToo, edhe si instrument fletërrufeje dhe antagonizmi

Mar 23, 2018 | 10:51
SHPËRNDAJE

atena bishkaATENA BISHKA/ Përpara më shumë se dy dekadash, një nga shprehjet e çuditshme që ndesha me të mbërritur në universitetin ku do të studioja në SHBA, ishte “sexual harassment” (ngacmimi ose ndërsimi seksual). Në takimin e parë që pata me një profesorin tim, ky përmendi se i duhej të shkonte në seminarin e detyrueshëm që zgjaste dy orë çdo fillimviti shkollor. Duke ia pikasur bezdinë në fytyrë dhe ironinë në zë, e dëgjova e hutuar kur më tha: “Tani do të shkojmë të gjithë të zhytemi në banjën ‘sexual harassment’, me qëllim që të dezinfektohemi!”

Shumë vite kanë kaluar qysh atëherë e shumë e më shumë “sexual assault and harassment training” (trajnim për sulme dhe ngacmime seksuale) është bërë e bëhet. Mirëpo, edukimi duket se s’është çelësi për të zgjidhur problemet me format e krimit dhe abuzimit seksual. Sot më fort se kurrë, në universitetet e Amerikës Veriore, veçanërisht në SHBA, thuhet se dominon “rape culture” (kultura e përdhunimit). Shumë vajza kanë denoncuar përdhunime e dhunime të vjetra e të reja, kanë kërkuar mbrojte prej administratës e kanë përfituar prej shërbimeve përkatëse. Nga ana tjetër, shumë karriera, reputacione e jetë profesorësh e studentësh janë rrafshuar me buldozerin burokratik e ligjor të administratës universitare.

Por, pothuaj asnjëherë s’dihet me siguri se ç’ka ndodhur me të vërtetë në mjediset intime, midis njerëzve në moshë madhore, shpesh nën efektin përkeqësues të alkoolit e lëndëve të tjera që turbullojnë memorien dhe cenojnë kapacitetin mendor. Mirëpo, klima e ngacmimit dhe dhunimit seksual duket se, përtej universiteteve, është e pranishme dhe e ashpërsuar edhe në shumë sfera të tjera të jetës shoqërore.

Në botën perëndimore, gjatë muajve të fundit duket se problemet që lidhen me sjelljet abuzive seksuale kanë ardhur duke shënuar pika vlimi gjithnjë e më të larta, sidomos ndër shtjellat e rrjeteve sociale, që për nga natyra priren të tërheqin lehtësisht e pa kufizim gjithfarë protagonistësh e ndjekësish aktivë ose pasivë. Në këtë kontekst, sheshbeteja cicërimore #MeToo ka pasur veçanërisht ndikim publik, duke u shndërruar në altoparlant për akuzues, bankë akuzimi për të dyshuar, trup gjykues e verdikt ndëshkimi për të akuzuar. Për t’i dalë përpara ndonjë keqkuptimi e duke u rrekur fort që ta mbaj diskutimin të kthjellët e në brazdë, pikësëpari le të tërheqim prej tryezës disa pohime, të cilat mendoj se janë aq të vërteta, saqë shpresoj të mos ketë ndokënd që të mos bjerë në një mendje:

1. Janë dashur përpjekje, mundim e sakrifica të vazhdueshme që gratë të fitojnë të drejtat që kanë sot, duke përfshirë të drejtën e votës.

2. Përdhunimi, dhuna seksuale, shfrytëzimi seksual ose bezdisja seksuale janë krime serioze, të papranueshme në shoqërinë e civilizuar e që duan ndëshkuar në bazë të ligjeve.

3. Forma të diskriminimit ndaj grave, të mizogjenisë dhe sjelljes abuzive akoma ekzistojnë edhe lipsen ende përpjekje për t’i shkulur e dëbuar nga normat njerëzore. Hashtagu MeToo në shqip do të thotë “edhe unë”, ose diçka si “edhe mua kështu më ka ndodhur”. U konceptua fill pas akuzave që fundosën famëkeqin Harvey Weinstein, i cili tani është shndërruar në avatar ose sinonim të predatorit seksual. MeToo kishte e ka për qëllim të ftonte gratë të rrëfenin publikisht, anonimisht ose jo, përvoja vetjake që dokumentojnë masën e shtrirjes dhe përhapjes së sjelljeve të papranueshme seksuale të burrave ndaj grave, kryesisht në mjedise pune.

Qysh nga tetori i kaluar, me miliona njerëz e kanë përdorur hashtagun MeToo duke bërë publike, anonimisht ose jo, raste personale të sulmeve ose ngacmimeve seksuale. Nisur nga qëllimi i mirë i krijimit dhe vëmendja e madhe publike që ka marrë, kjo lëvizje mbase i ka premisat të ndikojë pozitivisht në drejtim të zhdukjes së sjelljeve kriminale ose të papranueshme seksuale, formave të diskriminimit të gruas dhe mizogjenisë e për të krijuar kështu mjedise pune më harmonike e të respektueshme.

Mirëpo, MeToo ka po aq gjasa që të kthehet në karikaturë të asaj çka aspiron të arrijë ose në forcë regresive, që mëton të dalë përmbi ligjin. Janë emra të njohur aktoresh të Hollywoodit ato që spikatën në media duke përthithur vëmendjen publike me denoncimet e tyre kundër producentëve, regjisorëve e kolegëve artistë, sikurse A. Judd, J. Laërence, G. Paltrow, R. Witherspoon dhe U. Thurman. Lista është e gjatë dhe vijon të zgjatet (ndërsa shkruaj, lexoj se vargut i është shtuar Jennifer Lopez që lëshoi akuzën, sipas së cilës dikur një regjisor i kishte kërkuar të ngrinte bluzën), por unë nuk kam në plan të bëj inventarin e saktë të emrave.

Përveç sferës së artit, të zbavitjes dhe të mediave ku predatorët më legjendarë janë Harvey Ëeinstein, Bill O’Reilly, Kevin Spacey, Charlie Rose, Matt Lauer, Louis C. K., etj., në vorbullën e akuzave kanë rënë edhe eksponentë të sferave të mediave dhe politikës të botës perëndimore, si për shembull, politikanët Al Franken dhe Roy Moore në Amerikë dhe Damian Green, ish-sekretar shteti e Sir Michael Fallon, parlamentar në Britaninë e Madhe.

Akuzat paraqiten si një kontinium sjelljesh të nuancuara, që lëviz nga përdhunimi ose sulmi seksual deri te prekja e një zone të ndaluar, rrokja e belit, përkëdhelja e gjurit, dora që pushton mollaqen, një puthje e shpejtë në buzë e të tjera si këto. Për shembull, Kate Maltby, shkrimtare dhe aktiviste konservatore britanike, akuzoi parlamentarin konservator Damian Green (të paktën 30 vjet më i madh se Maltby, madje edhe mik familjeje) se ky e ka ofenduar ngaqë i ka prekur gjurin dhe i ka lënë të kuptojë se kërkonte favore seksuale në shkëmbim të këshillave si mentor i saj politik.

Një tjetër grua britanike, gazetarja Jane Merrick, akuzoi politikanin Sir Michael Fallon se pasi kishin drekuar e pirë verë së bashku, këtu e plot 14 vjet të shkuara, ndërsa po ktheheshin për në zyrat përkatëse, ky befas i qenka avitur duke e puthur rrëmbimthi, sipas gjase në buzë. Ndërkaq, ndërsa mediat rrekeshin të përcaktonin nëse gjuri i Maltby-it ishte prekur apo jo a buzët e Merrick-ut ishin puthur apo jo 14 vjet më parë, karrierat dhe reputacioni i Green dhe Fallon shkërmoqeshin sa hap e mbyll sytë, pa përpjekje për t’i klasifikuar këto sjellje në mënyrë proporcionale përgjatë një hierarkie sjelljesh, sipas së cilës disa janë më të rënda e për pasojë më të ndëshkueshme e disa më pak.

Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, duhet thënë se në industrinë e artit, të zbavitjes, të kinematografisë e të mediave, që janë atdheu i lëvizjes MeToo, seksualiteti është levë Arkimedi e çelës suksesi, rritës shikueshmërie e shumëzues fitimi. Kush më mirë se sa ata që rrojnë në Shqipërinë e sotme televizive, ku prezantueset inkurajohen e incentivohen që të komunikojnë me anë të gjuhës së trupit, sipas parimit që sa më shumë sipërfaqe trupore femërore e zbuluar, aq më i efektshëm komunikimi, e sa më e lëshuar goja, aq më mirë akoma e kupton më mirë se ç’dua të them?

Janë pikërisht industri si këto, ku mund të konstatosh lehtë se karriera të tëra ekzistojnë e lulëzojnë në sajë të seksualitetit e seksualizmit të platformave të komunikimit e mjedisit publik. Të dashur frekuentues të televizioneve e mediave shqiptare, a ka nevojë të përmend emra? A e keni zor të kujtoni debatin me sherre të freskëta? Besoj se jo. Terrene të tilla, ku realiteti po aq sa skena dhe ekrani dominohen nga emocionet dhe imazheria striptease e ku tensionet seksuale përherë kanë gëluar e do të gëlojnë, s’kanë pasur edhe s’kanë rregulla mirëfilli orientuese ose rregulluese të sjelljes, krahasuar p.sh. me vende ku ndërveprimet njerëzore priren të jenë më formale, si p.sh., institucionet bankare e financiare, spitalore, ligjore ose shkollore ku marrëdhëniet njerëzore mbikëqyren, mbahen përgjithësisht në shina e kontrollohen me anë të lupës vrojtuese të burimeve njerëzore, komiteteve të diversitetit, gjithëpërfshirjes, multikulturalizmit e kështu me radhë.

Prandaj, duket disi kontradiktore që pikërisht mjedise të tilla, që sensualitetin e hiperseksualitetin e kanë si të thuash devizë bazë, të valëvitin tani flamurë të moralit dhe etikës. Është hipokrite, komike dhe njëkohësisht tragjike, që bash ato media që na rrëfejnë hollë- sisht për Jennifer Lopez që ankohet se i kanë kërkuar të ngrejë bluzën, për zonjën Maltby që qahet se i kanë prekur gjurin dhe zonjën Merrick që traumatizohet se e kanë puthur pa leje, pak u kujtuan të raportojnë për krimet seksuale (përdhunim, prostitucion dhe trafikim) ndaj dhjetëra vajzave minorene prej një grupi burrash britaniko-aziatikë që i mbante ato si robina, jo në ndonjë terren obskur e të padepërtueshëm të ISIS-it, por mu në Talford të Britanisë.

Le të kujtojmë këtu se Talford, ku ndodhën kobe seksuale e dhune, s’është larg prej vendeve ku zonja Maltby dhe Merrick vuajtën përkatësisht njëra prekjen ose gjysmëprekjen e gjurit dhe tjetra një puthje fluturimthi mbi buzë. Disa prej vajzave vdiqën në Talford, por lëvizja MeToo duket se s’ka nge për gjëra të tilla, ashtu sikurse duket e painteresuar për keqtrajtimin dhe dhunën si regjim rutinor ndaj grave në Iran, Afganistan, Arabi Saudite, Indi e vende të tjera, ku të drejtat ndaj grave janë minimale, në mos inekzistente. Shpejt pas skandalit Weinstein dhe e lidhur me lëvizjen MeToo, nisi sakaq paradën mediatike e ashtuquajtura lista “70SheetyMediaMen” (70BurraMutiMediash).

Shumë prej këtyre të 70-ve u flakën nga puna pronto, sa hap e mbyll sytë, pa bërë dallim midis akuzave që varjonin nga përvoja drekimi/flirtimi të papëlqyeshme deri në përdhunim. Natyrisht s’më takon t’u dal në mbrojtje dhe as s’kam nga t’i di të pabërat e mëkatet që mund t’u rëndojnë përnjëmend në ndërgjegje e për të cilat ndoshta meritojnë me plot të drejtë të mbajnë përgjegjësi. Por në një atmosferë yryshi nginjur në akuzime, shpesh nuancat shpërfillen e bari i njomë digjet me të thatin.

Përvoja jetësore që krahason jetën e dikurshme në një vend totalitar si Shqipëria me jetën e tanishme në një vend të lirë e të begatë si Kanadaja, më shtyn të besoj se demokracia zor të qëndrojë në këmbë, po të mos mbështetet mbi praktika e procese që bazohen në respektimin dhe zbatimin e ligjit, i cili kryesëpari çmon lart prezumimin i pafajësisë, për sa kohë evidenca faktike që vërteton fajësinë s’ekziston. Vetëm në socializëm, pafajësia dhe fajësia, ashtu sikurse virtyti dhe epërsia morale, ishin monopole të klasave e shtresave të caktuara.

Nëse përkisje në klasë të gabuar, atëherë as pafajësia, virtyti, e drejta a merita nuk të përkisnin. Sot, metodologjia e MeToo dhe e të tjera simotrave të saj, sipas së cilave fajësia ose pafajë- sia është në dorë të opinionit publik, ku verdikti i dënimit praktikisht përcaktohet në gjyq të mediave sociale dhe jo prej institucioneve ligjore, më sjell ndërmend stilin e proceseve ndëshkuese në Kinën Maoiste, Rusinë Staliniste, Argjentinën Fashiste e sidomos Shqipërinë Socialiste.

Më kujton “fletërrufenë” e para ‘90- ës të aktivistëve të Partisë së Punës për të qortuar, turpëruar, poshtëruar e pushkatuar politikisht individë pa mundësi mbrojtje në sheshe e qendra qytetesh, salla teatrosh e kinemash, mure të rrjepura berberhanesh e furrash buke, tregtore të zbrazëta mishi, bulmeti e zarzavatesh. Më zgjon të turbulluar si të isha karakter prej një libri të Orëell-it karshi faktit se në metropolet e Amerikës Veriore (fletë) rrufetë ndëshkuese mund të sendërtohen lehtësisht edhe me 140 karaktere në rrjete cicërimi e pëshpërimi, si linçim njëlloj e i efektshme mejdan të “twitterit” e formateve të tjera të rrjeteve sociale. Pa prezumim pafajësie! Pa proces gjyqësor!

Pa kthim! Shqipëria e viteve ‘80-të s’qenka aq e ndryshme nga Amerika e shekullit 21-të. Ironikisht si atëherë në burgun socialist, edhe tani në lirinë kapitaliste, reputacione, karriera, familje e jetë personale e profesionale individësh mund t’i rrënosh duke ndërsyer turmat e duke përdorur metoda e mekanizma jo pa ngjashmëri! A është e drejtë që nisur prej veprimeve shoqërisht të papranueshme të një numri të vogël meshkujsh të përgjithësosh mbi një gjini të tërë, duke pretenduar se gratë ose shumica e grave vuajnë gjerësisht e sistematikisht prej sulmeve apo ngacmimeve seksuale? Çështja e përpjesëtimit është me rendësi këtu.

A janë meshkujt në tërësi monstra, që si kafshë grabitqare janë gati të sulmojnë dhe përfitojnë seksualisht prej grave kur dhe ku të mundin, apo janë vetëm një pjesë e vogël që duhet të mbajë përgjegjësi? S’është ndonjë gjë e re të thuash se pjesa më e madhe e krimeve seksuale janë kryer e kryhen nga burrat. Por nga ana tjetër, është po aq e vërtetë se burrat kryejnë pjesën më të madhe të të gjitha llojeve të krimeve. Edhe ndërsa gratë janë zakonisht viktimat e krimeve seksuale, janë zakonisht burrat ata që janë viktima të të gjitha llojeve të tjera të krimeve të marra së bashku.

Të dhënat prej burimesh me besueshmëritë lartë si p.sh. U.S. Bureau of Justice Statistics (Zyra Amerikane e Statistikave të Drejtësisë) ose General Social Survey (Pyetësori i Përgjithshëm Social), tregojnë se ndërsa dhuna seksuale ekziston, ajo nuk është epidemi, sikurse kërkon ta paraqesë propaganda. Ndërsa poshtë e lart thuhet se 1 në 5 (ndonjëherë 3) studente është përdhunuar / sulmuar seksualisht ose do të sulmohet (mit që e ka origjinën në një pseudo studim të hedhur në internet në vitin 2007), përkundrazi sipas U.S. Bureau of Justice Statistics, ky raport është 1 me 53 1*.

Natyrisht, sikur të ishte 1 me 253, do të ishte edhe më mirë. Më e mira fare do të ishte sikur të mos kishte asnjë rast të sulmit seksual. Por, shifrat gjithsesi tregojnë se s’kemi të bëjmë me epidemi dhe se raporti 1 me 5 është thjesht një e pavërtetë. Sipas General Social Survey, në vitin 2014 u pyetën një kampion çfarëdo amerikanësh nëse ishin ngacmuar seksualisht prej ndokujt në vendin e punës. Vetëm 3.6% e grave iu përgjigjen pyetjes me “Po”, krahasuar me 6.1% në vitin 2002.2* Siç shihet, këto shifra nuk dëshmojnë aspak për epidemi të fenomenit, siç rreket ta paraqesë gjendjen lëvizja MeToo, derivatet e saj dhe artistet e Hollywood-it.

Këto të dhëna, përkundrazi, tregojnë për progres në drejtim të zvogëlimit të rasteve të dhunimit e ngacmimit seksual. Nëse zjarrit të luftës midis gjinive do t’i hidhet benzinë siç po bëhet tani, antagonizmi midis burrave dhe grave do të vijë duke u shtuar. Sipas qendrës kërkimore Pew (Pew Research Center), prej vitit 1997 deri në 2012, numri i grave të reja 18 deri 34 vjeç që u shprehën se “martesa e suksesshme është një nga gjërat më të rëndësishme në jetë” u rrit prej 28 në 37%. Përkundrazi, numri i burrave të rinj që thanë të njëjtën gjë zbriti prej 35 në 29% 3* . Gjatë së njëjtës periudhë, numri i të martuarve mbi 18 vjeç ka ardhur duke u zvogëluar.

Tani, kraha suar me tri të katërtat në vitet 1960, ka shkuar në 50%. Dhe prej të rriturve në moshat 30 deri 59 vjeç që s’kanë qenë të martuar ndonjëherë, burrat (27%) janë të prirur tri herë më shumë se femrat (8%) të thonë se nuk duan të martohen kurrë.4* Këto shifra nuk duket të ndjellin për mirë. Mund të ketë disa arsye që i shpjegon, ndër to edhe fakti se burrat janë duke u shndërruar në Seksin e Dobët 5* po të kemi parasysh se gratë ia kanë kaluar burrave për nga numri jo vetëm sa i takon frekuentimit dhe rezultateve në edukimin universitar, por edhe sa i takon sferës profesionale, duke mbajtur sot 51% të posteve profesionale e menaxheriale në botën perëndimore.

Edhe gratë e realizuara nuk para priren të martohen me burra që janë më pak të kompletuar. Kjo natyrisht bën që numri i grave, të cilat e kërkojnë martesën duke i çuar sytë jo më poshtë shkallës së tyre përgjatë hierarkisë sociale, të jetë më i madh sesa numri i burrave disponibël. Nga ana tjetër, burra që janë më poshtë se gratë në shkallën hierarkike ka plot; edhe mundësia që këta të refuzohen prej grave,e madhe. Por, duke u kthyer tek akuzat në rrjetet sociale: nëse një akuzë cicërimore në “Twitter” e shumëfishuar eksponencialisht dhe e përforcuar me sloganin “Besojini gratë!” (a thua se gratë kanë monopolin e së vërtetës dhe as gënjejnë ndonjëherë, e as dinë të gënjejnë), është e mjaftueshme që burrat të korren në të majtë e në të djathtë, atëherë s’është çudi që grafiku i martesave të bjerret teposhtë edhe për këtë arsye, e madje të thartohet çdo formë tjetër intimiteti, flirtimi, partneriteti, marrëdhënieje e bashkëpunimi burrë-grua.

E natyrisht, një gjë e tillë nuk do të shënonte veçse humbje e trishtim për secilën palë. Kujtoj se në një intervistë në vitet ‘90, kur kantautorin dhe poetin kanadez Leonard Cohen e pyetën se ç’mendonte për antagonizmin burrë-grua, ky u përgjigj shkurt e në stilin e tij modest se: “Gratë dhe burrat janë bashkudhëtarë në të njëjtën varkë në oqean të jetës”.

Diku tjetër thotë: “Burrat dhe gratë janë materie e zemrës për njeri-tjetrin, në kuptimin që zemra e një burri mban një grua dhe zemra e një gruaje mban një burrë brenda”. Unë do të shtoja se në varkën e jetës, burrat dhe gratë gjithashtu ndajnë ndërsjelltazi virtyte dhe mëkate, të mira e të këqija, të vërtetën dhe të gënjeshtrën, duke treguar herë fytyrën e engjëllit e herë fytyrën e djallit në raport me njeri-tjetrin, herë duke prishur e herë duke ndërtuar ëndrra. E keqja s’është monopol i burrave. E mira s’është monopol i grave. Kapacitet për të bërë mirë dhe për të bërë keq njëlloj ka pafundësisht çdo individ, grua a burrë qoftë.

Prandaj, ndoshta është mirë të niset me njohjen e vetes dhe të botës që na rrethon si vend ku është mirë të jetosh, por edhe si vend i rrezikshëm që kërkon të ruhesh prej rrezikut duke zhvilluar maturinë personale e duke marrë përgjegjësinë që të takon. Nëse gratë rriten e sillen si të ishin kukulla prej lecke ose kristale të brishta e të pafajshme dëbore, si fëmijë që s’janë në gjendje të marrin vendime morale, që në vend të lirisë duan sigurinë dhe mbrojtjen nën sqetullën e autoritetit, do ta kenë të sigurt zhgënjimin në botën e bukur, por po aq të rrezikshme ku jetojmë, ku njerëzit janë moralisht të luhatshëm, ku agresioni dhe violenca janë të pranishme në natyrën njerëzore, ku aksidentet, fatkeqësitë e veprimet keqdashëse të sociopatëve, për fat jo të mirë, ndodhin, gjithnjë.

1* U.S. Bureau of Justice Statistics (December 2014). Rape and Sexual Assault Victimization Among College-Age Women, 1995-2013 (by Sofi Sinozich, Intern and Lynn Langton, PhD, Statistician)

2* https://gssdataexplorer.norc.org/projects/ 36794/crosstabs/ 72488?token=7niVtwbFQGdAUfL_yu6G

3* http://www.pewresearch.org/fact-tank/ 2012/04/26/yong-men-and-womwn-differ-on-thimportance-of-a-successful-marriage/

4* http://www.pewresearch.org/data-trend/ society-and-demographics/marriage

5* https://www.economist.com/news/leaders/ 21652323-blue-collar-men-rich-countries-aretrouble-they-must-learn-adapt-weaker-sex

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura