Mësuesit e rretheve në provim më 23 janar

Jan 8, 2016 | 12:57
SHPËRNDAJE

Pas testimit të mësuesve të kryeqytetit, radhën e kanë ata në rrethe. Ministria e Arsimit ka caktuar datën 23 janar nga ora 11:00-12:00 për të testuar njohuritë e rreth 15 mijë mësimdhënësve e drejtorë shkollash në të gjithë vendin.

mesues ne testim
mesues ne testim

Të gjithë mësuesit në sistem pa përjashtim duhet t’i nënshtrohen një provimi, i cili hedh dritë mbi njohuritë e tyre në katër fusha: planifikimin e mësimdhënies, të nxënit, etika e komunikimi dhe zhvillimi profesional.

Deri në fund të këtij muaji, MAS ka në plan përfundimin e këtij procesi me qëllim që të hartojë planin për trajnimin e mësuesve që kanë nevojë për kualifikim.

DETAJE

Ndryshe nga testimi i mësuesve të Tiranës, që u zhvillua në shkollat dixhitale në rrugë elektronike, ata të rretheve do t’i nënshtrohen një provimi të zakonshëm, në formë të printuar.

Aktualisht, drejtoritë dhe zonat arsimore që kanë marrë urdhrin nga ministria po përgatisin listën e mësuesve për të caktuar më pas ambientet ku do të zhvillohet procesi. Forma dhe mënyra e organizimit të testit mësohet të jetë e njëjtë me atë që u zhvillua në kryeqytet në datat 11 dhe 12 nëntor të 2015-s.

Do të jenë 30 pyetje me alternativa në lidhje me disa aspekte të zhvillimit të procesit mësimor në një test që do të zgjatë jo më shumë se një orë. Ndryshe nga provimi online, mësuesit e rretheve nuk do të njihen me rezultatin menjëherë pas tij, pasi kërkohet kohë për korrigjim.

Bazuar në rezultatin e këtij testi, secilit mësues do t’i jepet trajnim i dedikuar në mënyrë që të aftësohet më tepër në profesionin e tij. MAS ka hartuar tashmë një raport me rezultatet e mësuesve të Tiranës, rezultatet e të cilëve në shumë raste kanë rënë ndesh me shkallën e kualifikimit që ata kanë.

Sipas përfaqësuesve të ministrisë, një pjesë e mirë e mësuesve, që pretendonin se duhej të ishin shumë më mirë me gjithë kualifikimet që kanë marrë gjatë përvojës së tyre si mësimdhënës në vite, kanë rezultuar shumë dobët. Një analizë më e detajuar do të bëhet publike nga Ministria e Arsimit në fillim të muajit shkurt, pasi të jenë marrë të gjitha rezultatet e mësuesve në vend.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura