Mësuesit, si vijon gara për ata që u testuan vjet

Dec 1, 2015 | 13:43
SHPËRNDAJE

Portali është i hapur këtë vit edhe për ta, mjafton të regjistrohen për të nisur garën njësoj me ata që testohen për herë të parë. Ndërkaq, Ministria e Arsimit bën të ditur rregullat, por edhe programi orientues për provimin e mësuesve do të jetë i njëjtë me atë të vitit të kaluar.

testim-mesuesit

Këtë javë pritet të dalin datat e regjistrimit të atyre që do të futen në testim, ndërsa në mesin e muajit dhjetor mund të zhvillohet provimi që bën rankimin e tyre. Sipas udhëzimit të fundit, kandidati i parë në listë ka të drejtë të zgjedhë një nga vendet e punës në dispozicion, ndërsa nuk mund të refuzojë më shumë se tri oferta.

RREGULLAT

Në testimin “Mësues për Shqipërinë” mund të futen ata që u testuan vjet por nuk kaluan, ashtu edhe ata që rezultuan fitues e që nuk janë punësuar ende, për arsye nga më të ndryshmet: janë në fund të listës, kanë refuzuar postin që iu është caktuar etj.

Ky testim është një mundësi edhe për ata që dëshirojnë të rrisin nivelin e pikëve për t’u renditur një shkallë më lart. Të gjithë duhet të kalojnë përmes të njëjtës procedurë: dorëzimi i dosjes, testimi dhe caktimi i vendit të punës. Por, për ata që u testuan vjet dhe duan të mbajnë pikët ekzistuese mund të mbyllin garën këtu, duke bërë dorë- zimin e dosjes për të konkurruar në fund për fazën finale.

“Të gjithë kandidatët që kanë marrë pjesë në testimin ‘Mësues për Shqipërinë 2014’, nuk janë punësuar, si dhe nuk duan të marrin pjesë në testimet e ardhshme ‘Mësues për Shqipërinë’, duhet të paraqesin dokumentacionin e duhur në njësinë arsimore vendore”, thuhet në udhëzimin e publikuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës.

VENDET E LIRA

Me udhëzimin e ri rregullohet edhe mënyra se si do të procedohet me vendet e lira të punës. Njësitë arsimore vendore dhe drejtorët e shkollave duhet që së pari t’i identifikojnë ato. Më pas bëhet një analizë nëse orët bosh mund të plotësohen nga një mësues i punësuar aktualisht brenda shkollës apo ata që kërkojnë lëvizje paralele brenda njësisë arsimore.

Hallka e fundit është shpallja e vendit vakant, ndërsa e gjithë procedura e mësipërme duhet të bëhet brenda dy ditëve. Vetëm në Tiranë mësohet të ketë disa vende të lira pune në 24 profesionet e mësuesisë, të cilat do të plotësohen nga rezultatet e testimit të këtij muaji.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura