Meta në Itali: Thellim bashkëpunimit ekonomik, miratoni ligjin për heqjen e taksave të transportit

Nov 25, 2015 | 12:10
SHPËRNDAJE

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Itali, u takua me Presidenten e Dhomës së Deputetëve të Italisë, znj. Laura Boldrini, e cila duke e konsideruar vizitën e Metës shenjë të marrëdhënieve gjithnjë e më të ngushta ndërparlamentare mes dy vendeve mike, theksoi se Italia është e gatshme të ofroje ekspertizën e saj gjatë procesit të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, si një konfirmim i përkushtimit të qartë italian ndaj perspektivës evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit.

meta-itali

Meta sakaq kërkoi që të thellohet bashkëpunimi mes dy vendeve, veçanërisht në drejtim të rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe prezencës së kompanive të mëdha italiane në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare.

Në këtë kuadër, Meta kërkoi angazhimin e znj. Boldrini në përshpejtimin e procedurave të miratimit të ligjit për heqjen e taksave të transportit për bizneset.

Z. Meta vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të komunitetit shqiptar në Itali, si një kontribuues i rëndësishëm ekonomik dhe shoqëror për të dy vendet.

“Janë me mijëra studentë shqiptare që studiojnë dhe diplomohen çdo vit në universitetet italiane, – theksoi z. Meta, – të cilët janë një urë e fuqishme lidhëse dhe kanë një rol të jashtëzakonshëm për të luajtur në vitet që vijnë, veçanërisht në përballimin e sfidave të integrimit evropian”,- tha ai.

Meta shprehu mirënjohjen ndaj mbështetjes italiane, duke vënë në dukje se “Italia ka qenë gjithnjë përkrah Shqipërisë që në momentin e parë të tranzicionit dhe vazhdon të jetë avokatja më e fuqishme e vendit tonë në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, – nënvizoi z. Meta, – Shqipëria synon përshpejtimin e ritmit të reformave, me fokus të veçantë në reformimin e sistemit të drejtësisë, para hapjes së negociatave për anëtarësim në BE”.

Meta dhe znj. Boldrini diskutuan gjithashtu edhe mbi sfidat e fundit të sigurisë që po kalon kontinenti evropian, sfida që lidhen me kërcënimet e terrorizmit, krizën e refugjatëve dhe ndryshimet klimaterike, dhe në këtë kuadër u nda bindja që të intensifikohen përpjekjet ndërparlamentare mes të gjitha vendeve evropiane, në interes të një Evrope më të fortë, më solidare, më sociale dhe larg retorikave populiste.

Boldrini vlerësoi rolin dhe angazhimin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s, në përballimin e këtyre sfidave të përbashkëta. Ndërkohë, z. Meta theksoi se Shqipëria do të jetë një kontribuuese aktive në shërbim të sigurisë dhe paqes, duke nënvizuar se ky proces ka nevojë për solidaritet, gjithpërfshirje dhe ndarje të përgjegjësive dhe barrës financiare.

Duke sjellë në kujtesë lidhjet historike mes dy popujve, dy kryeparlamentaret vlerësuan kontributin e komunitetit shqiptar në Itali, veçanërisht atij arbëresh, si dhe prezencën gjithnjë në rritje të komunitetit italian në Shqipëri si ura të forta miqësie e bashkëpunimi. Në këtë kuadër z. Meta kërkoi një vëmendje më të madhe dhe mbështetje financiare për shkollat në gjuhen shqipe të komunitetit arbëresh.

 

Deklaratat për mediat

Laura Boldrini

Ishte një kënaqësi për mua të prisja sot në Dhomën e Deputetëve, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta dhe patëm mundësinë për të biseduar për të shkuarën dhe për të ardhmen. Dolëm në konkluzionin se marrëdhëniet ndërmjet dy parlamenteve tona duhet të kenë një shtytje të re dhe u ndjeva mirë që mora ftesën për të vizituar Tiranën dhe Parlamentin e Shqipërisë, gjë të cilën do ta bëj sapo të mundem. Jam e sigurt që kemi ende shumë për të zhvilluar në aspektin e marrëdhënieve tona institucionale dhe parlamentare. Për këtë pata kënaqësinë për të ofruar një bashkëpunim ndërmjet dy parlamenteve tona që ndërtohet me shpirtin për të bashkuar forcat për të vënë në vijë një sistem bazuar në shkëmbimet reciproke që mund t’u sjell shumë të mira të dy parlamenteve.

Ilir Meta

Do të dëshiroja të falënderoja Presidenten e Dhomës së Deputetëve të Republikës Italiane, znj. Laura Boldrini për mbështetjen që ajo personalisht dhe dhoma deputetëve këtu i jep marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Italisë, të cilat i konfirmuam edhe një herë si marrëdhënie strategjike dhe ku kemi shprehur vendosmërinë për t’i çuar ato më tej, duke përballuar të gjitha sfidat me të cilat ndeshet Italia, ndeshet Europa dhe natyrisht edhe Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s dhe kandidate në Bashkimin Europian.

Njëkohësisht e kam falënderuar kryetaren Boldrini për ndihmën dhe përkushtimin e saj në periudhën e krizës së Kosovës në vendin tonë, sepse natyrisht në këtë takim nuk mund të mos përmendin edhe krizën e refugjatëve me të cilët është ndeshur Italia vazhdimisht, por po ndeshet edhe mbarë Europa, e cila bën thirrje për një Europë më të bashkuar. Natyrisht Shqipëria, duke qenë gjithnjë e më shumë pjesë e Europës së Bashkuar edhe falë mbështetjes së Italisë, ka treguar gjithmonë vullnetin e saj për të qenë pjesë e këtyre përpjekjeve të përbashkëta.

Njëkohësisht jam shumë i kënaqur që presidentja Boldrini do të vizitojë Shqipërinë dhe do të jetë një vizitë shumë e rëndësishme pas vizitave mjaft të rëndësishme që kemi patur të autoriteteve të tjera më të larta të Italisë. Kjo tregon se të dy parlamentet tona mbështesin fuqimisht marrëdhëniet e partneritet strategjik midis Shqipërisë dhe Italisë. Nuk janë marrëdhënie vetëm midis vendeve, midis shteteve, institucioneve, qeverive, por mbi të gjitha marrëdhënie njerëzore dhe marrëdhënie kulturore, të cilat kanë frymëzime të përbashkëta dhe të cilat na motivojnë për të punuar edhe më ngushtë së bashku.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura