Metamorfoza e Blushit! E vërteta e saj

May 6, 2015 | 12:29
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

   Prej disa javësh, Ben Blushi po më kujton metamorfozën e Shën Palit, i cili në rrugën për në Damask nga Saul shndërrohet në Pal, nga persekutor në shenjtor. Masa hyjnore dhe masa e njeriut nuk përputhen dhe krahasimet çalojnë për aq kohë sa është njeriu që adhuron Hyjin dhe jo e kundërta.  Do të ishte e tepërt të themi se Blushi paska qenë një “persekutor”  dhe tanimë është dëlirur krejt për t’u bërë “shenjt”. Ne, mëkatarët e zakonshëm, e kemi të vështirë të japim certifikata gjykimi dhe mirësie. Në mos tjetër, parabolat funksionojnë si modele për t’i folur edhe një ateisti si Blushi. Pakkush këta dymijë vjet merret me çka bërë Sauli, por me miliona janë ata që kanë kënduar e këndojnë letrat dhe dëshmitë e Palit. Akti i rrëfimit presupozon faljen, veçse ai duhet të jetë qëllim e jo mjet, ndryshe misteri i besimit shndërrohet në gjykim mëkati të radhës. Pali hyri në histori me të vërtetën e shumëkush u zhduk prej saj me gënjeshtrën.
Ateisti mund të shtrembërojë hundën. Do ta kërkonte diku tjetër ngushëllimin, ndaj të lexojë “Kontratën sociale” të Rusoit për të kuptuar sa e rëndësishme është ndërgjegjja, pasqyrat e saj,  produkt i së cilës është e vërteta dhe gënjeshtra! Pse e para jeton gjatë dhe e dyta bdaret shpejt, ndonëse shkakton dëme, pse gënjeshtra është aleat i tiranive? Në këtë cak të rrugës politike të Ben Blushit duken shenjat e një konvertimi e jo të një kthese, duke e marrë të mirëqenë vullnetin e tij. Në mos në shpirt, ngjan të ketë ndodhur diçka në ndërgjegjen e tij.
Të ketë ndikuar mosha e mesme kur perceptimi mbi kohën e jetën modifikohet, leximet, fëmijët që rriten dhe bëjnë pyetje, një kalbje shpirtërore që ndihet kudo, njerëz që rëndin veç e veç për t’u bërë pjesë e sistemit dhe jo të gjithë bashkë për ta ndryshuar atë, nevoja për të gënjyer dhe nevoja për ta besuar gënjeshtrën, nevoja për ta blerë dhe nevoja për ta shitur votën, nevoja për të përdorur dhe për t’u përdorur, mungesa e një gjykimi kritik dhe afshi i brendshëm për idhujtari, kulti i besnikut dhe i tradhtarit, morali i të korruptuarve dhe korruptimi i moralit, tredhja e shpresës dhe fatalizmi si reduktim të drejtash, nevoja e politikanëve për kriminalizim dhe alibia për dekriminalizim, pushteti si ambicie personale dhe kufiri i munguar i ambicies, politika si profesion dhe mungesa e profesionit si kushtëzim, fasada e ligjit dhe ligji si interes, triumfi i të paditurit dhe strukja e intelektualit, telefoni apo shkresa, urdhri apo ligji, skota dhe frota e servilëve xhihadistë të jetës politike shqiptare, leskrat e kulturës dhe përbuzja për kulturën, selxhukizimi i administratës, varfëria që kërcënon shumëkënd dhe kamja abuzive e grupeve të “interesit”, “Halimi që nuk di këndim vezir për arsim”, matrahuli shef, shakllabani deputet, surratçerepi diplomat, barkbualli tatimmbledhës, gojërrumbulli orator, të jenë këto shtysat e konvertimit të Ben Blushit? Burimin nuk e identifikojmë dot, por shenjat i gjejmë në ligjërim. A mjafton fjala e tij si peng sigurie? Mbetet për t’u parë!
Gjithçka ai thotë dhe shkruan prej disa kohesh, shndërrohet në lajm. Mijëra klikime dhe shikues të shumtë në aulat e debatit televiziv, ku fjalimet dhe shkrimet e tij janë objekt diskutimi, e shoqërojnë. Njerëzit janë në pritje të befasisë së radhës.   Komunikimi ka rregullat e veta. Një kumt nuk e merr kurrë vëmendjen e publikut nëse nuk prek ndjeshmërinë e tij. Me ato që thotë Ben Blushi, ka sintetizuar të vërtetat e shumëkujt dhe u ka dhënë atyre zë. Jo pak herë gjatë këtyre ditëve shtrohet pyetja: pse Blushi po e bën këtë, ku e ka hallin, ku është cenuar, flet kështu se nuk është përfshirë në qeverisje etj.? Por njerëzit nuk po merren shumë me to, ndonëse propaganda e qeverisë ka interes të fokusohet aty duke u dhënë rëndësi shqetësimeve që ai ngre, duke gjetur vetveten në to, hallet që u rëndojnë apo abuzimet që u vihen në dukje. Disa ndihen mirë, disa mërziten. Të ndodhte ndryshe s’kish sesi.
Ai po flet në mënyrë shumë origjinale çdo të enjte në Parlament  e pothuaj çdo të hënë në shtyp, kështu po faktorizohet në mënyrë transversale në sytë e shqiptarëve. Gjuha e tij politike po e vë në vështirësi të madhe maxhorancën e po aq edhe opozitën, që në disa raste po eklipsohet prej aksionit të tij politik. Blushi po paguan çmim brenda partisë së vet me vetmi, si konfirmim i atyre pohimeve që ai bën për atmosferën njerëzore e politike në këtë formacion. Njëkohësisht, shumëkujt aty brenda i ka dhënë mundësinë të tregojë zell dhe zelli shpërblehet në anët tona. Nuk të lë në baltë. Me të bëhet prokopi majtas e djathtas. Elokuenca me të cilën ai po trajton një sërë deformimesh dhe problemesh akute të qeverisjes, raportin me premtimet dhe realizimet nën  kujdesin e diferencimit nga “Saliu”, me tekstin e tij politik  plot kurthe dhe parashikime, po i nxjerr skiç “pasdaranet” e “Rilindjes”.
Këto të vërteta të thëna prej tij ekzistojnë përtej sinqeritetit të Blushit, por sinqeriteti do t’i përcaktojë profilin e tij si intelektual dhe të ardhmen politike në shoqërinë shqiptare. Të bësh kritika, edhe pse të vërteta, është më e lehtë se të japësh alternativa, por këtë Blushi nuk mund ta bëjë, duke qenë deputet i Partisë Socialiste, pasi ka rrëzuar in totum qeverisjen e saj. Kur të nisë një artikulim këso dore, atëherë një lëvizje politike e re do të përvijohet në Shqipëri. Nuk jam skeptik për sasinë e ndjekësve të saj.
Nuk ka interes ta bëjë shumë shpejt, sepse nga brenda kritikat e dëmtojnë më shumë qeverinë dhe sa më e dobët të bëhet ajo, aq më i fortë del ai. Veçse interesi i komprometon kauzën, e cila ngrihet kundër shumë interesave. Një kompromis i mundshëm, i pamendueshëm sot për sot, ndërmjet tij dhe Ramës, të vërtetat i lë në ajër sic kanë qenë, ndërsa na jep të drejtën të mendojmë  si deri më tash se të gjithë janë njësoj, por Blushi është demagog mbi të gjithë. Askush nuk do të hezitojë që “demagogut” t’i kujtojë edhe “baltën prej së cilës do të pastrohet”. Gjithsesi, dobia e gjërave që thotë mbetet, pavarësisht nga e kaluara dhe e ardhmja e tij. Reflektimi mbi to është problemi ynë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura