Mësuesit, shtyhet afati i aplikimeve për punësim. Si të regjistroheni në portal

Jun 28, 2019 | 10:00
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Regjistrimi direkt në portalin “Mësues për Shqipërinë” si pjesëmarrës në testimin dixhital e njëkohësisht si punëkërkues në arsim, ka bërë që jo pak mësues të hasin pengesa gjatë procesit, duke pamundësuar aplikimin.

mesues-1

Për këtë arsye, Ministria e Arsimit ka vendosur të shtyjë regjistrimet duke iu lënë afat mësuesve të aplikojnë deri në datën 4 korrik. Në ndihmë të tyre, në faqen ballore të portalit është publikuar një video tutorial, që ilustron hap pas hapi procesin e regjistrimit.

Rreth 7200 mësues kanë kaluar fazën e parë të konkurrimit për punë, atë me dosje, ndërsa presin që në fillimin e muajit korrik e deri në gusht t’i nënshtrohen provimit të informatizuar. Kjo garë nuk ka fitues të menjëhershëm.

Pikët e dosjes profesionale dhe testimit do të mblidhen për të hartuar një listë ku renditen mësuesit nga ai me më shumë pikë tek ai që ka grumbulluar më pak. Më të mirët, të renditur në krye të listës, kanë shanse të mëdha të punësohen këtë fillimshtatori, me nisjen e vitit të ri shkollor, ndërsa të tjerët duhet të presin radhën. Në mos, do të duhet të aplikojnë sërish vitin e ardhshëm, duke ruajtur të njëjtat pikë ose t’i nënshtrohen testimit me qëllim për t’i rritur ato.

APLIKIMI NË PORTAL

Për t’u regjistruar në “Mësues për Shqipërinë”, mjafton të klikoni në faqen ballore dhe të shënoni gjeneralitetet e përgjithshme, t’i bashkëngjisni formularin e pranimit, profilin e mësuesisë dhe tri vendet ku do të donit të punësoheshit në rast se jepet mundësia. Në përfundim të procesit, secilit aplikant i shfaqet një tabelë, në të cilën ndodhet dhe fjalëkalimi, i cili nuk duhet harruar pasi do të përdoret për t’u identifikuar.

Ata që bëjnë gabime, nuk duhet të mërziten, pasi portali lejon mundësi korrigjimi deri në orët e fundit të datës 1 korrik, kur edhe mbyllen regjistrimet. Në adresën personale, çdokush ka një opsion “aplikimet e mia”, përmes të cilit mund të modifikojë preferencat e punësimit. Po përmes portalit, te këndi i tyre, mësuesit mund të kontrollojnë pas përfundimit të testimit edhe renditjen e tyre, duke përllogaritur shanset për t’u punësuar. Aplikuesit e vitit të kaluar mund të regjistrohen me të njëjtin nr. personal dhe email, por me preferenca të reja punësimi bazuar në drejtoritë rajonale të arsimit.

Aplikimi në portalin “Mësues për Shqipërinë” është i detyrueshëm si për ata që e kanë për herë të parë, edhe ata që janë bërë pjesë vitin e kaluar. Kujtojmë që kandidatët e vjetër, ndryshe nga të rinjtë që duhet të skanojnë letërnjoftimin dhe formularin e aplikimit, gjatë regjistrimit në portal, nuk duhet të ngarkojnë dokumente në sistem, por vetëm të shënojnë tri preferencat e zyrave vendore për punësim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura