Mesazhi i Veliajt: Një socialist i mirë nuk e quan fitoren në xhep. Nuk kemi kohë për të humbur

Nov 9, 2019 | 13:50
SHPËRNDAJE

8b65337c-089e-4d2c-ab02-7cf13a965632

“Asnjë socialist i mirë nuk e quan fitoren në xhep, as nuk luan me besimin e njerëzve, por lufton çdo ditë për ta fituar atë ditë”. 

Kështu u shpreh Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nga Parku Olimpik i Tiranës, në prezantimin me kandidatët për delegatë të Kongresit që do të zgjidhen me 16 nëntor.

Kreu i Bashkisë u shpreh se PS kujdeset çdo ditë që të fitojë besimin e qytetarëve në çdo zonë të kryeqytetit.

“Asnjë socialist i mirë nuk e merr për të mirëqenë fitoren, nuk luan me besimin e njerëzve, por lufton çdo ditë, sikur është beteja jonë më e rëndësishme, për ta fituar atë ditë. Ne nuk na duhet të fitojmë njëherë në 4 vite, ne duhet të fitojmë besimin, mendjen, zemrat e njerëzve përditë. Ne kemi bërë më shumë se të tjerët, por një socialist i vërtetë shqetësohet edhe për kopshtin me drekë dhe lufton sikur ajo të jetë beteja jonë finale”, nënvizoi Veliaj.

Ai shprehu bindjen se delegatët e rinj të PS do të garantojnë vijimin e reformave dhe modernizimin e PS, që përgatitet për mandatin e tretë qeverisës. “Shpresa ime e madhe është që të gjithë këta delegatë të kthehen në një force emancipuese dhe modernizuese të PS, teksa përgatitemi për mandatin e tretë të Edi Ramës dhe të PS në krye të punëve të vendit”, tha Veliaj.

179405da-4822-4b67-bf19-06460d0e9532

Teksa u ndal edhe në bojkotin që opozita i bëri jetës parlamentare dhe përgjegjësive të saj para vendit, Veliaj theksoi se tashmë mazhoranca ka një detyrë shumë herë më të madhe për të mos rënë në grackën e vetkënaqësisë. “Unë e di nga puna ime, kryeministri ma ka treguar disa here nga puna e tij, dhe jam i sigurtë edhe ministrat dhe deputetët, është më e vështirë të qeverisësh pa kundërshtarët. Kur opozita ishte prezente, sado destruktive, sado me stërkëmbësha, sado me intriga, me shpifje, gjithsesi ishte një forcë presioni. Nga eksperienca ime ma bënte edhe mua punën më të lehtë, se vinte re ku kishim gabimet në bashki ose gjërat që mund të përmirësoheshin, qe ndoshta na kishin dalë nga radari. Kur s’e ke këtë, duhet të bësh vetë edhe kritikun e skuadrës tënde. Sepse nëse e lëmë këtë vakum dhe nuk reflektojmë mbi çfarë mund të bëjmë më mirë, atëherë do të biem në një grackë vetkënaqësie. Ndaj detyra e delegatëve është të na bëjnë edhe oponencë”, shtoi ai.

Veliaj siguroi se teksa Tirana i drejtohet shekullit të saj të dytë si kryeqytet, do të ketë të gjithë infrastrukturën që ka edhe një kryeqytet evropian. “Delegatët e Tiranës do të jenë delegatët e fundit të shekullit të parë të Tiranës si kryeqytet. Në vitin 2020 Tirana mbush 100 vjeç dhe mbyll shekullin e parë si kryeqytet i shqiptarëve dhe fillon kapitullin e dytë , shekullin e dytë si kryeqytet i të gjithë shqiptarëve kudo ku janë. Sa kohë kemi humbur me llafe kot, sa kohë kemi humbur duken shkatërruar kënde lodrash, duke bllokuar unazën e Tiranës, duke dalë kundër çdo sheshi, kundër çdo teatri, kundër çdo pazari. Do të duhet të injektojmë që në shekullin e dytë të kapim çdo kohë të humbur që kemi humbur në shekullin e parë. Në shekullin e dytë dua të garantoj çdo qytetar të Tiranës që të jetë akoma më moderne, do ti ketë ato rrugë, ato autostrada, ato unaza, do ti ketë ato teatro, ato parqe, do ti ketë të gjitha gjërat që ka çdo vend tjetër në bashkimin evropian”, theksoi Veliaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura