Meta thyen heshtjen, ja kur do të flasë Presidenca për çështjen Tahiri

Nov 1, 2017 | 9:31
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta ka folur për herë të parë për çështjen Tahiri. Në një intervistë për “Syri.net” ai tha se Presidenca është e fundit që mund të flasë për këtë çështje.

meta per tah

President tashmë keni të drejtën e çështjes së sigurisë kombëtare që lidhet drejtpërdrejtë me Institucionin Tuaj. Keni qenë aktiv te media të cilës po i referohemi ne, por gjithsesi Ilir Meta si President i Republikës pas shpërthimit të skandalit Habilaj-Tahiri me mijëra faqe përgjimi ku përmendet sistematikisht ish-Ministri i Brendshëm, deri në këtë moment nuk ka bërë asnjë përpjekje për të thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Madje jo vetëm kaq, por është hera e parë që në këto përgjime duket qartë që radarët që kontrolloheshin nga Ministria e Mbrojtjes dhe që ka të bëjë direkt me sigurinë kombëtare, kanë qenë që të gjitha jashtë funksionit. Çfarë e pengon Ilir Metën, President, të thërrasë një mbledhje të KSK-së dhe të informohet për këtë gjë.

Së pari, dua t’ju siguroj që çështja e kufijve dhe e kontrollit të tyre kanë qenë për mua prioritete dhe në detyrën dhe pozicionet e mëparshme dhe pa dyshim ka qenë dhe një shqetësim deri sa ka qenë një prioritet.

Madje, me insistimin tim ka ardhur dhe Ndihmës Sekretari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve në atë kohë, Alan Bersin për të finalizuar një marrëveshje për forcimin e kufijve të Shqipërisë, pasi eksperiencat që ai si personalitet, por dhe institucioni që drejtonte kishte sidomos tek kontrolli i kufijve me Meksikën ishte e jashtëzakonshme.

Megjithatë ajo që mund të them, sot është një prioritet shumë i rëndësishëm për mua në detyrën e Presidentit, për shkak të sigurisë kombëtare, sepse nga kufij të dobët ose inekzistentë në qoftë se ndërtohen rrjetet e trafikut, sot transportohet kanabis, nesër mund të transportohen droga të forta, që dhe këto s’kanë munguar, pasnesër armë, pak më vonë gjëra dhe më të rënda.

Sapo është publikuar raporti i anti-mafias së Katanias ku pretendohet që janë trafikuar armë, 20 milionë euro nga grupi i Habilajve. Janë përgjime të zbardhura nga mediat italiane. Janë trafikuar edhe armë z. President…

Trafikantët trafikojnë çdo gjë, sepse ata kanë vetëm një qëllim, fitimin. Nuk ndalen aq më tepër trafikantët e drogave normalisht janë dhe përdorues, që do të thotë që nuk kontrollojnë dot as ambiciet dhe as limitet e tyre, kështu që forcimi i kufijve është një prioritet shumë i rëndësishëm.

Ka patur disa probleme vazhdimisht në media. Janë të hershme të fundit të verës, mos gaboj. Janë disa institucione që po merren me këtë çështje edhe ne si Institucion po punojmë dhe po e studiojmë. Presidenti nuk është ai që flet i pari, por pa dyshim që do të flasim në kohën e duhur, por edhe pa këtë informacion, pra të mosfunksionimit të radarëve, këtë pretendim apo këtë debat. Shqetësimi im për forcimin e kontrollit të kufijve të Shqipërisë ka qenë mjaft i lartë.

Shqetësimi ka qenë mjaft i lartë, megjithatë kemi rastin e fundit, skandalin Tahiri. Është hera e parë në politikën e pluralizmit në Shqipëri që institucioni, i cili përfaqëson shtetin i kërkon leje Parlamentit për të arrestuar një ish-zyrtar të lartë me dosje të ardhur nga partnerët italianë dhe Parlamenti shqiptar e refuzon këtë kërkesë. A keni koment për rastin Tahiri duke qenë se edhe ju ka akuzuar direkt si një armik të tij?

Së pari, unë nuk dëshiroj të hyj në debate absurde dhe qesharake. Së dyti, në këtë pozicion që kam unë, kam vetëm një kundërshtar që është krimi i organizuar dhe kam një qëllim, që t’i shërbejë forcimit të sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Në këtë drejtim mbështes punën e institucioneve të drejtësisë për të luftuar me profesionalizëm dhe me kurajë krimin e organizuar, trafiqet dhe çdo rast të veçantë për të ecur drejt të vërtetave në mënyrë profesionale, ligjore dhe me vendosmëri pavarësisht nga presionet apo tensionet politike, të cilat kur bëhet fjalë për përfshirje të politikanëve janë normale, janë të natyrshme.

Sepse dikush mund të të bëjë palë për të mbrojtur, sepse mendon se dikush mund të jetë i paragjykuar apo sepse dëmtohet politikisht forca përkatëse. Pala tjetër, opozita bën presion, sepse mendon se është një moment i favorshëm për të treguar që ata kanë pasur të drejtë dhe për të përfituar politikisht. Unë mbështes prokurorët, gjykatësit, Policinë e Shtetit, të gjithë ata që kanë vullnetin dhe përgjegjshmërinë për të bërë detyrën që të ecin me profesionalizëm në këto çështje.

Nuk hyj në raste dhe emra konkretë, sepse jo vetëm që është pozicioni i tillë, por ky është një hetim, një proces. Prokuroria ka paraqitur provat e saj me të cilat unë nuk jam i njohur dhe nuk jam në gjendje të bëj vlerësimin e duhur. Anëtarët e Komisionit Parlamentar nga të dy palët kanë qenë të pranishëm në instancat publike, dhe jo publike, kanë dhënë mendimet e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura