Mesha e parë në Shkodër… si fund dhe fillim

Nov 3, 2015 | 12:23
SHPËRNDAJE

Frano KulliFRANO KULLI

Të përdorësh sot togfjalëshin “Mesha e parë”, më së paku tingëllon si patetike dhe ngjan diç më ulët se e zakonshme. Përderisa, ashtu si gjithkund tjetër në botën e qytetëruar, nga gjindja që e përbëjnë një popull ka ndër to besimtarë dhe jo, tani edhe këtu ndër ne, ata që besojnë dhe ata që duan ta praktikojnë besimin  e tyre kanë tri mundësi, bile saktësisht katër për t’i kryer ritet dhe për të ushtruar besimin. Por nëse flasim për njëzet e pesë vjet më parë dhe pikërisht për 4 nëntorin e vitit të shënuar 1990, kur në Kapelën e rrënuar të Varrezave të Rrmajit në Shkodër, do të kremtohej mesha e parë pas ndërprerjes së dhunshme të këtij rituali, ndërprerje, që ka zgjatur edhe ajo gati një çerek shekulli, do të duhet të bëhet një kapërcim i fortë në kujtesë për ata që e kanë pasur në atë kohë moshën e të kuptuarit. Ndërsa brezit tjetër  më pas, i duhet të përdorë mjetet e tjera të rikrijimit ideo-emocional të atij momenti, nëpërmjet rrëfimit ose fantazisë, kryesisht…

Mesha e parë është ndërkohë edhe përmbysja e parë. Është zanafilla e përmbysjes së një regjimi dhe hapja e perdes për t’u shfaqur pamja e lirisë, e së drejtës për t’u shfaqur lirisht Zoti në sytë e shpirtit të njeriut, birit të tij. Qenia e njeriut shqiptar si njeri i Zotit kishte mbet pezull për gati një çerek shekulli, për plot njëzet e tre vite, mbasi “Zoti” i rrejshëm me fytyrën dhe qenien prej njeriu të egër-diktator ua kish hequr me ligjin e vet të drejtën e shenjtë për t’u lutur e për të komunikuar, i biri me të Atin… Shërbestarët e ritit të besimit-klerikët e të tri besimeve iu nënshtruan kalvarit të mundimeve si të Golgotës… Veçmas katolikët.

“Viktimat e para që u pushkatuan në vitin 1945 ishin: poeti i ëmbëlsisë, Dom Ndre Zadeja, stilisti dhe përkthyesi i Schillerit dhe Goetës, Dom Lazer Shantoja, hartuesi i fjalorit shqip, Dom Nikollë Gazulli dhe dhjetëra intelektualë katolikë dhe myslimanë nga Shkodra”, shkruan Delegati Apostolik, Leone Nigris, të cilin diktatori e shpalli “persona non grata”. (MARKUS Ë.E.PETERS, Përballjet e Historisë së Kishës Katolike në Shqipëri, Qendra Botuese Shoqata Jezuite, Tiranë, botues, Enti Botues Gjergj Fishta, Lezhë, 2010, f. 163.)
 Imzot Frano Gjini, ipeshkëv, me një letër që i drejtonte Enver Hoxhës, në cilësinë e Delegatit Apostolik, pas dëbimit të Leone Nigris, ndër të tjera i shkruan se “Duem me ndejun besnikë deri në dekë të fesë, sikurse besnik duem me i ndejun deri në dekë Atdheut tonë të dashtun”.

Kjo letër nuk mori përgjigje kurrë, madje u cilësua si akuzë ndaj sistemit. Në fund të vitit 1946, Imzot Gjini arrestohet dhe torturohet, akuzohet si spiun i Vatikanit e i anglezëve dhe organizatori i Kryengritjes së Postrribës. Pushkatohet në zall të Kirit [afër Varrezave të Rrmajit], në vitin 1948.(Po aty, f. 164)
Pas ekzekutimit edhe të Atë Anton Harapit, si anëtar i Regjencës, në shkurt të vitit 1946, dëbohen të gjithë klerikët dhe anëtarë të tjerë të urdhrave që nuk ishin nënshtetas shqiptarë,  rreth 80 klerikë misionarë.

Më 2 mars 1946, shpallet dënimi me vdekje për etërit jezuitë: Atë Giovani Fausti, Atë Daniel Dajani, për françeskanin Gjon Shllaku dhe seminaristin Mark Çuni. Fjala e fundit, para pushkatimit… Dajani: “I fali ata që më kanë ba keq. Jam kondend [I qetë, i kënaqur] se po vdes i pa faj, ma mirë se fajtuer”…; Fausti: “Jam kondend se vdekja po me vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet, jezuitëve, xhakojëve, apostolikëve dhe arqipeshkvit. Rrnoftë Krishit Mbret”; Shllaku: “Lamtumirë m’i thoni shokëve françeskan dhe të gjithë të njohunve. Rrnoftë Krishtit Mbret-Rrnoftë Shqipnia” dhe  Çuni: “I fali të gjithë ata  që më kanë gjykue, dënue dhe ata që do të më gjykojnë. I thoni nanës se i kam Lodovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ia paguej. Rrnoftë Krishti Mbretë, Rrnoftë Shqipnia”!. (Dr. Pjetër Pepa, Dosja e Diktaturës, Tiranë 1995, f. 44-46.)

Më 6 mars 1946 u urdhërua mbyllja e “Hylli i Dritës”, “Leka” dhe revistave të tjera fetare si: “Zani i ShnaNdout”, “Kumbona e së Diellës, “Zgjimi i Djelmnisë”, “Bijat e Zojës”, u ndaluan  librat dhe u mbyllën shkollat, që për regjimin e dhunshëm cilësoheshin si një armë në luftën politike dhe ideologjike. U asgjësuan të gjitha botimet e mundshme dhe u mbyllën të gjitha shkollat katolike si: Françeskane, Jezuite, ajo e murgeshave Stigamtine dhe Servite, në Shkodër dhe në Tiranë. U shkrinë të gjitha shoqatat katolike dhe u konfiskua pasuria e tundshme dhe kjo pasuri, aty e mbas do konsiderohej shtetërore.

Preh e përvetësimeve ishin: shkollat,  kuvendet, tri shtypshkronjat, ndër to edhe shtypshkronja e Jezuitëve, bibliotekat, muzetë, arkivat etj., të krijuara nga gjysma e dytë e shekullit XIX… Pa dyshim, trashëgimia më elitare e kulturës sonë kombëtare.
Mesha e parë ishte fillimi i fundit të një regjimi. Ashtu ëndërruam, ashtu kujtuam dhe besuam…
Famullitari i tanishëm i Shkodrës, dom Arturi, Artur Jaku, merret me kremtimin e jubileut, të sivjetëm. Me dëshirë e pasion që e shfaq dhe me energjinë që nuk i mungon, që s’mund t’i mungojë një misionari, i cili besimit e shërbesës për të i ka dedikuar jetën, qyshsekur ka pranuar kushtet e përjetshme para shugurimit meshtar.

Sigurisht dëshira ia don që në kremtimet e ngjarjes së shënuar për Kishën, por edhe për Shkodrën e për Shqipërinë të mikpresë, më 4 nëntor 2015, te Varrezat e Rrmajit, aty ku dom Simon Jubani pati celebruar meshën 25 vite më parë, bashkë me mjaft të ftuar nga Vatikani; kardinalin Salvatore De Giorgi dhe ipeshkvijtë e Shqipërisë edhe nga prijësat e vendit, autoritete udhëheqëse të vendit. Ftesat i ka dërguar, me dëshirë e me rend e me kohë. Zonjës Ministre të Kulturës, si bashkëorganizuese e kremtimit, qysh në krye të herës. Dom Nikë Ukgjini, që ndan mjaft miqësi me të, ia ka falë zvarritjen e pafalshme për rindërtimin e murit ballor të rrethimit të Varrezave të Rrmajit. Thjesht për lejimin për ta bërë këtë gjë, se financimin… e bëjnë disa besimtarë bamirës. Kështu, Zonjës Ministre i mbetet vetëm të vijë në kremtimin e ngjarjes së shënuar. Me “Mercedes” apo “Jaguar”?…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura