Metamorfoza fjalësh

| 13:35
SHPËRNDAJE

Edmond Tupja Edmond-Tupja

 

Ky titull, o lexuese dhe lexues të moralshëm të kësaj rubrike të përjavshme herë pas here subversive, mund të kishte qenë edhe “Mutacione fjalësh”, por tri germat e para të këtij titulli mund të përhapnin ndonjë erë fort të pakëndshme për hundën delikate dhe imagjinatën nazike të disave prej jush, kështu që, rrjedhimisht, e shmanga me seriozitetin më të sinqertë. Por le të hyjmë pa vonesë në temë:

Para rreth nëntë vitesh, tek kaloja rrëzë një pallati buzë kanalit të Lanës (po, po, mos u indinjoni, po e quaj kanal sepse ishte një ditë vere plot zagushi dhe Lana po lëshonte bujarisht një duhmë të neveritshme ujërash të zeza), pra, tek kaloja rrëzë atij pallati, sytë më zunë një mbishkrim që më la pa gojë: “Hani mut, qeras shteti!”. Këtë mbishkrim e kisha harruar, kur, para pak ditësh, një i njohur më tregoi në smartfonin e tij të njëjtin mbishkrim në një rrjet social, sigurisht me autor të panjohur. Pasi u ndava prej atij, nisa të bluaja disa mendime zbavitëse duke fantazuar lidhur me mbishkrimin në fjalë si vijon:

Bombë fare, mbishkrimi “Hani mut, qeras shteti!”, vërtet, sidomos në situatën tejet mjerane e kritike që po përjeton populli ynë i varfëruar, i zhgënjyer, i mashtruar, i uritur, i rraskapitur fizikisht e shpirtërisht. Megjithatë, sikur ta takoja autorin  anonim do t’i thosha se mund ose, më saktë, duhej ta kishte nisur më ëmbël batutën e tij. Së pari, duhej ta kishte filluar kështu mbishkrimin e tij: “Hani mjaltë, qeras shteti!”, ose më saktë, “Hani mjaltë, qeras qeveria!”, sepse termi “qeveri” shpreh një nocion më konkret se termi “shtet”, ngaqë qeveri do të thotë “një ekip ministresh e ministrash me zëvendësit e tyre” nën drejtimin, nën urdhrat, madje nën diktatin (diktaturën?) e një kryeministri! Më tej, ai duhej t’i kishte bërë një ndryshim fare të vogël fjalës “mjaltë” duke e zëvendësuar shkronjën “a” me “u” dhe, kësisoj, do të kishim mbishkrimin “Hani mjultë, qeras qeveria!”. Mandej, ai duhej t’ia kishte hequr shkronjën “l” fjalës “mjultë”, dhe, në këtë mënyrë, do të kishim mbishkrimin “Hani mjutë, qeras qeveria!”. Pastaj, do të duhej detyrimisht, veçse me të njëjtën butësi, t’i hiqte shkronjën “ë” fjalës “mjutë”, çka do të na kishte dhënë mbishkrimin “Hani mjut, qeras qeveria!”. Së fundi, do t’i duhej të fshinte edhe shkronjën “j”, që të mbërrinte ëmbël-ëmbël te formula “Hani mut, qeras qeveria!”.

Të nderuara lexuese dhe lexues të respektuar të kësaj rubrike, ky shkrim do të kishte përfunduar këtu sikur të mos kishte plasur skandali i kontratës së bashkisë së kryeqytetit me kompaninë e ujit të pishëm “Lajthiza” për furnizimin e kësaj bashkie me këtë ujë, ndërkohë që kryetari i saj Erion Veliaj kishte deklaruar publikisht se uji që rrjedh në rubinetat e gati një milion banorëve të kryeqytetit është krejtësisht i pishëm! Me këtë rast dhe me dëshirën për t’i shkuar deri në fund frymëzimit tim të ndershëm e të dobishëm, si edhe për luajtur me fjalët (A nuk shkruante tashmë Alfred de Musset-ja, në shekullin XIX, se “E vërteta qëndron edhe te lojërat e fjalëve”), po marr guximin gudulisës të sfidoj autorin anonim të mbishkrimit “Hani mut, qeras shteti!” për t’u treguar më me edukatë se ai duke propozuar në nivel jo më qeveritar, por vendor mbishkrimin “Pini shurup, qeras bashkia!”, çka detyrimisht do t’i kishte pëlqyer kryebashkiakut të kryeqytetit, i cili e sheh tashmë veten në një pozitë shumë të vështirë para opinionit publik. Mirëpo, duke pasur parasysh skandalin e sapopërmendur, më duhet të pranoj se mbishkrimi “Pini shurup, qeras bashkia!” nuk arrin t’u shpëtojë metamorfozave të fjalës “shurup”. Kështu, pa dijeninë time, pra, vetvetiu, fillimisht sesi ndodhi që u zhduk germa “p” e fjalës “shurup”, çka dha “Pini shuru, qeras bashkia!”; më tej fjalës së cunguar “shuru” iu zhduk “u”-ja e dytë, çka solli “Pini shur, qeras bashkia!”.

“O Perëndi, o ju profetë, Krisht e Muhamet! – më vjen të ulërij (ndonëse jam ateist) – Si është e mundur! Kalimi krejt natyrshëm, ëmbël-ëmbël e butë-butë nga mbishkrimi “Hani mut, qeras qeveria!” tek ai “Pini shurrë, qeras bashkia!” duket si diçka e pabesueshme, por në thelb e vërtetë, sepse fjala e urtë e popullit tonë “Kësaj i thonë ta lash mutin me shurrë” shpreh qartë se në ç’pozita ndodhen sot si kryeministri Rama ashtu edhe kryebashkiaku Veliaj, pavarësisht mutacioneve (oh, tri germat e para)  dhe shurupizimit (oh, tri germat e para) të fjalëve viktima të pafajshme të bëmave qeveritare dhe vendore në Republikën kutërbuese të Shqipërisë.

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.