Mësuesja nga Burreli që përfaqësoi Shqipërinë në Forumin Global të Mësuesve

Jul 7, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Mes 300 mësuesve më inovativë në botë në fushën e Informatikës dhe Teknologjisë, shumë pak mund të ishin ata që e dinin se ku binte Shqipëria, e aq më pak Burreli. Që më e zonja në këtë lëm vjen pikërisht nga qyteti i vogël verior, do të shkaktonte habi edhe në Shqipëri, por në fakt kështu ka ndodhur.

Mirjeta Domi

Mirjeta Domi, mësuese në shkollën “28 nëntori”, në Burrel, ka përfaqësuar vendin tonë në një aktivitet botëror të zhvilluar në Washington. Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Microsoft në Shqipëri, në kuadrin e projektit të përbashkët “Partnerë në Mësimnxënie”, për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies në sferën e TIK, nxiti Konkursin Ndërkombëtar për Mësuesit MIE, “Expert 2015”.

Projektet u vlerësuan për risinë në përmbajtje, për bashkëpunimin, për kreativitet dhe për inovacionin në përdorimin e teknologjisë Microsoft. Projektet u vlerësuan jo vetëm nga një juri kombëtare, por edhe ndërkombëtare. Konkursi kaloi në disa faza. Fatin për të prezantuar Shqipërinë si mësuese “MIE Expert 2015” në Forumin Global 2015, e kishte më- suesja e Fizikës dhe Tik-ut në Gjimnazin “28 Nëntori”, Burrel, Mirjeta Domi, me “Gold Level”.

Aktiviteti u zhvillua në Seattle, Washington, USA. Synimi i kësaj konference ishte që të fitojnë nga prezantimet e punëve të gjithsecilit mësues nga e gjithë bota, si dhe trajnime si të japin mësim te studentët për të “mbijetuar” në shek. XXI. Gjatë forumit, mësuesit prezantuan punimet e tyre para jurisë dhe mësuesve të tjerë.

“U realizua edhe bashkëpunimi i grupeve, ku ne përfshiheshim në grupin 23, të përbërë prej 7 mësues nga shtete dhe kontinente të ndryshme, në organizimin e ideve për hartimin dhe prezantimin e një projekti të përbashkët. Gjatë bashkëpunimit respektoheshin idetë e gjithsecilit dhe në fund u bë një prezantim ku secili kishte kontributin e tij”, shprehet Domi për suplementin “Unë gruaja”.

Disa orë mësuesit kanë demonstruar para kolegëve përvojën e tyre të përdorimit të programeve të tilla Microsoft, si: OfficeMix, Office 365, Skype, OneNote dhe Sway në aktivitetet në klasë, si dhe ato jashtëshkollore. Mirjeta Domi është mësuese prej 22 vitesh. Tashmë mësimdhënia është jeta e saj dhe çdo bisedë ajo do ta lidhë patjetër me gjetjen e mundësive për të përmirësuar procesin e përçimit të njohurive te nxënësit, të komunikimit me ta.

Mendjehapur për të mësuar gjithçka të re në fushën e Teknologjisë dhe Informatikës, ajo përpiqet të jetë ndikuese edhe te nxënësit e saj, duke i udhëzuar në rrugët e pafundme, jo thjesht të botës virtuale, por për t’i ndihmuar ata të çajnë në jetën e tyre të përditshme. Ajo i nxit ata të marrin iniciativa në punën e tyre në të ardhmen, duke i udhëzuar si të ngrenë bizneset e tyre dhe madje edhe financimi i sigurt.

E², Konferenca Edukator Microsoft Exchange 2015 u ndoq nga rreth 300 prej edukatorëve më inovativë në botë, në mënyrë për të nxitur bashkëpunimin, por edhe ndarjen dhe krijimin e eksperiencave të reja. Kjo, në mënyrë që të kuptojnë se sa e mirë është për integrimin e teknologjive të reja, në mënyrë që të korrespondojnë me kufizimet dhe pritjet e arsimit modern.

Mësuesit kanë qenë të shpërblyer për të demonstruar risi në fushat e tyre përkatëse, si dhe gjatë seminareve konkurruese që ndodhën gjatë kësaj ngjarjeje; ata kishin për të punuar me kolegët e tyre për të hartuar një projekt, duke përdorur teknologjitë e Microsoft-it rreth temave të tilla si trimëri, guxim dhe lidership. Që nga viti 2003, Microsoft ka trajnuar më shumë se 10 milionë mësues dhe ka arritur më shumë se 200 milionë studentë në mbarë botën.

MAT / HASAN PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura