Mesha për Kaçifas, nëna: Im bir mbetet hero, e donte Epirin e Veriut. E vranë se…

Nov 5, 2018 | 9:30
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Familja e Konstantinos Kaçifas organizoi dje në Bularat një meshë përkujtimore, 7 ditë pas vrasjes së tij nga forcat speciale të Policisë së Shtetit.

vasiliqi

Gjatë kësaj ceremonie në kishën e fshatit, janë parë dhe të rinj të veshur me bluzat të zeza, me mbishkrimin “Forcat e armatosura greke”. Ende pa u varrosur, familjarë dhe banorë të fshatit u mblodhën në kishë, ndërsa nëna e tij, Vasiliqi Kaçifas tha se djali i saj mbetet një hero.

“Konstantinosi im do të mbetet një hero, unë do të bëhem e fortë dhe do ta bëj zemrën gur për trimin tim”, u shpreh para kamerave të televizioneve greke nëna e 35-vjeçarit. Ajo i kërkoi gazetarëve grekë që t’i mbrojnë minoritarët dhe të drejtat e tyre”. “Konstantinos e donte fshatin e tij, e donte Epirin e Veriut, më lër t’i them të gjitha”, tha dje e dëshpëruar Vasiliqi Kaçifas para kamerave të televizioneve greke.

Sipas tyre, ish-bashkëshortja e Konstantinos Kaçifas nuk do të dëshmojë në Prokurori, pasi, përmes një letre dërguar prokurorit të çështjes, është shprehur se ka qenë e ndarë prej kohësh dhe nuk ka ndonjë gjë për të dëshmuar lidhur me këtë çështje.

“T’i jepet drejtësi djalit tim”, ishte thirrja e nënës së Konstantinos, ndërkohë që nga autoritetet shqiptare ende nuk është dorëzuar trupi i 35-vjeçarit te familja për shkak të hetimeve të vazhdueshme nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në shtëpinë e familjes Kaçifas, dje ishte dhe eurodeputetja greke, që ka disa ditë në Bularat, Eleni Theoharu. “Një gjë dua, të më vijë sa më shpejt të jetë i mundur trupi i djalit. Dua që të jepet drejtësi për djalin tim”, u shpreh nëna e tij. Vasiliqi Kaçifas iu drejtua dhe deputetit të LSI-së së Gjirokastrës, Vangjel Tavo, të cilit i kërkoi ndihmë për marrjen sa më shpejt të trupit të djalit.

“Përse e mbajnë trupin, Vangjel, përse nuk e ngrini zërin të gjithë?!”, tha nëna e 35-vjeçarit. Sipas saj, Konstantinos nuk bëri asgjë, përveçse vendosi flamujt grekë. “Nuk ka bërë asgjë. Ai donte vendin e tij, fshatin e tij. Ndërsa ne jetojmë me frikë. Ai vendosi 5 flamuj në fshat. Djali im ishte besimtar, mbante poshtë jastëkut lutjet e Ungjillit”, tha Vasiliqi Kaçifas.

Nga ana e saj, eurodeputetja Theoharu lëshoi akuza për regjim terrori dhe mohim të dinjitetit njerëzor. “Unë nuk e di se çfarë po kërkojnë dhe çfarë qëllimi kanë. Mos duan ta varrosin në ndonjë burg?! Apo duan të bëjnë një seri të re të memorialesh të të burgosurve?! Regjimi i terrorit dhe kërcënimi, mohimi i dinjitetit njerëzor nuk na lejon të heshtim”, u shpreh eurodeputetja Theoharu.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura