Mesha në greqisht natën e Pashkës, Blushi: Kur do flasë Anastasi shqip?

Apr 14, 2015 | 15:10
SHPËRNDAJE

Nuk jam besimtar, megjithatë i ndjek për arsye kulturore e, në disa raste, edhe politike, ritet fetare që të krishterët dhe myslimanët e Shqipërisë bëjnë të paktën disa herë në vit.

Anastas Janullatos (majtas) Ben Blushi (djathtas)

Këtë po bëja edhe të shtunën në mbrëmje kur ortodoksët po festonin ringjalljen e Krishtit në Katedralen e Tiranës.

Natyrisht si çdo njeri që është edukuar pa asnjë ndikim dhe disiplinë fetare dhe që për shkak të leximeve ka dyshimet e veta për ekzistencën e Zotit, të shtunën po mendoja se sa e mundshme është që Jezu Krishti të jetë ngritur nga varri dhe, siç pretendon Kisha, të jetë ngjitur në qiell pranë Zotit, duke pritur që ne të bëhemi gati për rikthimin e tij të dytë në tokë.

Sa herë mendoj për këtë legjendë të mahnitshme, them me vete sa bukur do ishte sikur dikush të kishte fuqinë dhe provat e duhura për të më bindur së vërtet kështu ka ndodhur, pra që dikush të provonte se Krishti ka qenë ai që thuhet në bibël, vetë Zoti apo biri i tij, çka, nëse provohet, është e njëjta gjë, sepse në thelb e shpëton njerëzimin nga dilema e tij më e madhe: nëse njeriu është krijesa e Zotit apo Zoti është krijesa e njeriut.

Dhe njeriu që natën e Pashkës ortodokse mund të më jepte më shumë arsye për të lëmuar dyshimet e mia mbi Zotin dhe ekzistencën e tij, natyrisht ishte kryepeshkopi Anastas Janullatos.

U ula, pra, ta dëgjoja me besimin e mjaftueshëm qe kam tek aftësitë e tij si një klerik i shkolluar, si një akademik që ka shkruar disa libra për këtë temë, si një murg që u ka dedikuar jetën mendimeve për Zotin, si një mendimtar për të cilin gjithmonë kam besuar se ka argumentet e duhura për të bindur dhe zbutur edhe dyshuesit kronikë si puna ime.

Për fat të keq, gjithë kërshëria ime për të marrë një leksion të lartë liturgjik u shua që kur Anastasi filloi të fliste. Jo sepse ato që tha sërish nuk arritën të më bindin, por sepse ato që tha, i tha në një gjuhë që unë nuk e njoh: në greqisht.

E lashë meshën dhe gjithë pyetjet që kam për fenë në përgjithësi dhe vendosa t’i bëj vetes një pyetje tjetër.

Pse Anastasi flet greqisht në një meshë shqiptare? Pse duhet t’i mësojë shqiptarët në greqisht? Pse greqishtja ka epërsi ndaj shqipes për të ndarë të mirën dhe të keqen që predikon Kisha e krishterë? Sa shqiptarë kuptojnë greqisht dhe a duan ata të meshohen në një gjuhë që nuk e dinë dhe nuk kanë arsye ta mësojnë vetëm për një natë Pashke apo Krishtlindjesh? Pse Zoti, nëse ekziston, nuk i thotë kryepeshkopit se duhet t’u flasë shqiptarëve në gjuhën e tyre, siç ndodh me gjithë ortodoksët e tjerë në Ballkan? Dhe, nëse Zoti e kupton që këtu ka diçka që nuk shkon, pse nuk ia thotë këtë detaj kaq të thjeshtë edhe kryepeshkopit te Shqipërisë?

Si një njeri që e kam takuar kryepeshkopin Anastas vetëm disa ditë pasi erdhi në Shqipëri, në vitin 1992, besoj se ai ka pasur të paktën 23 vjet kohë për ta mësuar gjuhën tonë. Kryepeshkopi njeh perfekt katër apo pesë gjuhë, në të cilat mund të meshonte lehtësisht, përveç greqishtes, që është gjuha e tij amtare dhe unë nuk kam asnjë dyshim se ai ka pasur jo vetëm kohën e mjaftueshme për ta mësuar shqipen, aq sa për të mbajtur dy mesha të rëndësishme në vit dhe prandaj nuk më bind kokëfortësia e tij për të folur greqisht natën e Pashkës, sepse nuk kam fjalë tjetër, përveç kokëfortësisë, për të përshkruar refuzimin publik që ai i bën gjuhës që flet grigja e tij shqiptare.

Nuk besoj se ka arsye tjetër, pra, përveç një kokë- fortësie të padrejtë dhe plotë- sisht të panevojshme dhe sigurisht plotësisht të evitueshme.

Kryepeshkopi është një njeri mjaft i ditur dhe me sensin e duhur politik për të kuptuar ndikimin që sjellja e tij ka në Shqipëri. Është e pamundur që ai të mos parashikojë se shumë njerëz që e duan dhe shumë që ndoshta nuk e duan, ia bëjnë këtë pyetje vetes: Pse nuk flet Anastasi shqip?

A mund të ketë ai më pak aftësi se gati 1 milion shqiptarë që kanë emigruar në Greqi dhe që e kanë bërë greqishten gjuhën e tyre të punës, të shkollës, të shtëpisë dhe të jetës? Pse ata nuk refuzojnë të flasin greqisht në punët e tyre të përditshme? Çfarë ndryshimi ka Anastasi nga ata? Edhe ai është këtu për të shërbyer njëlloj si ata, madje në një kuptim shumë më të lartë e hyjnor dhe prandaj kokëfortësia e tij mund te lexohet si një kundërshtim për t’u përshtatur me ne, çka është e padrejtë në kuptimin fetar, pra barazitist të fjalës.

Kryepeshkopi ka shërbyer dhjetë vite si misionar ne Afrikë pranë komuniteteve ortodokse atje dhe jam i bindur që nuk ka mbajtur asnjë meshë në greqisht. Për afrikanët e Kenias, Ugandës apo Tanganikës, greqishtja e kishës do ishte jo vetëm e pakuptueshme, por edhe e panevojshme. Kush i flet greqisht një afrikani, e largon atë edhe më shumë nga Zoti dhe nga udha e tij, sepse e shtyn në një rrugë pa kuptim. Dhe, meqë asnjë afrikan nuk ka nevojë të dijë greqisht për të qenë ortodoks, atëherë pse ne duhet të dimë greqisht për të kuptuar kalimin e Krishtit nga jeta në përjetësi natën e Pashkës?

Nga ana tjetër, kryepeshkopi e di shumë mirë sepse e ka vuajtur mbi shpinë që, pikërisht për shkak të ndikimit arsimor të kishës greke gjatë kohës së pushtimit osman, shumë shqiptare kanë paragjykime për ortodoksët e Shqipërisë. Këto paragjykime janë të padrejta, sa ç’janë të padrejta sajesat se korçarët e krishterë janë grekë meqë janë ortodoksë. Unë kam shumë familjarë që besojnë dhe jetojnë si të krishterë, por asnjëri prej tyre nuk mendon se është grek. Përkundrazi! Ata luten në shqip dhe nuk dinë asnjë fjalë greqisht.

Atëherë, si ka mundësi që kryepeshkopi i tyre nuk mendon për t’ia hequr grigjës së vet këtë paragjykim? Kush mund dhe kush duhet ta bëjë më mirë se ai? Nëse ai flet greqisht duke refuzuar shqipen, ky paragjykim nuk fshihet, por përkundrazi forcohet dhe kjo, për një detaj, që nuk mund të fshijë historinë dhe as mund ta krijojë atë.

Dhe ky detaj nuk mund të quhet “lost in translation” apo gabim në përkthim. Kryepeshkopi Anastas mund të më thotë se sa herë që meshon, dikush ia përkthen fjalët dhe mendimet. Por kjo përgjigje nuk më bind. Anastasi nuk ka nevojë të përkthehet dhe nuk duhet të përkthehet, sepse ai ka detyrimin dhe dijen e duhur për të folur shqip. Hirësia duhet të flasë shqip.

Me këtë shpresë do ta ndjek dhe Pashkën tjetër.

Me lutjen se do ma shpjegojë Zotin pa përkthim!

Ben Blushi 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura