Mësuesit dhe injoranca e prodhuar nga premtim – mashtrimet

Sep 12, 2020 | 9:00
SHPËRNDAJE

Qemal Çejku*0
Në prag të një viti sfidues shkollor, Rama dhe Veliaj nuk e kursyen takimin e radhës së mashtrimit dhe propagandës me mësuesit. Shtatë vite të qeverisjes, Rilindja drejtoi përmes krizave dhe skandaleve, mësuesit dhe sistemi arsimor ishin ndër kategoritë më të goditura të shoqërisë sonë. Premtime si instrumenta thellësisht të lojës së propagandës dhe populizmit, pseudo-reforma që sollën deformime dhe ngërçe të thella në zinxhirin e proceseve arsimore, injorancë e thellë dhe mungesë e plotë vizioni në hartimin e kurrikulave, mbyllje masive e shkollave nëntëvjeçare në fshatra, janë ndër pasojat më afatshpejta që mund të llogariten nga kriza tetëvjeçare e arsimit të menaxhuar nga Rama dhe ministrat e tij të sektorit.

Një vështrim i shpejtë në retrospektivën e dy mandateve bien në sy fushata zgjedhore e vitit 2013 ku kandidati për kryeministër i asaj kohe u premtoi mësuesve vetë parajsën monetare.

• Pagën shpërblyese (pagën e 13-të) ku sot pas shtatë vitesh askush nga arsimtarët nuk e merr ndërkohë që gjenden dhjetra milionë euro në vit për buxhete koncesionesh në shëndetësi, arsim e infrastrukturë.

Edhe në këtë qerthull korrupsioni arsimtarët nuk përfitojnë asnjë shërbim që duhej siguruar nga taksat që ata i paguajnë shtetit.

• Për t’u shfajësuar u shpik një bonus për mësuesin më të mirë të shkollës, i cili do të merrte 400$ si shpërblim për vitin e ri. Pas aplikimit për dy vite dhe ky avantazh minimalist e kishte zullumin e tij. Si fillim, përfshiu në konflikt vetë mësuesit se kush e përcaktonte shpërblimin, se kush është mësuesi më i mirë dhe si përfundim shpërblimin e mori mësuesi që i premtoi 50 % ose më shumë drejtorit të IA.
• Premtimi për rritje të vazhdueshme pagash e instalimit të një sistemi meritokracie, në piramidën e sistemit.

Por ja ku jemi sot pas 7 vitesh me paga e fuqi blerëse më të ulët e ku fjala meritokraci tashmë është përfshirë si një term vetëm për retorikën fushatë elektorale. Se si fitohen vendet e punës në arsim dhe çdo sektor publik tashmë është një ekuacion që e zgjidh një nxënës i fillores. Kush numëron votat më mirë… bëhet drejtor shkolle, kush mbledh më shumë vota në fushatë merr ndonjë post edhe më të rëndësishëm.
• Kandidati për kryeministër premtoi një sistem arsimor perëndimor me shumë lehtësira për mësuesit, por sot jemi në një realitet të mjerueshëm që nuk ngjall besim tek asnjë prind dhe tek asnjë i ri për të vijuar studimet e larta në Shqipëri.
• Pasi u bë kryeministër Rama vazhdoi me mashtrime 4% ulje norme mësimore, largim nga sistemi i mësuesve jashtë profili e shumë si këto, por realiteti sot është inflacioni i dijes dhe i profesionistëve të saj në të gjithë Republikën.

• Ju premtuan mësuesve libra më të mirë nga Cambridge e Pearson, por kurrikulat përfunduan me përkthime qesharake pa asnjë përshtatje dhe konvergjencë në të gjithë ciklin arsimor në shkollat nëntëvjeçare dhe gjimnaze.
Nga disa drejtues të papërgjegjshëm, mësuesve ju hoq një instrument që i jepte autoritet e rëndësi, ju hoq regjistri e u zëvendësua me pseudoinstrumenta të pavlera e që jua shtonin punën e kotë e lodhjen e pashpërblyer.
Në prag të mbarimit të mandatit të dytë arsimtarët janë të parët që duhet t’u kërkihet një ndjesë publike. Zoti Kryeministër para se t’ju kërkosh votën mësuesve duhet të ju kërkosh falje.

Falje sepse ministret e arsimit i vendose më të paaftë dhe me mungesë vizioni se sa vetë drejtorët e drejtorive të qarqeve. Falje, sepse sagën e ministreve në qeveri si një arritje të përfaqësimit gjinor në vendimmarrje, e reduktove në një fasadë të turpshme promovimi të antivlerave femërore, duke filluar me emërimin e një ministreje kokëulur, burokrateje origjinale me mesatare 5.8 dhe diplomë të dyshimtë. Dhe këtë zonjë me profil të ulët profesional e zëvendesove me një tjeter zonjë të vetëshpallur si intelektuale shumë të lexuar, por me produkte fallco e turpëruese të edukimit dhe arsimimit.
Arsimtarëve t’ju kërkosh falje se si drejtorë të drejtorive të qarqeve emërove njerëz më të paaftë se vetë drejtorët e zyrave arsimore dhe se drejtorët e shkollave, më të paaftë se 80% e vetë mësuesve.

Dhe në epilog të këtyre rreshtave mos të harrojmë se vula e dështimit në arsim të kryeministrit dhe qeverisë mban emrin “mbyllje e shkollave”. E siç shprehej i papërsëritshmi i klasicizmit të letrave, francezi Viktor Hygo “Kur në një shoqëri mbyllet një shkollë, hapet një burg”, këmbanat e emergjencës së analfabetizmit kanë kohë që bien për të zgjuar vetëdijen tonë si komb. Me Ramën, e tashmja e të rinjve ështe në rrezik, e ardhmja është krejt e pasigurt.

*Ekspert Arsimi ne Shoqaten e Bashkive

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura