Meta: Flas më 21 korrik për Reformën në Drejtësi

Jun 29, 2016 | 8:17
SHPËRNDAJE

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kërkoi dje durim nga mediat deri më 21 korrik, ditë kur Reforma në Drejtësi, sipas kalendarit të Kuvendit, do të futet në seancën plenare për votim. I pyetur nga gazetarët gjatë një përurimi të një biznesi fason në qytetin e Cërrikut, kryeparlamentari tha se në emër të LSI-së prononcohet nënkryetari i saj, i cili është edhe anëtar i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi.

meta

“Për Reformën në Drejtësi duhet të pyesni z.Petrit Vasili. Unë do të flas më 21 korrik dhe deri atëherë ju duhet të keni durim”, i është përgjigjur Meta interesimit të gazetarëve. Kryeparlamentari Meta përfshiu në procedurë normale parlamentare draftin e miratuar nga Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi, edhe pse kreu i Grupit Parlamentar socialist, Ruçi, i kërkoi atij përmes një letre kalimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese në seancë plenare për votim.

Pas takimit të zhvilluar me kreun e PD-së, Lulzim Basha, si kryetar i Parlamentit, Ilir Meta tha se nuk do të merret më në rang partie me Reformën në Drejtësi, duke ia deleguar këtë kompetencë zv.kryetarit të LSI-së, Petrit Vasili. Pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, dy javë më parë, Meta kërkoi votim konsensual të Reformës në Drejtësi.

“Jam i habitur sepse nuk jam marrë me brendësinë e gjithë diskutimeve për reformën që kjo çështje nuk është zgjidhur më përpara sepse mendova që çdo gjë ishte e zgjidhur dhe kërkoj që të zgjidhet. Të zgjidhet me urgjencë, me transparencë, me koherencë, sepse nuk e ka Shqipëria luksin të miratojë një Reformë në Drejtësi pa opozitën, në rast se opozita vërtet është e sinqertë në dhënien e konsensusit të saj dhe kërkon që këto garanci substanciale të mos cenojnë besueshmërinë e institucioneve të reja”, tha Meta.

Ai u shpreh kundër idesë së zgjedhjeve të parakohshme nëse Reforma në Drejtësi dështon. “Vendi nuk ka asnjë arsye që të shkojë në zgjedhje të parakohshme, aq më tepër që të përziejë Reformën në Drejtësi me zgjedhjet e kohshme apo të parakohshme. Ky do të ishte komprometimi më i madh që do t’i bëhej legjitimitetit të kësaj reforme dhe angazhimit e sinqeritetit të gjithë aktorëve për të ndërtuar vërtet një shtet të së drejtës, larg interesave të ngushta partiake edhe elektorale. Kështu që kjo më duket tepër absurde”, tha Meta.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura