Mesazhi me figurën e Enver Hoxhës, Kryetarja e Kuvendit: E papranueshme që një deputet përdor këto simbole/ Nikolla dhe Meta, debat për buxhetin dhe bashkëqeverisjen

Dec 14, 2021 | 10:09
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e ka kundërshtuar dekretin për kthimin e buxhetit të vitit 2022 nga Presidenti i Republikës, pasi sipas saj, aty ka në fokusin e tij kryesor ringritjen e ekonomisë pas tërmetit dhe pandemisë

lindita nikolla

Për kryeparlamentaren, kreu i shtetit e ka kthyer në normë, kthimin e ligjeve të rëndësishme për vendin, duke përfshirë këtu edhe Buxhetin e 2022 dhe ligjin për Bashkëqeverisjen. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Nikolla tha se këto dy ligje, por edhe aktet e tjera kanë kaluar në të gjitha hallkat dhe janë miratuar. “Gjatë kësaj kohe, janë miratuar ligje me shumë rëndësi për qytetarët, siç është ligji i Buxhetit për vitin 2022 shoqëruar me paketën fiskale. Ka pasur një debat dhe ka kaluar në të gjithë zinxhirin e diskutimeve në komisione. Ky buxhet ka në fokusin e tij kryesor ringritjen e ekonomisë pas dy tragjedive të tërmetit dhe pandemisë.

Sa i përket faktit që Presidenti i Republikës kthen Buxhetin dhe ligjin për Bashkëqeverisjen tashmë për fat të keq u kthye në një normë që Presidenti kthen ligje të rëndësishme. Një gjë është e sigurt, patjetër që komisionet përkatëse kanë vullnetin, pa bërë diferenca edhe deputetët e opozitës do të shqyrtojnë të gjitha argumentet që sjell Presidenti në një proces të rregullt parlamentar dhe do të kemi edhe debatin në seancë parlamentare për dekretet e Presidentit”, tha Nikolla.

Por, pak minuta nga deklarata e saj, ka reaguar edhe kreu i shtetit, Ilir Meta. Përmes një mesazhi në faqen zyrtare në “Facebook”, Presidenti i përgjigjet duke shkruar se me këtë buxhet, qeveria dëmton fermerët dhe godet prodhimin vendas. “Buxheti i vitit 2022 dëmton fermerët shqiptarë dhe godet prodhimin vendas. Nuk e dekretova me miratim, sepse qeveria ka ulur fondet për bujqësinë, nga 0.73% në 0.68% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe nuk ka plotësuar kërkesat e fermerëve, që po protestojnë. Mbështetja e sektorit të bujqësisë është jetik për ekonominë e vendit dhe dëgjimi i zërit të fermerëve është i domosdoshëm”, shkruan Meta.

REAGIMI PËR SIMBOLET E KOMUNIZMIT

Ndërkohë e pyetur se kur do të mblidhet Komisioni i Etikës për marrjen e masave për përdorimin e simboleve të komunizmit dhe figurës së diktatorit Enver Hoxha nga deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela, Nikolla u shpreh se është e papranueshme që një deputet i Kuvendit bën veprime të tilla. “Sa i përket asaj që ju përmendët, besoj nuk ka njeri në këtë sallë që të revokojë figurën e Enver Hoxhes, ka qenë një diktator dhe një periudhë që ne e kemi rrëzuar me forcë në 1990. Nga ajo kohë e deri tani, kemi luftuar fort për të ndërtuar një Shqipëri tjetër, një Shqipëri demokratike me aspirata drejt Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka një kërkesë në rastin në fjalë për t’u parë nga Komisioni i Etikës dhe në rastin më të parë, patjetër që do të ketë gjithë seriozitetin e kërkuar për t’u shqyrtuar sepse pavarësisht se si ndodhi është e papranueshme që një deputet i Kuvendit të përdorë të tilla situata në një ditë feste, siç ishte ajo e Pavarësisë”, tha Nikolla.

Sa i përket përfshirjes së PD-së në pyetjet drejtuar Komisionit të Venecias për ndryshimet Kushtetuese për organet e vetingut, Nikolla u shpreh: “Patjetër që PD-ja ka qenë pjesë e Këshillit të Legjislacionit, gjithçka është diskutuar aty. Vendimmarrja është diskutuar aty, pyetjet janë diskutuar aty. Pyetja ka qenë a janë në një linjë me BE-në kërkesat për të zgjatur kohën e organeve të vetingut. Ata kanë zgjedhur të refuzojnë, por mbledhjet e komisionit kanë qenë transparente, sepse kanë qenë live”.

VENDIMI I PS

Gjatë një konference për mediat, kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, deklaroi se PS-ja ka vendosur të rrëzojë Dekretin e Presidentit për kthimin e Buxhetit të Shtetit 2022, duke i hapur rrugë hyrjes në fuqi buxhetit më të madh në historinë e Shqipërisë. Sipas Ballës, “Buxheti i Shtetit 2022 mundëson vazhdimin e financimit të reformave, sigurimin dhe përmirësimin e shërbimeve publike, forcimin e drejtësisë sociale dhe zgjerimin e paketës sociale për të gjithë shtresat në nevojë, si dhe sigurimin e investimeve të domosdoshme për zhvillimin e mëtejshëm të sektorëve strategjikë dhe ekonomisë së vendit”.

© Panorama.al

Te lidhura