Meta, mesazh familjes së Laços: Si e njoha Teodorin në dy kohë

Oct 15, 2016 | 14:19
SHPËRNDAJE

Në një mesazh të ndjerë pas lajmin për ndarjen nga jeta të Teodor Laços, kryeparlamentari Meta i është drejtuar familjes së tij, gruas dhe dy djemve.

Meta-Konsensus

Në mesazh, Meta shkruan se si e ka njohur Teodorin, në dy kohë, si artisin e letrave nën diktaturë dhe intelektualin që hyri në politikën pluraliste.

Mesazhi i Metës 

E dashur Miriana,

Të dashur Pandi dhe Bledar,

Me dhimbje dhe trishtim të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Teodor Laços,  shkrimtarit të njohur, autorit të një proze të shkëlqyer në letërsi dhe në jetë.  E kam njohur Teodorin në dy kohë;

Kam njohur fillimisht artistin e Letrave nën diktaturë. Si lexues jam njohur herët me  pasionin e tij për të treguar jetën e përditshme shqiptare. Atë jetë të ashpër, të errët e të  vështirë, por edhe të bukur e të shndërritshme siç është gjithmonë e në çdo rrethanë vetë jeta.

Edhe atëherë kur jetohej realisht, edhe atëherë kur tregohej në bobinat e  filmave të dikurshëm bardh e zi të Kinostudios, edhe atëherë kur dëshmohej se kishte  të gjitha ngjyrat e mundshme të një shoqërie që luftonte për mbijetesë.

Teodori ishte pjesë e atij brezi shkrimtarësh të lindur para luftës që luftuan gjithë jetën  për ndryshim e progres.

Në fillim të viteve 90’, njoha edhe Teodorin tjetër, qytetarin e angazhuar dhe intelektualin që hyri në politikën pluraliste me nevojën për të rishkruar dhe njëherë  skenarin për të ardhmen e shoqërisë shqiptare.

Duke mbetur sërish shkrimtar në thelbin e tij, Teodori ishte një zë i rëndësishëm i Kuvendit të Shqipërisë, deputet në disa  legjislatura, ministër i Kulturës dhe ambasador i Republikës së Shqipërisë.

Shkrimtari i huazoi politikës pak shkëlqim nga kultura e përhershme dhe politika i dha  shkrimtarit kostumin e përkohshëm të shtetarit.

I mençur dhe i urtë.

Fjalërëndë dhe miqësor.

I brishtë me forcën e talentit, i matur me përvojën e të urtit dhe serioz me gëzimin e të riut për jetën, Teodori le pas kujtimin e mirë të qytetarit të mirë.

Baba dhe bashkëshort, Teodori do t’i mungojë familjarëve të tij, miqve dhe kolegëve,  por do të jetë vazhdimisht pranë lexuesve të veprës së tij.

Sepse shkrimtarët e mirë mbesin gjithmonë!

E dashur Miriana, Pandi dhe Bledar, ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta  për këtë humbje të përbashkët që na ka lënduar të gjithëve!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura