Meta President: ose kur një dhe një bëjnë më shumë sesa dy

Jul 25, 2017 | 17:00
SHPËRNDAJE

mentor nazarkoMENTOR NAZARKO

Ilir Meta vjen kësisoj në detyrën e të parit të shtetit, pas një mandati plot përplasje të paraardhësit të tij Nishani me kryeministrin dhe qeverinë në përgjithësi. Për shumë arsye të mëhershme që meritojnë vëmendje, për arsye të tjera që do shpërfaqen, ky mandat pritet të jetë shumë interesant në historinë institucionale të Republikës së re shqiptare (duke marrë për fillesë të saj 28 nëntorin 1998, kur u miratua Kushtetuta në fuqi) dhe jo domosdoshmërish linear me paraardhësin.

Ilir Meta vjen në një presidencë që ka kompetenca të kufizuara në sistemin e drejtësisë, por që me personalitetin e tij, me fuqinë e tij politike (lidhja me LSI-në), mund të krijojnë momente ndikimi dhe përplasjeje apo pajtimi me të gjithë. Po ashtu Presidenti është dikush që ka lidhje me ushtrinë, me diplomacinë, me shërbimin sekret (ai merr raporte me shkrim dhe gojore, të njëjtat si kryeministri) dhe për pasojë e gjitha kjo shndërrohet në fuqi të madhe për një njeri që ka eksperiencë të madhe institucionale dhe rrënjë politike të pashkëputura me një parti të fuqishme si LSI-ja.

Me përjashtim të parantezës së fushatës (kur Meta formalisht kishte marrë detyrën e kryetarit të shtetit) që ishte plot gjeste, retorikë partiake, jo shumë të denjë as dhe për një kryetar parlamenti, ai vjen në postin e lartë si politikani me eksperiencën më të madhe institucionale që është ngjitur atje. Për pasojë, ndonëse mund të vijojnë përplasjet, madje dhe më të egra, Meta pritet të tregojë një stil të ri presidencial, që nuk mund të jetë i ngjashëm me atë të Nishanit.

Së pari, pikërisht për shkak të asaj që ai ka përfaqësuar dhe përfaqëson, Meta do imponojë respektim të figurës së tij prej ekzekutivit, prej ministrave të caktuar, atij të Jashtëm, të Mbrojtjes dhe të Drejtësisë, prej pushtetit lokal në përgjithësi. Do kërkojë të përfillet në emërime dhe shkarkime ministrash etj. (konsultim paraprak), nuk do pranojë ulje apo shkurtim buxheti presidencial etj., etj., dhe do përpiqet të krijojë lidhjet e veta publike dhe të nëndheshme me pjesë të shtetit që nuk ndryshojnë me mandatin politik Kontrolli i Lartë i Shtetit, prokuroria, Shërbimi sekret, ambasadorë etj., etj. E gjitha kjo implikon zakone të reja presidenciale të pashkruara: Në kushte të tilla, ndoshta do ishte e udhës që të miratohet një ligj për presidentin, i cili është detyrim kushtetues. Veç përcaktimit të marrëdhënieve të presidencës me institucionet, ky ligj duhet të zgjidhte dhe statusin e ish-presidentit, buxhetin etj. Është e qartë se Rama do detyrohet ta respektojë shumë më shumë sesa Nishanin në të gjithë këto elementë përplasjeje.

Së dyti, Meta do përpiqet të mos jetë banalisht i parashikueshëm (ta zëmë të mbajë qëndrime të ngjashme me të të shoqes, zonjës Kryemadhi), por do veprojë në përputhje me zakonet më të mira presidenciale, të vendit dhe të huaja. Kësisoj ai do përpiqet të distancohet nga gjykime të caktuara të partisë së tij, do bëjë pajtuesin, për të kultivuar kështu një protagonizëm cilësor në gjirin e institucioneve të shtetit shqiptar. Për këtë arsye ai ka zgjedhur që në ditën e betimit të mos jetë i shoqëruar nga e shoqja, diçka që jo thjesht do detyronte Kryemadhin të shtrëngonte duart familjarisht me Ramën, por do shërbente për të amortizuar publikisht përplasjet me të.

Kësisoj nëpërmjet këtij gjesti, do kemi disa risi: Meta me bashkëshorte gjallë, i krijon dukshmëri publike të bijës si Moisiu; shmanget shtrëngimi i dorës. Kryemadhi-Rama, por ama do kemi një shtrëngim të duarve të tij me Ramën. E Meta si talent politik nuk do ta shmangë Ramën, sepse ambiguiteti është forca e tij: unë jam institucional, por bashkëshortja ka individualitetin e saj opozitar. Në situatën e krijuar, një dhe një bëjnë më shumë sesa dy. Meta si President dhe Kryemadhi si kryetare partie bëjnë më shumë sesa dy. Ndërsa më parë, një dhe një, bënin një. Meta dhe Kryemadhi ishin një dhe të pandarë. Dhe për pasojë do jemi në kushtet e një teatri apo teatrinoje interesant: Metës do t’i duhet të ndërmjetësojë midis kryeministrit dhe kryetares së LSI-së në rast konfliktesh.

Së treti, Meta është një adresë institucionale për të huajt: qoftë atyre që e ftojnë, qoftë atyre që vizitojnë Shqipërinë. Në këtë rol ai vjen me një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe në përgjithësi, ai kurrë nuk është përplasur me të huajt publikisht. Sa më shumë të krijojë probleme Rama me të huajt, aq më shumë fuqizohet roli i tij tek ata. Dihet se të huajt luajnë me disa kanale institucionale në bashkëpunimin me vende të vogla si tonat: Meta do ndikojë që të fitojë subjektivitet në këtë bashkëpunim. Ai ka ndikim, kontakte shumë të mira në rajon, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal i Zi, Greqi, por nëpërmjet lobuesve dhe në Perëndim, SHBA-veçanërisht, të cilat në rolin e tij të ri, marrin një fuqi tjetër.

Së katërti, Meta për shkak të lidhjes speciale me LSI-në, një lidhje e paprecedentë, është president “sui generis”. Kushtetutshmërisht ai nuk ka lidhje me asnjë parti, por askush nuk mund t’ia shkëpusë këto lidhje që janë në familje. Ai mund të improvizojë konflikte, të ndezë zjarre, pastaj t’i shuajë po vetë. Ai do përcaktojë jo thjesht sjelljen e një partie opozitare, por të gjithë opozitës, nëse do arrijë të shtjerë në kontroll dhe PD-në, nëpërmjet Berishës. Si duket, Rama do ta ketë shumë të vështirë në bashkëjetesën me Metën, i cili është i armatosur me shumë xhephane në duar.

Atij do t’i duhet të gjejë një modus bashkëjetese me të, vetëm me të, apo paketë me gjithë LSI-në, diçka që ngjan jashtëzakonisht interesante. Ligji i presidencës mund të rregullonte diçka, por me siguri një ligj nuk rregullon dot një situatë të pazakontë si kjo, kur Presidenti që ka një eksperiencë si kjo, udhëheq dhe një pjesë të opozitës, e pse jo dhe të tërën, nëse do mund ta bëjë këtë…

Konica.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura