Mësuesja sapo ishte pajisur me patente, i mori makinën kolegut dhe…Zbardhen detaje nga aksidenti në Lezhë. Mjeti përfundoi brenda në lokal

Jun 24, 2022 | 9:04
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Një qytetar nga Lezha po konsumonte kafen e mëngjesit në një nga lokalet në zonë, pa i shkuar nëpër mend se mund të goditej nga një automjet.

Aksidenti i pazakontë u regjistrua rreth orës 9:00 të së enjtes në rrugën e vjetër nacionale Lezhë-Milot, pranë fshatit Tresh, kur një automjet doli jashtë rruge dhe përfundoi në ambientet e lokalit. Automjeti “Volksvagen” që drejtohej nga një mësuese, humbi kontrollin dhe përfundoi në ambientet e një lokali në anë të rrugës. Nga aksidenti mbeti i plagosur një person me iniciale N.N. 60 vjeç, i cili ishte klient në lokal dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës, nga ku mësohet se pasi mori ndihmën e parë mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

MËSUESJA I MORI MAKINËN KOLEGUT

Sipas burimeve, mësuesja, e cila sapo ishte pajisur me leje drejtimi, i kishte marrë automjetin një kolegut të saj dhe sapo ka dalë në rrugë, ka humbur kontrollin e makinës, në të cilën udhëtonin dhe persona të tjerë si pasagjerë. Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti. Drejtuesja e automjetit u shoqërua në polici, ku dha sqarimet e saj rreth ngjarjes dhe më pas u la e lirë.

Ky është aksidenti i tretë që ndodh në harkun kohor të katër ditëve në rrugët e Qarkut të Lezhës me një bilanc me 7 persona të plagosur. Ndërsa dhe përgjatë muajit maj pati bilanc tragjik nga aksidentet, me 4 viktima dhe rreth 30 persona të plagosur, teksa shkaku kryesor i këtyre ngjarjeve rrugore mbetet shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve si dhe rrugët pa standarde në Qarkun e Lezhës, të cilat po marrin jetë njerëzish. Akset më problematike mbeten Lezhë-Shkodër, Lezhë-Mamurras, si dhe rruga e kombit segmenti MilotRrëshen i cili vitet e fundit është kthyer në një aks mjaft të rrezikshëm për sa i përket aksidenteve rrugore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura