“Mësova përmendsh ‘Epopenë e karkalecave’ që të mos ma kapnin”/ Intervista e fundit e Uran Kostrecit: Si e krijova në burg poemën satirike kundër komunizmit

Jul 13, 2021 | 10:12
SHPËRNDAJE

uran 1ERALD KAPRI/ Poeti dhe shkrimtari Uran Kostreci, i cili u nda dje  nga jeta në moshën 83-vjeçare, ka rrëfyer në intervistën e tij të fundit në gusht të 2020, kalvarin e vuajtjeve të tij 20-vjeçare në burgjet politike dhe ordinere  të Shqipërisë, por dhe në internimet menjëherë pas daljes nga burgu në 1981. Sipas tij, dhe pse një burg i vështirë, Burreli për të ishte edhe një shkollë e vërtetë, sepse aty mësoi gjuhët e huaja, filozofinë dhe  arriti të shkruajë edhe poemën “Epopeja e karkalecave”, të cilën mundi ta shpëtonte vetëm duke e mësuar mbi 2 mijë vargje përmendsh për ta botuar pas  daljes nga burgu. Në vitin 1973, ai u ridënua me 8 vjet të tjera për “agjitacion e propagandë”, kur ishte  në burgun e Burrelit. Pas 20 vjetësh në burg, ai u internua në vitin 1981 për 5 vite të tjera. “Në Burrel  ishin 33 veta në dhoma dhe me keqardhje e them vetëm njëri qe spiun, s’po e them emrin, ka vdekur, nga Myzeqeja. Të 32 ishin njerëz të mirë shumë. Aty gjeta dhe Engjëll Çobën, i cili kishte pasur miqësi  edhe me tim atë”, shprehet në intervistën e tij të fundit poeti dhe intelektuali që kaloi 20 vite në burgjet e  komunizmit, Uran Kostreci.

Zoti Kostreci, ju jeni dënuar në 1961 për “tentativë arratisjeje”

Tentova të arratisem në Pogradec për në Shën Naum, por më kapën sepse më ndiqnin. Hetuesia imë u bë në Elbasan dhe më pas më dënuan për 15 vjet për “tentativë arratisjeje”,  duke e justifikuar veten me dy gjëra, pa hyrë shumë në politikë, për të mos e rënduar situatën, më tepër që: nuk më dhanë  të drejtë shkolle, se nuk ma dhanë vërtet, shkollën e lartë dhe që nuk më botuan shkrimet që bëja. Domethënë, u mjaftova me këto dy arsye, sepse ata donin “pse?”.

Pas hetuesisë më çuan në burgun e Tiranës, ku qëndrova 10 muaj. Më pas më çuan në Burrel, aty, kalova nja 11 muaj. Meqenëse kishin nevojë për punë ata, të rinjtë prapë i nxirrnin ndonjëherë, edhe mua më zuri lotaria pas nja një viti, nga Burreli, bashkë me nja 180 veta, na shpunë në Laç. Edhe atje në Laç doli për dreq ajo punë, sepse dukem si burrë i urtë, por nuk kam qenë dhe aq i urtë dhe u prishej një çikë mbledhja atyre me ndonjë pyetje që bëja unë dhe më mori zët shumë komanda dhe pas një druri që hëngra nga një kapter, kapter Xhakua që thoshte: “Jam nga Përmeti”.

Se nga Përmeti jam unë. Ky kapter nga  Përmeti mori urdhër nga komandanti i kampit, Hazbi Lamçja dhe më ka dhënë një dru të fortë që më ka rënë dy herë të fikët në mes të kampit, në mes të 1200 vetave, me një pretekst ashtu kot, siç e kishin ata. Pas kësaj u sëmura. Volla gjak në birucë. Më shpunë në spital, nuk më sollën më në kamp. Duket u bëra i padëshirueshëm në kamp demek me ato pyetjet që u bëja, kur vinin, bënin ndonjë mbledhje politike ata. E panë të  arsyeshme të më çojnë në Burrel prapë.

Dhe në Burrel qëndrova pastaj deri sa u lirova. Duhej të lirohesha në ’73-shin, por  në ’73-shin, kur po bëhej ajo, revolta e Spaçit, që ne nuk e dinim akoma, por më vonë e morëm vesh, në maj ka qenë, mua një, Simon Jubanin, prift, dy dhe Raif Elezin, ndjesë pastë, nga Kukësi, brenda javës na dënuan, për së dyti, brenda në  burg. Pra, unë mora 8 vjet të tjera për agjitacion dhe propagandë me ca dëshmitarë, siç ishin ata, e dini vetë ju. Kështu  që me ato 8 vjet që mora, se unë kisha bërë 12 vjet në atë kohë, duhet të lirohesha, unë bëra 20. Edhe hyra në ’61-shin dhe më liruan në vitin ’81.

Pastaj më liruan, po akoma s’kisha  besim a do më lironin kur isha brenda, se edhe tri herë dënonin ndonjëherë dhe u bë gati-gati e pamundur ta imagjinoje  sa burg do të bëje. Ata të vjetrit, ku hynte dhe babai im, ata vërtet hoqën, edhe u torturuan nëpër hetuesira, edhe burgje të rënda kanë qenë në atë kohë, biles më të rënda sesa ato tonat,  por të paktën kishin një bindje që do bësh atë burg që ke marrë, ato vite dënimi dhe do dalësh. Ne nuk dinim kur do dilnim  dhe a do dilnim, por në ’81-shin më liruan se u bënë 20 vjet, pra dënimi i parë dhe i dytë edhe më lanë nja një vit e tre-katër muaj në Elbasan, se aty ishte dhe familja.

Ju keni qenë në Burrel dhe me Simon Jubanin, si një nga të dënuarit e Burrelit. Cilët ishin intelektualët e tjerë me të cilët keni ndarë vitet e dënimit në Burrel?

Po, ka qenë Simon Jubani. Kam pasur muhabet me atë. Kur vajta sefte në ’63-shin, kam gjetur njerëz shumë të mirë. Kur them shumë të mirë, në kuptimin që ishte nga ajo përbërja e kastës së vjetër, që ishin të burgosurit politikë, autentikë edhe nja 5 a 6 prej tyre ishin intelektualë të klasit të parë. Po gjeta Kudret Kokoshin, nga Vlora; gjeta Engjëll Çobën, nga Shkodra; gjeta Et’hem Haxhiademin, dramaturg dhe përkthyes i mirë nga Elbasani.

Këta ishin të vjetër të gjithë në moshë, por në ndryshim nga të rinjtë e tjerë, unë me këta rrija, se e ndjeva që nga këta mund të përfitoje dhe përfitova vërtet. Ishte… kush tjetër? Koço Tasi nga Përmeti, jurist. Nga ky kam marrë mësime filozofie. Domethënë me këta njerëz, por dhe të tjerë që, edhe pse s’ishin të këtij niveli intelektual dhe arsimor, ishin njerëz të mirë, kam qëndruar. Aq e vërtetë ishte kjo që po them unë, sa mua më futën në dhomën nr.8. Kishte 10 dhoma Burreli. Ishte 120 metër i gjatë, çimento i gjithë, me katër dritare çdo dhomë. Dhomat ishin 8 e gjysmë me 5 e gjysmë, standarde.

Mua më futën në dhomën nr.8, ashtu rastisi. Atje ishin 33 veta, rrinin në çimento, me ndonjë jatak, ndonjë shtronte  rrogoz, ndonjë s’kishte, vonë pastaj në ’73-shin vunë ca dër- rasa që e lehtësoi pak gjendjen, se kishte lagështirë. Por ajo që  duhet t’u them, se është me interes: në ato vite kur vajta unë, mbahej akoma tradita e burgut tamam. Ishin 33 vetë dhe me keqardhje e them, vetëm njëri qe spiun, s’po e them emrin, ka  vdekur, nga Myzeqeja. Të 32 ishin njerëz të mirë shumë.

Aty gjeta dhe Engjëll Çobën, i cili kishte pasur miqësi edhe me tim atë. Pra, me disa nga ata të vjetrit, influencoi edhe miqësia e tim eti me ta dikur, edhe unë e pata më lehtë të afrohesha me ta, ose më mirë të themi ata më afruan mua, edhe, po përdor një folje jo aq të rregullt, në kuptimin figurativ, unë dita t’i mjel këta. T’i mjel, me kuptimin e mirë të fjalës, pra, të marr diturinë e tyre, aq sa munda. Po! Edhe ata e lejuan veten të milen prej meje. Kishin vërtet dëshirë të më ndihmonin. Aty mësova italisht, aty komentova Dante Aligerin, aty mësova edhe historinë e filozofisë, edhe shumë gjëra të tjera. Aty njoha dhe historinë e Shqipërisë, për herë të parë, se ajo që kishim bërë në shkollë qe kot.

Na tregoni diçka më shumë për këtë atmosferën intelektuale dhe librat në Burrel, që duhet të ketë qenë një nga  gjërat më të bukura e më të rralla në ato vite të errëta. Ju keni shkruar “Epopeja e karkalecave” në burg. Si arritët ta nxirrnit veprën që andej?

Tani, siç e thashë, situata në Burrel nuk qe e lehtë, qe e vështirë. Dhe për nga disiplina e hekurt, Burreli mund të them që shquhej për keq. I vetmi avantazh atje, për neve, për mua në mënyrë të veçantë që isha njeri që merresha me libra, ishte që nuk kishte punë dhe tërë ditën, në qoftë se ishe i zoti dhe kishe vullnet, ti mund të merreshe me libra. Tani del vetvetiu pyetja që mund të bëni ju: Ku i gjenit librat? Libra në Burrel,  në ndryshim me kampet e tjera të përqendrimit, kishte në gjuhë të huaj: italisht, frëngjisht, pak gjermanisht edhe pak anglisht, po italisht shumë.

Pse? Sepse ata Burrelin e kishin  caktuar dhe destinuar për njerëz që do të shuheshin, do të masakroheshin, do asgjësoheshin, kështu qe plani i parë. Edhe kanë menduar, që me libra, pa libra, ata do ikin…Pastaj u ndërrua një çikë atmosfera dhe u ndërrua dhe plani, ata e  dinë sesi vajti puna. Për inerci, librat mbetën, deri më ’73- shin, por unë atje vajta në ’63-shin. Deri në ’73-shin i pata dhjetë vjet në dispozicion librat, edhe i shfrytëzova aq sa munda. Meqë kam qenë i librave gjithnjë, unë përfitova shumë. Për brezat që erdhën, për të rinjtë, brezi i tretë t’i themi që erdhi pas ’73-shit, edhe që nuk ishin aq shumë të librave, se erdhën dhe kategori pak të papërgatitura, e patën të vështirë se librat i mblodhën ata në ’73-shin.

Ne pastaj merreshim me nga një gjë tjetër, siç merresha unë për shembull, me ndonjë  krijimtari, por edhe ato përkthime që bënim edhe ato i mblidhnin, gjoja për të kontrolluar dhe i zhduknin. Unë atje bëra dhe  “Epopenë e karkalecave” që është një poemë satirike kundër komunistëve të cilën nuk arrita dot ta nxjerr sepse e shkrova, por arrita ta nxjerr sepse e mësova përmendësh. Ajo u shkrua për nja 8-9 vjet, 10 vjet se dhe ngjarjet nuk ndodhën në një ditë. Falë kujtesës sime që e kam pasur të fortë, fatmirësisht e kam akoma, unë mësova 2000 vargje përmendësh, aq kishte ajo: 500 strofa. Edhe kur e botova pastaj, vite e vite më vonë, e thjeshtova një çikë, por unë atë e shkrova në burg, edhe e botova në vitin ’92 për herë të parë, në gazetën “Liria” të cilën e drejtoja vetë, gazeta e të burgosurve politikë.

Pastaj e botova një herë në faqen e RD-së në ’93-shin, pastaj e botova libër në ’95-ën e pastaj më vonë prapë e ribotova. Pra, i vetmi krijim  letrar i imi që shpëtoi nga Burreli ka qenë “Epopeja e karkalecave” se e mësova përmendësh. Ca gjëra të tjera humbën, i  morën kapterët e s’i dhanë më.

Çfarë kushtesh kishte burgu i Burrelit në periudhën kur ju ishit aty, vitet ’63-’81?

Në Burrel, biruca qe shumë e vështirë. Ata që ishin atje,  antikomunistë të vërtetë që e urrenin komunizmin se e njihnin mirë atë regjim, ata rezistuan më kollaj, se urrejtja për regjimin qe aq e madhe sa ajo na jepte forcë. Dy janë në botë ndjenjat më të forta: dashuria dhe urrejtja. Ata, pa dashur që t’i lëndoj, që kishin hyrë aksidentalisht, që kishin thënë vetëm  që “s’ka djathë” edhe që “s’ka patate në dyqan”…ata u ligështuan, ata e kishin më të vështirë të duronin burgun dhe bënin  letra, lart, për sqarim, që: jo “e pati fajin ky”, jo “ma bëri ky”, “po jua tregoj sesi ka qenë puna”, rrinin me shpresë se gjoja do liroheshin o do rishikohej puna e tyre. Qe kot ajo punë, po kjo ata i ka lënduar shumë edhe i ka ligështuar. Unë edhe pse isha çikë më i ri se ca të tjerë nga këta, u thosha: Or’ vëllezër bëni dua të bjerë komunizmi sesa të jetë komunizmi gjallë, ne s’dalim që këtej.

Lutje mos bëni se nuk jua ul dënimin njeri, por bëni dua mos t’jua shtojnë “! Tani, pse e thashë këtë? Ne, pra, që ishim antikomunistë të vërtetë dhe unë isha një nga ata, me thënë të drejtën, ne e duruam më kollaj se mobilizimi shpirtëror qe i madh, urrejtja qe shumë e fortë, nuk na linte sedra të ligështoheshim para atyre që na mbanin brenda edhe s’prisnim asnjë gjë të mirë, jo! Unë biles u thosha shokëve: habitem pse s’po na vrasin, habitem qysh jemi gjallë. Po na shpëtoi Zoti. Edhe Zoti na shpëtoi një pjesë, ne, sepse vdiqën shumë.

A i keni takuar pas shembjes së diktaturës ata që ju  kanë dënuar dhe torturuar?Çfarë keni ndier në këto përballje? Çfarë ka ndodhur mes jush? 

Asnjë gjë nuk ndodhi, po nga këta ciklopët, po i quaj ciklopë dhe kriminelë të asaj kohe që na kanë torturuar, apo dënuar, shumë nga ata nuk i kam takuar se dhe unë s’kam dashur t’i takoj, por dhe ata nuk më janë shfaqur, po nja dy  raste më kujtohet që ka pasur, rastësisht: një hetues, më kujtohet, që sa më takoi, fjalët e para, filloi të thotë që “unë e  kam ditur, që ti kishe vlera, po ishte koha…” si llafet e tyre dhe unë ia kam mbyllur gojën me dy fjalë: “I nderuar zotëri, kohën e bëjnë njerëzit, edhe po të ishte për kohën, unë kam pasur mend, me lejen tënde, më shumë se ty.

Mund të isha bërë hetues, fut nja 4-5 vetë brenda edhe bëhesha unë hetues, të rrihja unë ty dhe jo të më rrihje ti mua, por unë nuk desha t’i hyja asaj pune, kështu që zotrote deshe të hyje në atë kategori shqiptarësh që morën më qafë gjysmën e Shqipërisë. Unë nuk po të them gjë tjetër, vetëm po të them këtë: që Zoti të faltë mëkatet dhe ishallah arrin të kuptosh se ç’ke bërë!”. Tani, në lidhje me atë çfarë kam ndier.

Dikush mendon se Urani do të ndiente ndonjë urrejtje, mllef të madh në atë moment që i shfaqet një nga këta edhe veprimi i parë që përfytyron që mund të bëjë ky njeri, pra, ky ish-i burgosur, është t’i hidhet në fyt. E para e punës një herë, unë kam pasur një vetëdije atëherë, po sot ca më tepër. Vetëdija ime ishte kjo: që  unë isha armik i komunizmit dhe komunizmi qe armiku im. Këta të gjithë ndynë shpirtin e tyre, rënduan ndërgjegjen e tyre edhe u bënë vegla qorre të atij regjimi. Në qoftë se unë si Uran do të merresha me një nga këta, unë do ta ulja shumë veten, do ta ulja stekën. Unë edhe atje në burg s’merresha me  gardianët. Unë isha njeriu më i sjellshëm me gardianët e burgut.

I quaja kot, po kur vinin nga Ministria e Brendshme që vinin dhe bënin tema politike, edhe thoshte në fund ai: “kush ka ndonjë pyetje?”, unë atëherë i bëja një pyetje që ia hidhja në erë të gjithë atë që ai kishte thënë. Asgjë s’fitoja nga kjo, por kisha kënaqësinë që atij ia prishja atë për të cilën erdhi, edhe kënaqesha për veten time, edhe pse e dija që pas tri ditësh do futesha në birucë e do haja hu, siç haja. Tani, jemi te këta të tjerët. Më pyeti në një intervistë, një moderatore. “Uran, tha, ndien urrejtje, kur sheh ndonjë nga ata që të kanë torturuar?”. “Po jo moj zonjë”,- i thashë unë. “Jo se ata  nuk e meritojnë urrejtjen time, por unë ata i përbuz”,-i thashë unë. Urrehet ai që konsiderohet i barabartë për nga rangu me ty, nga klasi, nga intelekti, nga çdo gjë. Ata janë çapaçul, për të cilët unë ndiej mëshirë. Unë çdo gjë do pranoja, po që  të isha në vendin e tyre, qoftë dhe një minutë, nuk do e pranoja se do vrisja veten. Edhe unë habitem, qysh nuk e vrasin  veten.

Ju u liruat përfundimisht edhe nga internimi, rreth 50 vjeç. Nuk e menduat asnjëherë të martoheshit?

E jo, ka një gjë te tipi im. Urani tani është tip romantiku, i tillë kam mbetur edhe tani që jam 80 vjeç. Si i tillë, unë e kam përfytyruar martesën, ashtu si çdo njeri, të bukur, poetike…Në atë kohë që dola unë, për martesë poetike nuk mund të bëhej fjalë më, edhe unë nuk mund ta pajtohesha, edhe pse isha aq sa isha në moshë, le që s’ishte ekonomia, s’kishte as shtëpia, as rroba, as para, as gjë prej gjëje, po edhe nga ana shpirtërore unë nuk mund të pajtohesha me një martesë pleqërishte. Meqë  ajo iku, jo për fajin tim, unë e mbylla edhe nuk desha të martohem.

Jam martuar me letërsinë. Me lejen tuaj, po e them, atë e ka thënë Mid’hat Frashëri, jo unë, por unë jam martuar me Shqipërinë. Unë kam miq, kam shokë goxha të mirë, por mbi të gjitha kam letërsinë që s’më lëshon. Merrem me ato sonetet, librat edhe s’mund të them se e ndiej shumë mungesën e një familjeje pa çka se me logjikë, kur mendohem hollë-hollë, e di që kam humbur shumë sepse martesa është një institucion i domosdoshëm.

Edhe kur vjen një moshë shumë e shtyrë, edhe tani i ri s’jam, biles jam i vjetër, po duket ajo moshë akoma s’ka  ardhur shyqyr Zotit, ndoshta dhe do ta ndiej mungesën e familjes. Mirëpo, unë jam besimtar, i fortë, i vërtetë. Unë besoj që Zoti  nuk do më shkaktojë një rënie të atillë në shëndet sa të mos jem i zoti për veten time. Them që do ta kem vdekjen të qetë. Në emër të Zotit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura