Meta: Veliaj figurë gjithëpërfshirëse, kam konsideratën më të mirë për Halim Kosovën

Apr 17, 2015 | 11:47
SHPËRNDAJE

Kryeparlamentari Ilir Meta, njëherësh edhe kreu i LSI tha sot se kandidatura e Erion Veliaj për Bashkinë Tiranë është gjithëpërfshirëse dhe ka mbështetjen e plotë të forces politike që ai drejton, teksa nënvizoi se Veliaj udhëheq garën që prej mbrëmë kur u zyrtarizua. Meta tha gjithashtu se gëzon konsideratën më të mirë edhe për kandidatin e PD, Halim Kosovën si dhe shprehu vlerësimin për 3 kandidatët e tjerë të pavarur për garën e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit.

Ilir Meta

Z. Meta, një ditë më parë është bërë publik emri i së majtës për Bashkinë e Tiranës, një ndër më të përfolurat. Si do ta vlerësonit kandidaturën e Erion Veliajt dhe pse Erion Veliaj dhe jo Blendi Klosi?

Natyrisht që në fund fare gjithmonë do të zgjidhet një kandidat. Mendoj se të gjithë kandidatët që janë përmendur, që janë studiuar, që janë diskutuar kanë pasur vlerat e tyre të padiskutueshme dhe natyrisht që kandidatura e z. Veliaj është një kandidaturë mjaft e spikatur dhe meriton të gjithë mbështetjen tonë.

Z. Meta dje folët për një kandidat gjithëpërfshirës për Tiranën. A është z. Veliaj një kandidat gjithëpërfshirës?

Ndoshta nuk keni qenë shumë të vëmendshëm. Ju e kishit mendjen tek kandidati, unë e kisha mendjen te koalicioni. Koalicioni thashë ishte gjithëpërfshirës, sepse ishte koalicion mjaft i gjerë, me rreth 40 parti dhe natyrisht që edhe kandidati i këtij koalicioni nuk mund të jetë ndryshe, veçse gjithëpërfshirës.

Si do ta vlerësoni kandidaturën e z. Veliajt përballë kandidaturës së z. Kosova, si kandidatura e Partisë Demokratike? A do të jeni fitues në Tiranë me këtë koalicion gjithëpërfshirës z. Meta?

Kam konsideratën më të mirë edhe për z. Kosova. Në fund të fundit është një garë mjaft interesante po të kemi në konsideratë se kemi edhe kandidatë të tjerë të cilët nuk duhen nënvlerësuar. Përkundrazi, duhen përgëzuar për iniciativën dhe për kurajën e tyre z. Bojaxhiu, z. Guri dhe z. Tafaj. Pra, është një garë mjaft demokratike, mjaft interesante, por unë besoj se kandidati ynë, z. Veliaj e fillon garën nga dita djeshme, pra që nga mbrëmja ka nisur duke udhëhequr dhe besoj se do të vazhdojë ta udhëheqë deri në 21 qershor.

Sa punë mendoni se mund të prishin kandidatët e pavarur në këto zgjedhje, të majtë dhe të djathtë në gjykimin tuaj?

Kandidatët e pavarur nuk besoj se prishin punë, ata ndreqin punë. Ata tregojnë se demokracia funksionon, që nuk është pronë e 2, 3, 10 apo e 50 partive dhe janë eksperienca mjaft pozitive, sepse japin u mundësi qytetarëve të kenë sa më shumë zgjedhje, por njëkohësisht edhe u japin leksione dhe mësime forcave politike se si të jenë edhe më të hapura.

Z. Meta keni qenë gjithmonë një parashikues afër rezultatit final të zgjedhjeve. Sa bashki do të fitojë e majta në këto zgjedhje?

Për mua rezultati i zgjedhjeve vendore nuk është shumë i rëndësishëm nga pikëpamja politike. Por këto lloj zgjedhjesh janë shumë të rëndësishme dhe janë historike, sepse Shqipëria do të ketë 61 bashki, nga rreth 400 bashki e komuna që ka pasur deri më tani. Është një kapërcim historik, një reformë e madhe dhe kjo rrit shumë përgjegjësinë e të zgjedhurve, sepse u jepen mundësi të jashtëzakonshme për t’i dhënë fund stereotipit të deritanishëm të kryetarit të bashkisë apo të kryetarit të komunës . Kjo rrit shumë përgjegjësinë e të zgjedhurve, sepse u jepen mundësi të jashtëzakonshme për t’i dhënë fund stereotipit të deritanishëm të kryetarit të Bashkisë apo të Kryetarit të Komunës dhe për të ndërtuar politika strategjike zhvillimi për bashkitë, pasi hapësira e tyre zgjerohet, resurset e tyre shtohen dhe tani do të vihet në dukje aftësia e të zgjedhurve për të menaxhuar më mirë këto resurse në interes të komunitetit dhe për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve. Dua të përshëndes faktin që kemi mjaft zonja në këtë garë që është një gjë shumë pozitive. Jo vetëm kemi një arritje të rëndësishme dhe historike do ta quaja dhe këtë që Parlamenti vendosi në mënyrë ligjore që partitë të jenë të detyruara të respektojnë kuotën gjinore përsa i takon përfaqësimit në Këshillat Bashkiake por kemi dhe mjaft kandidate të spikatura në të gjithë vendin, kryesisht nga e majta por edhe nga e djathta të cilat do të japin bukuri më të madhe kësaj gare dhe të tregojnë një emancipim real të politikës të vendit tonë, emancipim që duhet të thellohet më tej në të ardhmen.

Para pak ditësh ka pasur një lloj konflikti në Komisionin e Posaçëm për Dekriminalizimin ku në fokus keni qenë ju dhe kryeministri Edi Rama nga Partia Demokratike, konkretisht nga kryetari Oerd Bylykbashi se po pengoni këtë proces dhe se doni të fusni njerëz të inkriminuar në listën e zgjedhësve. Një koment në lidhje me këtë?

Nuk kam asnjë koment për nervozizmin e deputetit të opozitës, përkundrazi, e ftoj të qetësohet. Për çështjen, i qëndrojmë angazhimit tonë të 24 dhjetorit. Nuk presim dy standarde nga ana e opozitës, presim një angazhim parimor. Përshëndes qëndrimin e Prokurorisë së Përgjithshme për të verifikuar akuzat dhe pretendimet që i hidhen për figura të caktuara që janë bërë publike që do të kandidojnë dhe ne jemi shumë të interesuar përsa i takon fakteve. Ndërsa politizimi ekstrem i këtij fenomeni, aq më keq që përdorimi i standardeve të dyfishta e komprometon procesin e pastrimit apo të dekriminalizimit apo të rritjes së standardeve të përfaqësimit publik të qytetarëve shqiptar në vendin tonë.

Përveç komprometimit a e vonon?

Unë mendoj që ky proces ka nisur. Jam i bindur që edhe ju jeni të bindur besoj që përzgjedhja e kandidaturave në tërësi ka patur në konsideratë këtë preokupim, këtë shqetësim. Edhe përfshirja e shumë zonjave si kandidate është një mesazh pozitiv dhe jam i bindur që rritja e pjesëmarrjes së tyre dhe të rinjve në mënyrën më të natyrshme e pastron akoma më tej politikën shqiptare nga ky lloj fenomeni.

Z. Meta a përdori mazhoranca dje një standard të dyfishtë kur për rastin e z. Kokëdhima rrëzoi kërkesën e PD-së për ta çuar çështjen në Gjykatës Kushtetuese në raport me dy deputetet e mëhershëm që për shkak të vullnetit u votuan në Parlament?

Nuk është e njëjta situatë, pasi për rastin e dy deputetëve kishim një kërkesë nga një institucion të pavarur siç është Prokuroria. Në rastin konkret kishim një kërkesë nga opozita, e cila në çdo rast është një institucion politik dhe e cila e nis me shumë ngarkesa politike këtë proces. Besoj se ne kemi qenë mjaft të vëmendshëm, mjaft të kujdesshëm në trajtimin e kësaj çështjeje. Ajo që mund t’iu them me bindje të plotë është se pas vendimit t Gjykatës Kushtetues për rastin Beqaj përpara disa vitesh ka qenë e domosdoshme që të bëhen disa saktësime dhe disa rikonsiderime ligjore lidhur me mospajtueshmërinë e aktiviteteve apo përgjegjësive të deputetëve të cilët janë marrë apo kanë angazhimet e tyre në aktivitetet private. Dhe unë besoj se ne shumë shpejt do të nisim një proces për ët bërë të gjitha saktësimet e duhura ligjore në mënyrë që të mos ketë vend për interpretime për spekulime apo për standarde të dyfishta.

Z. Meta, a mund të tregoheni ju lutem më konkret për kandidaturën e Erjon Veliajt. Ju folët për një kandidaturë të spikatur ndërkohë që kishte edhe mjaft të tjera shumë të spikatura brenda Partisë Socialiste. Çfarë ju bindi juve si kryetar i LSI-së që të mbështesin pikërisht z. Veliaj?

Nuk besoj se ju e vini në diskutim që unë si kryetar i LSI-së dhe LSI do të mbështesim çdo kandidaturë të spikatur nga të gjitha kandidaturat e spikatura të Partisë Socialiste. Dhe jam i bindur se kjo përzgjedhje që është realizuar e meriton mbështetjen tonë dhe të qytetarëve. Edhe puna e tij si ministër, edhe spe ka qenë eksperienca e parë e tij në këtë detyrë, në më pak se dy vjet ka qenë mbresëlënëse. Reforma e guximshme dhe largpamëse në fushën e pensioneve, angazhimi i jashtëzakonshëm për të reformuar arsimin profesional që ka qenë dhe që është një prioritet i veçantë i mazhorancës por edhe i LSI-së dhe shumë aspekte të tjera. Por më duhet të theksoj që të gjitha kandidaturat kanë qenë kandidatura shumë të spikatura dhe çdo kandidaturë do të meritonte mbështetjen tonë.

Dje firmosët një marrëveshje për të qenë pjesë e një koalicioni që ka shumë parti brenda, nga komunistët te ish-përndjekurit. Çfarë mendoni se i mban bashkë aktualisht këto 32 parti?

Ju duhet ta dini se ajo që na mban bashkë të gjithëve është demokracia, është pranimi i njëri-tjetrit dhe i rregullave të lojës demokratike.  

***

Deklaratat e Metës erdhën pas takimit me ministrin e Ekonomisë të Republikës së Maqedonisë, Bekim Neziri, me të cilin kryeparlamentari vlerësuan marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe vunë në dukje nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Takimi Meta-Neziri

Në takim Meta theksoi se marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Maqedonisë duhen përqendruar gjithnjë e më tepër në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare.

Nga ana tjetër ministri Neziri vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve fqinje dhe shprehu mirënjohjen për angazhimin e Kuvendit në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke vënë në dukje se marrëdhëniet ndërparlamentare janë shumë të rëndësishmë në rritjen e cilësisë së bashkëpunimit mes Tiranës dhe Shkupit.

Meta shprehu mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë në intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh dhe në proceset e integrimit euro-atlantik të Maqedonisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura