Meta zbardh bisedën me Doshin: Më tha se donte ta vriste kunati i Berishës. Një këshillë edhe për Lul Bashën

Mar 3, 2015 | 20:00
SHPËRNDAJE

TIRANË/ Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka zbardhur sot për mediat bisedën e zhvilluar rreth 5 muaj më parë me deputetin Tom Doshi, përjashtuar një ditë më parë nga grupi i PS-së, pas akuzave për Ramën dhe qeverinë. 

Meta gjate deklarates se sotme, reagim per akuzat e Doshit

Në një deklaratë për mediat para Kryesisë së Kuvendit, Meta ka treguar se ishte në dijeni të planit për atentatin ndaj Doshit, treguar nga vetë deputeti, rreth 5 muaj më parë, duke thënë se porositës ishte kunati i ish-kryeministrit Berisha, shtetasi Agim Rama.

 

Z. Meta si i konsideroni akuzat e ngritura ndaj jush nga ana e deputetit socialist, Tom Doshi?

Për cilat akuza? Për ato të para një jave apo për ato të djeshmet?

Një ditë më parë z. Doshi ju akuzoi se keni paguar njerëz që ta eliminoni atë fizikisht…

Nuk jam habitur aspak nga akuzat e djeshme të deputetit Doshi pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, veprim që e përshëndes plotësisht për arsye, sepse ishte një veprim sipas vlerësimit tim mjaft i qartë për të ndarë një e herë e mirë politikën nga shantazhi dhe për t’i dhënë fund praktikave të presionit mbi qeverisjen e vendit. Tani ju po më pyesni për versionin e djeshëm.

Lidhur me versionin e djeshëm mund t’iu them që nuk habitem për të sidomos pas vendimit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste për përjashtimin e tij. Unë pjesën serioze e kam konsumuar prej muajsh, pra shqetësimin e deputetit në fjalë sipas versionit në fjalë i bërë i ditur prej tij jo vetëm për mua, por edhe për shumë persona të tjerë të përgjegjshëm dhe me përgjegjësi institucionale se ndaj tij po përgatitej një atentat ku porositësi dhe paguesi kryesor ishte kunati i ish-Kryeministrit Berisha, z. Agim Rama, i cili do të paguante, gjithmonë sipas versionit të tij të atëhershëm, 500 mijë euro për eliminimin e tij dhe të deputetit të PD-së, z. Fufi me qëllim destabilizimin politik të vendit, duke krijuar alibinë se në këtë çështje ishte i përfshirë Kryetari i Kuvendit.

Që në atë kohë unë, por besoj edhe persona të tjerë, unë në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit jam takuar me Ministrin e Brendshëm, me Prokurorin e Përgjithshëm, takime këto edhe në praninë e Kryetarit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, z. Braho, i cili bëri dje një deklaratë në respekt të opinionit publik dhe kam kërkuar marrjen e masave për zbardhjen e gjithë kësaj historie dhe vendosjen e personave të dyshuar përpara përgjegjësisë.

Në dijeninë time, deri dje i vetmi person që ka penguar zbardhjen e kësaj çështjeje rezulton të jetë deputeti Tom Doshi. Unë nuk mund të flas as në emër të Policisë, nuk mund të flas as në emër të Prokurorisë, veprimet e mia kanë qenë tërësisht të përgjegjshme, kanë qenë tërësisht në përputhje me ligjin dhe natyrisht është e drejta e deputetit në fjalë t’i ndërrojë versionet e atentatit ndaj tij çdo 6 muaj sipas interesit të tij politik.              

Z. Meta, po thoni që reagimi i djeshëm i z. Doshi për akuzat direkt ndaj jush janë një reagim impulsiv për shkak se z. Rama vendosi ta largojë nga PS? Ishte një vendim i Ramës, pse duhet t’ju akuzonte ju?

Nuk e di se kush është interesi i tij. Unë di variantin të cilin e dinë dhe shumë të tjerë të cilët janë të gatshëm që të 

dëshmojnë para organeve të drejtësisë, të cilat i inkurajoj që të zbardhin të gjitha variantet, të gjitha versionet. Ndërkohë, deputeti në fjalë është i vetmi pengues i zbardhjes së këtyre të vërtetave dhe ai është i inkurajuar nga ana ime, ka qenë atëherë dhe është aq më shumë sot, që t’i ekspozojë të gjithë faktet e tij, gjithçka që ai disponon pasi në këtë mënyrë mendoj që do të tregonte seriozitetin e tij në gjithë këtë çështje.

A ishit ju sot pjesë e takimit të Kryeministrit me Kryeprokurorin, me Ministrin e Brendshëm dhe me z. Braho. Çfarë u diskutua nëse po?

Nuk kam ndërmend të merrem me çështje të cilat mund t’ju interesojnë juve dhe kjo është çështja juaj. Nuk jam këtu për këtë gjë. Por jam për t’ju thënë juve dhe gjithë opinionit publik se pjesën serioze të kësaj çështje e kam konsumuar prej 5-6 muajsh. Kam kërkuar prej 5-6 muajsh që të bëhen hetime, të zbardhet kjo çështje, të merret në mbrojtje jeta e dy deputetëve, sepse kam qenë realisht i shqetësuar.

Natyrisht që nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim për entuziazmin dhe për garën e shpërthyer brenda lidershipit të opozitës, sidomos midis kryetarit real dhe atij formal, për të shprehur dashurinë ndaj deputetit Doshi. Është një e drejtë e tyre për të zgjedhur atë si simbol të së vërtetës, të moralit, të vendosjes së ligjit, të luftës kundër korrupsionit, të luftës kundër krimit të organizuar.

Vetëm se kam një këshillë për kryetarin formal, që të jetë i kujdesshëm në deklaratat e tij, sepse z. Doshi me sa duket e ka gjithmonë një atentat në mendje, por i ndryshon vazhdimisht versionet dhe porositësit. Përpara gjashtë muaj porositës ishte kunati i Doktorit, dje porositës dhe pagues dola unë. Por kam frikë se porositësi tjetër i radhës mund të jetë kunati i kryetarit formal të Partisë Demokratike.

Ka një video ku përmendet emri juaj nga personi që është i pajtuari për ekzekutimin?

Unë them me bindje të plotë se nuk ekziston asnjë fakt dhe asnjë dëshmitar, i cili mund të provojë implikimin e Kryetarit të Kuvendit në një skenar të tillë. Përkundrazi, jam i bindur që ekzistojnë shumë dëshmitarë të cilët provojnë versionin e parë dhe origjinal që porositës dhe pagues, sipas z. Doshi, ishte kunati i z. Berisha, z. Agim Rama me qëllim destabilizimin politik të vendit për llogari të Berishës dhe fajësimin e Kryetarit të Kuvendit. Ju falënderoj shumë për vëmendjen tuaj .

Opozita ka kërkuar dorëheqjen, ju do të ishit i gatshëm që ta pranonit?

Është e drejtë e opozitës të kërkojë gjithçka që dëshiron dhe është e drejtë e saj ta mbajë fort z. Doshi si simbol të së vërtetës, të luftës kundër korrupsionit, të luftës kundër krimit të organizuar. Dhe unë nuk shqetësohem aspak për garën e paparë që ka filluar midis Doktorit dhe Lulit për të shprehur dashurinë dhe kujdesin ndaj z. Doshi. Faleminderit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura