“Messa di Gloria” e Puccinit, për herë të parë në Tiranë

Apr 13, 2016 | 20:00
SHPËRNDAJE

Si shumë të rinj të tjerë, edhe ai mund të mendonte se nuk është gati, se ka ende kohë, por Olsi Qinami nuk ka kohë për të humbur.

qinamiMe diplomën e dirigjimit nga Akademia e Arteve në Tiranë, ai provoi Londrën. Thelloi studimet dhe eksperiencën, jo vetëm në Britani, por edhe në Austri, Francë e Itali, për t’u kthyer në Londër, duke provuar se ç’është konkurrenca e vërtetë në një qytet të madh, ku numërohen më shumë se 200 orkestra, nga ato të shkëlqyerat, tek amatoret.

Këto ditë Olsi Qinami ndodhet në Tiranë për të drejtuar orkestrën e TKOB në veprën “Messa di Gloria” e Giacomo Puccini-t, e cila vjen si premierë në Shqipëri. Ftesa e drejtores artistike, Abigeila Voshtina, i erdhi gati e papritur, e tashmë ndjen një përgjegjësi jo të vogël mbi supe. Qinami tregon për bashkëpunimin me orkestrën shqiptare, “sekretet” e dirigjimit, por edhe për veprën e Puccini-t, që do të ngjitet në skenë nesër në mbrëmje.

Një dirigjent i ri, që drejton Orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ju “tremb” ky fakt?

Është një përgjegjësi shumë e madhe. Kur m’u bë ftesa, u shokova pak. Edhe pse kam shumë eksperienca, përgjegjësia është shumë më e madhe kur drejton orkestrën e një teatri kombëtar. Ka shumë punë, përgjegjësi, por jam i kënaqur pasi orkestrantët dhe koristët janë përgjigjur shumë mirë. Ndoshta ekziston një mendim i përgjithshëm se në Shqipëri nuk ka disiplinë, por kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Ka instrumentistë shumë të përgjegjshëm, që kanë dëshirë për të punuar. Ndërsa kori ishte përgatitur nga dirigjenti Dritan Lumshi, i cili ka bërë një punë shumë të mirë, pasi është një vepër që kërkon impenjim. Dhe me thënë të vërtetën, unë e gjeta thuajse gati korin. Ishin thjesht disa koordinime apo rregullime të vogla, kështu që një meritë e madhe i takon Dritan Lumshit, të cilin e njoh që në shkollë, është një muzikant shumë i mirë dhe punëtor. Njerëz të tillë, seriozë në punë, me vullnet dhe pozitivitet, i duhen Shqipërisë.

Cili është “sekreti” i një dirigjenti për të gjetur gjuhën e përbashkët me orkestra të ndryshme?

Pozitiviteti ka shumë rëndësi, pasi gjithandej në Shqipëri shoh shumë negativitet, pesimizëm, edhe këshillat kur t’i japin, t’i japin në mënyrë të vrazhdë. Nëse gjërat ofrohen me pozitivitet, ka më shumë mundësi për reflektim, në të kundërt, krijon ndrydhje. Ideja nuk është të arrish perfeksionin, por të realizosh diçka së bashku, të sjellsh një frymë bashkëpunimi dhe koncerti të sjellë emocion, të mos jetë thjesht ekzekutim notash. Sigurisht kjo është e vështirë, jo gjithnjë arrihet, por gjërat duhet të rrjedhin në mënyrë spontane. Me orkestrën duhet të jesh pozitiv. Ka ikur koha e dirigjentëve autoritarë, “diktatorë”. Dirigjenti nuk është më “diktatori”. Ai është muzikant si të tjerët dhe ndihmon të sjellë një vepër në skenë. Duhet të motivojë muzikantët dhe t’i bëjë ata bashkë. Dirigjenti ka për detyrë të sjellë vizionin e vet, të jetë inteligjent dhe të gjejë mënyrën për të bashkëpunuar me orkestrën, t’i përshtatet asaj.

Siç e thatë edhe ju, “Messa di Gloria” është një vepër thuajse e panjohur, çfarë duhet të presë publiku nga ky koncert?

“Messa di Gloria” është vepra e parë madhore e Puccinit. E ka filluar që kur ishte 18 vjeç dhe e ka përfunduar në moshën 21-vjeçare, si provim konservatori në Itali. Ka konfuzion për datat, pasi nuk ka shumë informacion për të. Së pari është e para vepër madhore e kompozitorit dhe së dyti, partiturat janë printuar rreth viteve 1950, pra shumë vonë dhe është vënë në skenë rreth atyre viteve. Është një vepër e rrethuar nga një lloj misteri. Por, qartësisht, është dëshmi e gjenialitetit të një kompozitori të ri, që ka një nuhatje të jashtëzakonshme. “Messa di Gloria” është një vepër kishtare, me tekst në latinish, për falënderimin e Zotit (Kyrie, Gloria, Credo, Sanctus e Benedictus, Agnus Dei). Kori ndërthuret me orkestrën, duke dhënë një kolorit të jashtëzakonshëm. Atyre u bashkohen edhe solistët: Enricho Marchesini (bas), Armando Likaj (bariton), Ermal Pepa (tenor). Nuk është thjesht një vepër fetare, që mund të bëhet “monotone”, por një vepër magjepsëse.

Jetoni dhe punoni prej vitesh në Londër, pse zgjodhët Londrën?

Që herën e parë që kam shkuar për një audicion, më la përshtypjen e një vendi shumë të hapur, të drejtpërdrejtë, pa diskriminim. Më janë dashur muaj për një vizë në Francë apo Itali, çka nuk ndodhi për në Angli. Njerëzit ishin shumë të ngrohtë, pa paragjykime, shumë të interesuar për Shqipërinë. Jeta muzikore është shumë e pasur. Në Londër janë 5-6 orkestra me famë botërore dhe rreth 200 të tjera që fillojnë, që nga niveli shumë i mirë, deri tek ato amatore e gjysmëamatore. Mundësitë janë të mëdha dhe ajo që të bën përshtypje është se atje njerëzit organizohen shumë lehtë, nuk kanë komplekse, mjafton dëshira. Dhe të mendosh që kushtet për artistët janë të vështira, pasi shteti nuk i ndihmon financiarisht. Dhe gjithçka duhet siguruar vetë, përmes fondacionesh. Në vende të tjera është shumë e vështirë të organizosh aktivitete.

Shumë mundësi, por edhe shumë konkurrencë.. si ia dilni?

Konkurrenca është shumë e lartë. Ka më shumë dirigjentë se orkestra. Fatmirësisht ia kam dalë me sukses. Kam arritur të kaloj disa seleksionime. Së fundmi, mes 50 syresh jam futur në 5 kryesorët. Por kam krijuar edhe një orkestër timen “London Thames Orchestra”. Koncertin e parë e kemi në korrik. Në koncertin e muajit nëntor, do të luajmë premierë edhe pjesë nga kompozitorë shqiptarë. Ç’ju shtyu drejt dirigjimit? Kur kam dëgjuar një koncert për herë të parë në sallën e Operës, kam qenë rreth 12 vjeç, më bëri një përshtypje të jashtëzakonshme. Kisha dëgjuar regjistrime, por nuk është e njëjta gjë. Kur je i vogël, ka ca gjëra që lënë gjurmë. Më pas, kur përfundova Liceun për piano, me ndihmën e profesorëve Thoma Gaqi dhe Roland Çene, që do të doja t’i falënderoja, vendosa të vazhdoja për dirigjim. E doja më shumë se pianon. Nuk më mjaftonin vetëm tastet, doja gjithë orkestrën…

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura