“Hasanizimi”, Meta: Blushi e denigron Halilajn si Basha

May 6, 2015 | 7:31
SHPËRNDAJE

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka deklaruar dje se jo të gjitha deklaratat e deputetit Ben Blushi duhen marrë seriozisht dhe se jo të gjitha kritikat duhen neglizhuar. I ftuar në “News 24”, në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit, Meta iu përgjigj dhe akuzave për hasanizimin e Shqipërisë. 

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ne televizionin “News24”

A mund ta quajmë për shembull një socialist të hatërmbetur Blushin, kur flet për hasanizimin dhe i referohet kryetarit të Bashkisë së Kukësit? Është një kandidat juaji, besoj mund ta keni ndjekur.
Unë nuk kam dëshirë të komentoj mendimet e lira të një deputeti, siç është dhe zoti Blushi, sepse është e drejtë e çdo deputeti të japë mendimet e tij, të jetë edhe kritik. Por, në rastin konkret kemi të bëjmë me një absurditet skandaloz, për arsye se kam vënë re dhe intensifikimin e sulmeve nga zoti Basha për zotin Halilaj, duke dashur të denigrojë figurën e tij për shkak të kandidimit të tij në këto zgjedhje, kur e vërteta si për zotin Basha, si për zotin Blushi është një dhe vetëm një, që Hasan Halilaj ka treguar se është një njeri me shumë karakter, me shumë dinjitet, i cili nuk ka ardhur me LSI-në sepse LSIja ishte në pushtet, përkundrazi. Ai ka ikur nga Partia Demokratike. Partia Demokratike ishte në pushtet dhe ai ka ikur 2 muaj para zgjedhjeve, kur nuk dihej se cili do të ishte fati i këtyre zgjedhjeve. Dhe ka ikur për një arsye që të gjithë qytetarët e Kukësit dhe jashtë Kukësit e dinë shumë mirë, sepse nuk pranoi presionet që i bënte Berisha, deputeti i Kukësit…

Bamir Topi, Nard Ndoka brenda këtij koalicioni, që duken aleanca jo natyrale…
Është një gjë shumë pozitive. Pastaj të mos harrojmë këto janë zgjedhje vendore, janë zgjedhje lokale. Kudo bashkëpunohet në nivel vendor, pa kufij ideologjikë. Problemet e komunitetit nuk janë probleme kaq politike, sa i politizojnë.

Shpeshherë, zoti Rama ka bërë shaka komike për zotin Ndoka apo “shaka të tjera politike”, çka do të thotë akuza për Bamir Topin dhe kjo aleancë si duket po hap një aleancë jonatyrale dhe rikthehemi gjithmonë tek i njëjti diskutim.
Çdo aleancë në zgjedhjet e pushtetit vendor është më se natyrale, do të thosha.

Pse dhatë pëlqimin tuaj për Erion Veliajn në Tiranë, zoti Meta? A kishte emra të tjerë që mbështeste bazën socialiste?
Unë nuk mund të flas në emër të bazës socialiste. Ky është një proces i Partisë Socialiste. Ne kemi qenë të hapur për çdo kandidat me vlera të Partisë Socialiste. Zoti Veliaj ishte një prej tyre. Ka qenë një ministër shumë i suksesshëm, në vlerësimin tim, në shumë drejtime. Ka hedhur themele të rëndësishme për herë të parë të një politike, e cila synon të orientojë të rinjtë drejt tregut të punës, ndryshe nga deri tani, duke sjellë mjaft elemente të reja, që kanë të bëjnë me edukimin në formimin profesional. Absolutisht, ka bërë përpjekje të mëdha për të rritur fondin për punësimin, që është shumëfishuar në motivim të sipërmarrjeve, të cilat hapin vende të reja pune, sepse biznesi duhet nxitur, jo thjesht të fitojmë shumë. Por ajo që është më e rëndësishme të investojmë shumë dhe të hapen shumë vende të reja pune. Ky është një interes i gjithë shoqërisë dhe i qeverisë, në mënyrë të veçantë, dhe absolutisht është njeri me energji dhe i përkushtuar…

Çfarë mendoni për garën e Tiranës midis Veliajt dhe doktorit Kosova?
Tirana është një garë e hapur. Janë shumë kandidatë në garë. Pa dyshim që është zoti Veliaj, është zoti Kosova, më pas kemi kandidatë të pavarur, zotin Bojaxhi, zotin Arben Tafaj, zotin Sazan Guri.

Por çështja nuk është Blushi, çështja është çfarë thotë Blushi, dhe a janë të vërteta ato që thotë, që po qeveriset shumë keq, që papunësia është rritur, borxhi është rritur, mungojnë investimet publike, çmimi i energjisë nuk u ul, shëndetësia nuk u bë falas, e kështu me radhë. A nuk janë të vërteta këto?
Unë i dhashë një përgjigje për rastin e Kukësit zotit Blushi. Ia dhashë me shumë bindje. Kështu që, jo çdo gjë që thotë zoti Blushi është e saktë, sipas mendimit tim, por edhe jo çdo shqetësim që ngre zoti Blushi duhet nënvleftësuar.

A ka ardhur koha, për shembull, për një rifreskim të qeverisë pas dy vjet qeverisjeje?
Ministrat i gjykon Kryeministri, ne gjykojmë qeverinë. Absolutisht, qeveria po punon me angazhim, me përkushtim, nuk ka qeveri perfekte jo në Shqipëri, por as në vendet më të zhvilluara dhe më të stabilizuara. Ajo ndeshet vazhdimisht me realitetin, ndeshet me vetveten dhe përmirësohet vazhdimisht.

A duhet të ketë ndryshime?
Kur flasim për mendime apo kritika nga deputetë të maxhorancës, absolutisht mendoj se ato gjithmonë duhet të kenë sensin e përmirësimit të qeverisjes, jo të denigrimit të qeverisjes. Kjo gjë kuptohet kur e bën opozita, e cila gjithmonë synon të dëmtojë reputacionin qeverisës, por një deputet i maxhorancës, përfshi edhe kolegun tim të dashur Dule, duhet të ketë sensin e përmirësimit të qeverisjes.

A do të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar pas zgjedhjeve? A duhet të ketë rifreskim? Do të jeni i pranishëm aty me ministrat tuaj?
Për mua, më e rëndësishme është të ketë një ritëm edhe më të shpejtë të ballafaqimit me disa nga autoritetet më të rëndësishme, ndërsa për sa u takon emrave të ministrave, kjo nuk është shumë e rëndësishme as për mua, as për shqiptarët. Zgjedhje më të shpejta, zgjedhje më të mira, shërbim më të mirë, më shumë punësim. Kjo është ajo që kërkojnë të gjithë.

I njëjti deputet, zoti Blushi, në një deklaratë tjetër thoshte: “Po të ishte për qytetarët, do t’i hidhnin të gjithë politikanët në det”.
Unë personalisht nuk jam shumë dakord, nuk e di çfarë mendimi keni ju… Unë e thashë edhe një herë, jo çdo gjë që zoti Blushi thotë, është e saktë dhe jo çdo gjë që zoti Blushi thotë, është apriori e pavlefshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura